Mbrëmësorja

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E martë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Krijuesi e princi i kohrave,

   që me rregull t’qëndrueshëm

   dallon ditën e ndriçme

   me punë nga nata e përgjumur.

 

   Drejto mendjen e pastër,

   që errësitë e heshtura

   ndër plagë të egra (mizore) t’zemrës

   smirëzezë nga shgjetat mos të hapen.

 

   T’rrijnë larg parzmat nga epshet

   dhe asnjë pishtarë mos t’hapet (t’sillet)

   që para nesh të shuar

   t’vrasin fuqinë e mendjes.

 

   Bëj, o Atë tërë i drejti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar

   sundues për gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhé të huaj?

 

   Psalmi 137 /136/ (1-6) Mbi lumenjtë e Babilonisë

 

   Derisa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit (2 Kor 5, 6. 7).

 

Mbi lumenj të Babilonit,

   atje rrinim e lotonim *

   e nëpër mend shkonim Sionin.

Në shelgje, në mes të tij, *

   qeset tona në gem i varëm.

 

Shi atje shpërngulësit tanë *

   t’u këndojmë prej nesh kërkuan,

të gëzohemi shtypësit urdhëronin: *

   »Na i këndoni këngët e Sionit!«

 

Po si mundim t’i këndojmë *

   këngët e Zotit në dhe të huaj?

Oh, m’u thaftë-o krahu mua, *

   Jerusalem për në të harrofsha,

 

për qiellzë gjuha m’u kaptë mua, *

   të të kujtoj ty nëse unë pushofsha,

në mos e vënça Jerusalemin *

   mbi të gjitha gëzimet e mia!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Si mundim t’i këndojmë këngët e Zotit në dhé të huaj?

 

Ant. 2 Ty, o Zot, do të të këndojnë praninë e engjëjve.

 

   Psalmi 138 /137/ (1-8) Himn falënderimi

 

   Mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet (Zb 21, 24).

 

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, *

   sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve, *

   adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

 

E lavdëroj Emrin tënd †

   për dashurinë e besnikërinë tënde, *

   sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

 

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, *

   shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës *

   sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

 

Do t’i këndojnë udhët e Zotit, *

   sepse e madhe është lavdia e Zotit;

sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët *

   e prej së largu i dallon krenarët.

 

Kur të më duhet të eci në mes të vështirësive, *

   ti ma ruaj jetën,

shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi *

   e më shpëto me të djathtën tënde.

 

Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. †

   E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: *

   mos e përbuz veprën e duarve të tua!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ty, o Zot, do të të këndoj në praninë e engjëjve.

 

Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.

 

   Leximi i shkurtër Kol 3, 16

 

   Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshilloni njëri‑tjetrin me plot urti! Këndoni lavde Hyjit me gjithë zemër psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Ti më mbush me gëzim, o Zot, * në praninë tënde.

   Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.

   D Festë e përhershme,

   në praninë tënde.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.

 

Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate; i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate; i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i brohorasim dhe me zemra të sinqerta t’i lutemi Krishtit, i cili popullin e vet e forcon:

 

   Dëgjoje lutjen tonë, o Krisht.

 

O Krisht, forca e besimtarëve të tu, që na thirre në të vërtetën tënde:

na jep besim dhe qëndrueshmëri.

Me shpirtin e urtisë sate udhëhiqi ata që janë në pushtet:

prire mendjen e tyre që të na drejtojnë në paqe.

Shumë njerëz ke ushqyer në shkretëtirë:

na mëso edhe ne, që bukën tonë ta ndajmë me të uriturit.

Bëj që udhëheqësit politik të mos shikojnë vetëm popullin e vet:

por edhe popujt e tjerë t’i nderojnë dhe për të gjithë të kujdesen.

Vëllezërve tanë të ndjerë, jepu jetë dhe ringjallje:

dhe kur të vish të lavdërohesh në ata që kanë besuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.