Mbrëmësorja

Java e tetëmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, burimi i të gjitha sendeve,

   që në çdo gjë të kryer,

   hapësirën e mbarë tokës

   me të mira e dhunti mbushe.

 

   Kur krijove rruzullimin,

   thuhet se në fund more

   pushim, duke u dhënë punëve

   që ne me qejf të ngriheshim.

 

   Bëji tash vdekatarët

   t’i qajnë fajet e jetës,

   të qëndrojnë në virtyte

   e me mbarësi të shpërblehen.

 

   Që kur të nisë frika e madhe

   e gjykatësit të tmerrshëm,

   të gjithë me radhë të gëzohemi

   mbushur me dhunti paqeje.

 

   Na i jep, o Atë mëshirëploti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   që sundon në të gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, o Zot, dritë për udhët e mia, aleluja.

 

Psalmi 119 /118/ XIV (105-112)

 

   Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit

 

   Ky është urdhri im: duajeni njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju (Gjn 15, 12).

 

Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *

   dritë për udhët e mia.

U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *

   do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.

 

Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *

   ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.

Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *

   dhe m’i mëso gjyqet e tua.

 

Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *

   por nuk e harroj Ligjin tënd.

Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *

   por nuk iu shmanga porosive të tua.

 

Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *

   janë kënaqësia e shpirtit tim.

E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *

   përherë e deri në fund.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, o Zot, dritë për udhët e mia, aleluja.

 

Ant. 2 Para fytyrës sate, o Zot, është gëzim i pakufi, aleluja.

 

Psalmi 16 /15/ (1-11)

 

Zoti pjesa e trashëgimit tim

 

   Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).

 

Më ruaj, o Hyj, *

   sepse të kam rënë ndore!

I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *

   tjetër të mirë nuk kam veç teje!«

Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *

   po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!

 

I shumojnë të zezat e veta *

   ata që shkojnë pas zotave të huaj.

Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *

   buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.

 

Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *

   në dorën tënde është fati im!

Shorti më ra në më të mirën tokë: *

   pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!

 

E bekoj Zotin që më dha kuptim, *

   edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

Zotin e kam gjithmonë para sysh, *

   më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

 

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *

   mbarë trupi im pushon në qetësi.

 

S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *

   as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.

 

Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †

   gëzimin e plotë para fytyrës sate, *

   kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Para fytyrës sate, o Zot, është gëzim i pakufi, aleluja.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

Kënga Fil 2, 6-11

 

Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qielli e toka le të përkulen para emrit të Krishtit Zot, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Kol 1, 2b-6

 

   Hyji, Ati ynë, ju dhëntë hir e paqe! E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe lutemi vazhdimisht për ju, sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve, për arsye të shpresës që ruhet për ju në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së vërtetës ‑ Ungjillit, që arriti te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet, si në mbarë botën, ashtu edhe ndër ju, qysh prej ditës kur dëgjuat dhe e njohët hirin e Hyjit me anë të së vërtetës.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga lindja e diellit gjer në perëndim *

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   D Lavdia e tij e madhe i tejkalon qiejt:

   lavdërojeni emrin e Zotit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga lindja e diellit gjer në perëndim

   lavdërojeni emrin e Zotit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

      Viti A:

   Ant. Ejani, dhe pa para blini e hani bukën që do t’ju ngijë përgjithmonë.

 

   Viti B:

   Ant. Zoti bëri që të binte manë për popullin e vet, dhe u dha atyre bukën prej qiellit.

 

   Viti C:

   Ant. Ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Ejani, dhe pa para blini e hani bukën që do t’ju ngijë përgjithmonë.

 

   Viti B:

   Ant. Zoti bëri që të binte manë për popullin e vet, dhe u dha atyre bukën prej qiellit.

 

   Viti C:

   Ant. Ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyji është ndihma dhe mburoja e popullit, të cilin e zgjodhi për trashëgimin e vet që të jetë i shenjtë. T’ia shprehim falënderimin tonë duke përkujtuar mirësinë e tij dhe t’i brohorasim:

 

   Në ty, o Zot, shpresojmë!

 

O Atë zemërbutë, të lutemi për papën tonë E. dhe për ipeshkvinjtë tanë:

mbroji dhe shenjtëroji me fuqinë tënde.

Le të ndiejnë të sëmurët se janë të bashkuar me Krishtin që vuan

dhe të jenë përherë pjesëtarë të ngushëllimit të tij.

Me mirësinë tënde shikoji ata që s’kanë kulm mbi kokë:

le ta gjejnë banesën e përshtatshme.

Denjohu t’i japësh dhe t’i ruash frytet e tokës:

që të gjithë ta kenë bukën e përditshme.

Liroje popullin tonë prej çdo të keqeje:

të jetojë në paqe dhe në begati.

O Zot, pranoji të vdekurit me mirësinë tënde:

udhëhiqi ata në banesat e amshuara.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na ndihmo, o Zot, ne shërbëtorët e tu dhe përherë tregohu i mirë me ne, e pasi mburremi se je Krijuesi dhe Sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen e atë që përtërin bëje të qëndrueshëm. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.