Mbrëmësorja

Java e njëzetetetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E diel

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O dritë, Trinia e lumnueshme

   dhe Njënia kryesore,

   tani dielli i zjarrtë tërhiqet:

   derdhe ndër zemra dritën.

 

   N’mëngjes me kangë të lavdeve,

   e n’mbrëmje ty të lutemi;

   lumnia jonë ty lutëse

   lavdroftë nëpër gjithë shekujt.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   t’Krishtit dhe t’Atit Shpirtin;

   Trini e fuqishme s’bashku

   për t’gjitha ndiz të lutemi. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në shkëlqime të shenjta Ati të lindi para agimit, aleluja.

 

Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Duhet që Ai të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në shkëlqime të shenjta Ati të lindi para agimit, aleluja.

 

Ant. 2 Lum ai njeri që ka uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihet.

 

Psalmi 112 /111/ (1-10)

 

Lumturia e njeriut të drejtë

 

   Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta (Ef 5, 8-9).

 

Lum ai njeri që e druan Zotin, *

   që kënaqet në urdhërimet e tij.

Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *

   do të bekohet breznia e të drejtëve.

 

Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *

   drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *

   i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.

 

I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †

   punët e veta i kryen me ndërgjegje, *

   ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

 

Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *

   nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †

   të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *

   armiqtë e vet i bën asgjë.

 

Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †

   drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *

   balli i tij ngallit për nder.

 

E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †

   me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *

   Dëshira e mëkatarëve shkon huq.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai njeri që ka uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihet.

 

Ant. 3 Shërbëtorët e Zotit, të vegjël e të mëdhenj, lavdërojeni Emrin e tij, aleluja.

 

Kënga Krh. Zb 19, 1-7

 

Dasma e Qengjit

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorisim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (aleluja).

 

Ant. 3 Shërbëtorët e Zotit, të vegjël e të mëdhenj, lavdërojeni Emrin e tij, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Heb 12, 22-24a

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit - Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit - Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti është i madh,

   * e madhërueshme është fuqia e tij.

   Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.

   D Urtia e tij nuk ka kufi,

   e madhërueshme është fuqia e tij.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Në kohën e darkës Zoti i thërret të gjithë të grishurit: Ejani, sepse gjithçka është e gatshme për ju, aleluja.

 

   Viti B:

   Ant. Keni lënë çdo gjë dhe erdhët pas meje: do të keni njëqind herë aq, dhe Jetën e pasosur.

 

   Viti C:

   Ant. Njëri prej të gërbulurve, që u shërua nga Jezusi, u kthye tek ai duke brohoritur: Lavdi Hyjit!

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Në kohën e darkës Zoti i thërret të gjithë të grishurit: Ejani, sepse gjithçka është e gatshme për ju, aleluja.

 

   Viti B:

   Ant. Keni lënë çdo gjë dhe erdhët pas meje: do të keni njëqind herë aq, dhe Jetën e pasosur.

 

   Viti C:

   Ant. Njëri prej të gërbulurve, që u shërua nga Jezusi, u kthye tek ai duke brohoritur: Lavdi Hyjit!

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Duke u gëzuar në Zotin, prej të cilit vjen çdo e mirë, t’i lutemi përzemërsisht:

 

   Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

 

Zotëri dhe Atë i gjithësisë, që e dërgove Birin tënd në botë për t’i bashkuar popujt në lavdërim të Emrit tënd:

forcoje dëshminë e Kishës sate në mes të popujve.

Bëj që të jemi të rrënjosur në predikimin e apostujve:

dhe në harmoni me të vërtetën e fesë sonë.

Ti i do të drejtët:

kthejua të drejtën të robëruarve që pësojnë padrejtësi.

Liroji të burgosurit, jepu dritën e syve të verbërve:

ngushëlloji të dëshpëruarit, mbroji të mërguarit.

Plotësojua porosinë e fundit të ndjerëve:

bëj që nëpërmjet Birit tënd ta arrijnë ringjalljen.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.