Mbrëmësorja

kreshmët – e enjte pas të mërkurës përhime

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

Psalmi 144 /143/ I (1-8)

 

   Lutja e Mbretit për fitore dhe për paqe

 

   Duart e tija e filluan luftën kur ai e mundi mbretërinë e së keqes. Ai tha: Keni besim në mua, unë e munda botën! (Krh. Gjn 16, 33) (Shën Ilari).

 

Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im †

   që m’i mëson duart për luftim *

   e gishtërinjtë për luftë.

 

Mëshira ime dhe kështjella ime, *

   strehimi im dhe çlirimtari im,

shqyti im pas të cilit fshihem, *

   ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.

 

O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, *

   biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Njeriu i përngjan avullit, *

   ditët e tija si hija që kalon.

 

O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, *

   preki malet e ato le të tymojnë.

Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, *

   flakëro shigjetat dhe shpartalloji!

 

Shtrije dorën tënde prej së larti †

   më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, *

   prej kthetrave të bijve të huaj,

 

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në ty shpresoj, o Zot, dashuria ime dhe strehimi im.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Psalmi 144 /143/

 

II (9-15)

 

   Lutja e Mbretit

 

   Në Jezu Krishtin Hyji na tregoi në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të hirit të tij nëpërmes mirësisë së tij që ka për ne (Ef 2, 6. 7).

 

O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, *

   për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,

sepse mbretërve ti u jep fitoren, *

   e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,

   prej shpatës vrastare.

 

Më shpëto e më liro *

   prej kthetrave të bijve të të huajve,

goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *

   e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.

 

Bëj që fëmijët tanë të jenë porsi pema *

   që rritet në rininë e vet,

bijat tona porsi shtyllat e këndeve, *

   të hijshme porsi shtyllat e Tempullit.

 

Drithnikët tanë mbushi plotë e përplot *

   me gjithfarë frytesh me mbushulli,

 

dhentë tona me mijëra u shtofshin, †

   të panumërta nëpër fushat tona, *

   gjedhet tona të majme e të shëndosha.

 

Rrënime as sulme mos pastë në muret tona, *

   as vaj e gjëmë ndër sheshet tona!

 

Lum ai popull që i ka këto të mira, *

   lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai popull që Hyjin e ka Zot!

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a

 

   Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë.

 

   Leximi i shkurtër Jak 4, 7-8. 10

 

   Nënshtrohuni, pra Hyjit! Kundërshtoni djallit dhe do të largohet prej jush! Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’ju afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’ju lartësojë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Më jep mençurinë * që ta mbaj ligjin tënd.

   Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.

   D Më mëso mendjen dhe urtinë

   që ta mbaj ligjin tënd.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Kush e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë, thotë Zoti.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Kush e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë, thotë Zoti.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyji na shndrit me hirin e Shpirtit Shenjt që të ndriçojmë me vepra të drejtësisë dhe të fesë. T’i japim lavdi mëshirës së tij dhe t’i themi:

 

   Përtërije, o Zot, popullin që e ka shpëtuar Biri yt.

 

O Hyj, burim dhe krijues i çdo shenjtërie, me misterin eukaristik bashkoi ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët me Krishtin

që hirin të cilin e kanë marrë me shugurimin meshtarak, të mund ta rrezatojnë sa më shumë.

Mësoji besimtarët që në mënyrë të denjë dhe të fuqishme të mund ta marrin pjesë në tryezën e fjalës dhe të Korpit të Krishtit,

në mënyrë që çka marrin me fe, ta ruajnë me sjellje dhe me jetë.

Bëj që me dhuratën tënde të mund ta njohim dinjitetin njerëzor të shëlbuar me Gjakun e Birit tënd

dhe të nderojmë lirinë dhe ndërgjegjen e çdo njeriu-vëlla.

Bëj që njerëzit t'i frenojnë dëshirat e shfrenuara për gjëra materiale

dhe ndihmoju gjithë atyre që kanë nevojë për Ty.

Ki mëshirë për ata besimtarë që sot kanë kaluar nga kjo jetë te Ti

dhe jepua dhuratën e lumturisë së amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Po të lutemi, o Zot, priju veprave tona me hirin tënd dhe përcilli me ndihmën tënde, kështu që, veprimtaria jonë të zë fill prej teje dhe me ndihmën tënde, të kryhet. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.