Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, krijues i të gjithave

   drejtues në botë, që ditën

   e vesh me dritë të hijshme

   e me hir të gjumit natën,

 

   Prehja gjymtyrëve të këputura

   t’u kthejë zellin e punës,

   të lehtësojë mendjet e lodhura,

   të heqë gjëmat ngashëruese.

 

   Falë ditës që kaloi,

   e uratëve në natë të re,

   ndihmo fajtorët me anë të premtimit

   me këngë shpalosim himnin.

 

   Thellësisht të këndoftë zemra,

   për Ty zëri të kumbojë,

   Të dashtë dëshira e pastër,

   t’adhuroftë mendja e përkorë.

 

   Kur errësira e madhe

   me net të mbulojë ditën,

   feja të mos njohë terrin,

   nga feja shkëlqeftë nata.

 

   Na ruaj, Atë plot drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin

   bashkë me Shpirtin Ngushëllues,

   që n’jetë të jetës je sundues. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Porsi tymi i kemit, u ngrittë lutja ime drejt teje, o Zot.

 

   Psalmi 141 /140/ (1-9) Lutja në rrezik

 

   Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve (Zb 8, 4).

 

O Zot, klitha drejt teje, eja më të shpejt tek unë! *

   Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!

U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, *

   lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.

 

Vërja rojën, o Zot, gojës sime, *

   edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.

 

Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija †

   për të sendërtuar punë të liga me njerëz të paudhë *

   që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.

 

Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë,

   le të më qortojë, †

   por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, *

   por paça uratën përballë mbrapshtisë së tyre!

 

Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre *

   do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.

 

Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë *

   shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!

 

Te ti, o Zot, Hyji im, janë sytë e mi, *

   ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.

Më ruaj prej grackës që ma kanë ngrehur, *

   prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Doksologjia Lavdí Atit ... thuhet në fund të çdo psalmi dhe kënge, nëse nuk ka ndonjë udhëzim tjetër.

 

Ant. 1 Porsi tymi i kemit, u ngrittë lutja ime drejt teje, o Zot.

 

Ant. 2 Ti, o Zot, je strehimi im, prona ime në tokën e të gjallëve.

 

   Psalmi 142 /141/ (2-8) Ti je strehimi im

 

   Krishti në mundim thërret Atin: “Abbà, Atë! Largoje prej meje këtë gotë...” (Mk 14, 36) dhe kërkon ringjalljen mbi të cilën Kisha e shenjtërve e rrënjos fenë e saj. (Krh. Cassiodoro)

 

Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, *

   me sa zë kam Zotin e përbej,

para tij zhgrehem në vajtimin tim, *

   para tij e qes shtrëngimin tim.

 

Megjithëse shpirti im po meket në mua, *

   ti e njeh udhën time.

Udhës nga më duhej të kaloja *

   ma ngrehën grackën.

 

Shikoja djathtas e shihja: *

   s’ ishte askush që të më njihte!

Askund shteg shpëtimi *

   dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time!

 

Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, †

   e thashë: »Ti je strehimi im, *

   ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve.

 

Vështroji britmat e mia, *

   sepse jam përvujtëruar për së tepërmi.

Më liro prej salvuesve të mi, *

   sepse janë më të fortë se unë.

 

Nxirre shpirtin tim prej rrethimit *

   që ta lavdëroj Emrin tënd.

Rreth meje do të bashkohen të drejtët *

   nëse mirësisht do të kujdesesh për mua.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti, o Zot, je strehimi im, prona ime në tokën e të gjallëve.

 

Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdí.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Jezusi e përuli vetveten deri në vdekje; prandaj Hyji e lartësoi në lavdí.

 

   Leximi i shkurtër Rom 11, 33-36

 

   O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija! E njëmend, 'kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t'i kthehet?' (Is 40, 13; Jer 13, 18; Jb 41, 3) Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Sa të mëdha janë * veprat e tua, o Zot!

   Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!

   D Ti i bëre me mirësi dhe urti

   veprat e tua, o Zot!

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot!

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

     Ant. Jini porsi dritëza, që u bën dritë të gjithëve në shtëpi.

 

     Viti B:

     Ant. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit: dhe ai i shëronte.

 

     Viti C:

     Ant. Populli po shtyhej rreth Zotërisë, për ta dëgjuar fjalën e Hyjit.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

     Ant. Jini porsi dritëza, që u bën dritë të gjithëve në shtëpi.

 

     Viti B:

     Ant. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit: dhe ai i shëronte.

 

     Viti C:

     Ant. Populli po shtyhej rreth Zotërisë, për ta dëgjuar fjalën e Hyjit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta lavdërojmë një të vetmin Zot: Atin, Birin e Shpirtin Shenjt dhe t’i lutemi me gjithë zemër:

 

   Rri, o Zot, me popullin tënd

 

O Zot i shenjtë, Atë i gjithëpushtetshëm, bëj që në tokën tonë të mbijë drejtësia:

dhe populli yt të gëzojë plotësinë e vëllazërimit e të paqes.

Bëj që të gjithë popujt të hyjnë në Mbretërinë tënde:

kështu që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe kombet.

Bëj që bashkëshortët të qëndrojnë në paqen tënde dhe të kryejnë vullnetin tënd:

dhe përherë të jetojnë në dashuri ndaj njëri-tjetrit.

O Zot, shpërbleji të gjithë bamirësit tanë

dhe jepu atyre jetën e pasosur.

Shikoji me mirësi të gjithë ata që humbin jetën në luftë apo janë viktima të urrejtjes njerëzore:

pranoji në paqen qiellore.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme këtë familje, dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit tënd, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.