Mbrëmësorja
25 Dhjetor – Kërshëndellat
Mbrëmësorja II
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Krisht, Shëlbuesi i t’gjithëve,
prej Atit, Bir i vetëm,
veç ti para fillimit
u linde e me gojë s’shprehet.
Ti dritë, shkëlqim i Atit,
ti shpresë për jetën e t’gjithëve,
dëgjo lutjet që nxjerrin
shërbëtorët tu nëpër botë.
Kujto, o Autor shëlbimi
se dikur more trajtën
e trupit tonë, kur t’lindi
një Virgjër e paprekur.
Dëshmon kjo ditë e tashme
që rrjedh në rreth të vitit,
veç ti nga froni i Atit
erdhe shpëtim për botën.
Këtë qielli, toka e deti,
çdo gjë që ndër to ndodhet,
ty autor të ardhjes sate
lavdërojnë me këngë të hareshme.
Dhe ne që u shpërblyem
me gjakun tënd të shenjtë,
n’ditën e lindjes sate
bashkë himn të ri këndojmë.
Ty të qoftë lavdia, o Jezus,
që u linde nga Nënë Virgjër
me Atin e me Shpirtin
jetëdhënës në shekujt e shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e përshtatshme e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ty të qoftë mbretëria në ditën e lavdisë sate: në shkëlqim e në shenjtëri Hyji të lindi para agimit.
Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)
I tha Zoti Zotit tim: *
»Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
shtrojë për këmbët e tua!«
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet *
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut«.
Zoti është në të djathtën tënde, *
i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
prandaj lart do ta ngrejë kokën.
Ant. 1 Ty të qoftë mbretëria në ditën e lavdisë sate: në shkëlqim e në shenjtëri Hyji të lindi para agimit.
Ant. 2 Te Zoti është mëshira, shëlbimi i tij është i madh.
Psalmi 130 /129/ (1-8)
Prej humnerës klitha te ti, o Zot, *
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu, *
zërin e lutjes sime.
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? –
Por te ti gjendet falja *
që të dimë të të druajmë.
Shpresoj në ty, o Zot, *
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin *
më tepër se rojtarët agimin.
Më tepër se rojtarët agimin *
le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira *
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin *
prej të gjitha paudhësive të tija.
Ant. 2 Te Zoti është mëshira shëlbimi i tij është i madh.
Ant. 3 Qysh në fillim, para shekujve, Fjala ishte Hyj: Shëlbues i botës.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhé,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Ant. 3 Qysh në fillim, para shekujve, Fjala ishte Hyj: Shëlbues i botës.
Leximi i shkurtër 1 Gjn 1, 1-3
Çka ishte qysh në fillim, çka dëgjuam çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, - po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve - çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
Përgjigjja e shkurtër
C Fjala e Zotit u bë njeri * aleluja, aleluja.
Fjala e Zotit u bë njeri aleluja, aleluja.
D Dhe banoi ndër ne,
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fjala e Zotit u bë njeri aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Sot lindi Krishti, u shfaq Shpëtimtari; sot mbi tokë këndojnë engjëjt dhe gëzohen kryeengjëjt; sot galdojnë të drejtët, dhe brohorasin me gëzim: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell, aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Sot lindi Krishti, u shfaq Shpëtimtari; sot mbi tokë këndojnë engjëjt dhe gëzohen kryeengjëjt; sot galdojnë të drejtët, dhe brohorasin me gëzim: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Me gëzim ta lavdërojmë Krishtin. Në lindjen e tij engjëjt i kumtuan paqen botës, prandaj t’i drejtohemi me lutje:
Lindja jote, o Zot, le të na sjellë paqe të gjithëve.
O Zot, me çdo të mirë mbushe Kishën tënde:
— të cilën e ngushëllon me misterin e lindjes sate.
Bari dhe prijës i shpirtrave tanë,
— bëj që papa dhe ipeshkvijtë tanë të jenë ndarës besnikë të hireve të tua të shumëfishta.
Mbret i amshuar, ti u linde në kohë, për një kohë jetove dhe deshe ta provosh jetëshkurtësinë njerëzore:
— bëj që ne, të dobëtit dhe të vdekshmit, të jemi pjesëtarë të amshimit tënd.
Shekujt të pritën dhe ti na erdhe në plotësimin e kohës:
— tregojua praninë tënde atyre të cilët ende të presin.
Ti u bëre njeri dhe e përtërive natyrën njerëzore të shkatërruar me mëkat:
— bëj që të ndjerët të përngjasojnë ty.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti që denjësinë e natyrës njerëzore e trajtove mrekullisht, dhe mrekullisht e përtërive, bëj, po të lutemi, të bëhemi pjesëtarë të Hyjnisë së Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë pjesë në natyrën tonë njerëzore. Ai që jeton e mbretëron me ty në shekuj të shekujve. Amen.
Përpos në të kremte dhe të dielën e Familjes Shenjte, gjatë Tetëditëshit të Krishtlindjes kremtohet gjithmonë Mbrëmësorja e ditës së Tetëditëshit, në mënyrën që është e paraqitur për çdo ditë përkatëse, dhe kjo pa marrë parasysh Orët tjera, që mund të jenë të festave që kremtohet në ditë të ndryshme.
Për çdo ditë thuhet Pasmbrëmësorja e së dielës, e para ose e dyta (fq. 955, ose 958).
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.