Mbrëmësorja
Java e Katërt e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E mërkurë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Ja dielli zbret i panxituar,
dhe male e fusha e detra
i lë i zymtë, por përsëri ngrihet
ugur i ditës s’nesërme.
Duke u mahnitur vdekatarët,
kështu ti, Krijues i zellshëm
ligjet e ndrrime t’kohrave
i dhe me dritë e hije.
E nësa qiellit n’heshtje
nga errësira ndrydhëse
i mungon forca e punëve,
çlodhja e dëshruar kërkohet.
Me shpresë e fé të pasur
ringjallemi me dritën
e Fjalës tënde, që është ndër shekuj
madhshtia e lavdisë atërore.
Ai diell është që s’njeh kurrë
as lindje as perëndim;
që e gëzon tokën me mbrojtje
e qiejt n’amshim gazmohen.
Ndaj ne këtë dritë të kthjellët
përherë na bëj të gëzojmë,
me Birin dhe me Shpirtin jetëdhënës
për ty kangë duke thurur. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.
Psalmi 139 /138/ I (1-12) Zoti sheh gjithçka
Kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? (Rom 11, 34).
O Zot, ti më shqyrton e më njeh, *
ti di kur rri e kur ngrihem,
prej së largu i njeh mendimet e mia. *
Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia. †
Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës, *
dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!
Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon, *
ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.
E mrekullueshme është dija jote për mua, *
tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij.
Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd, *
ku të iki larg prej pranisë sate?
Nëse ngjitem në qiell, ti atje je, *
nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.
Po t’i marr krahët e agimit *
e të shkoj të banoj në skajin e detit,
edhe atje dora jote do të më përcjellë *
e do të më mbajë e djathta jote.
Në thënça: »Le të më mbulojë së paku errësira *
edhe drita natë le të bëhet mbi mua!«,
por as terri s’është aspak terr për ty †
edhe nata është si dritë e ndritshme *
- për ty errësira është porsi drita!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sa e mrekullueshme është dija jote për mua, o Zot.
Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.
Psalmi 139 /138/ II (13-18. 23-24) O Zot, ti më shqyrton dhe më njeh
Hyji nuk është larg asnjërit prej nesh... në Të jetojmë, lëvizim e jemi (Vap 17, 27. 28).
Ti je ai që m’i krijove veshkat, *
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht, †
të mrekullueshme janë veprat e tua, *
po, shpirti im mirë e di!
Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur †
kur unë po trajtohesha në fshehtësi *
i endur në thellësinë e tokës.
Ende të patrajtuar më panë sytë e tu, †
në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët: *
ishin të njehura megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre.
Tepër të çmueshme janë për mua, e Hyj, mendimet e tua, *
e panumërueshme është shuma e tyre!
Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra! *
Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti!
Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time, *
më sprovo e njihi shtigjet e mia
e shiko në mos ka në mua udhë kotësie *
dhe më kthe në udhën e amshueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti më njeh në thellësi të zemrës, o Zot dhe i jep çdonjërit sipas veprave të tija.
Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua dhe çdo gjë qëndron në të.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20 Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Nëpër Krishtin gjithësia u krijua dhe çdo gjë qëndron në të.
Leximi i shkurtër 1 Gjn 2, 3-6
Me këtë gjë e dimë se e njohim Krishtin, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. Kush thotë se qëndron në Të i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci Ai.
Përgjigjja e shkurtër
C Porsi bebëzën e syrit * na ruaj, o Zot.
Porsi bebëzën e syrit na ruaj, o Zot.
D Na fsheh nën hijen e krahëve të tu,
na ruaj ti, o Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Porsi bebëzën e syrit na ruaj, o Zot.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Me fuqinë e krahut tënd, o Zot, rrëzoji princat prej froneve të tyre e lartësoji të përvuajturit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate; i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
Lutjet e besimtarëve
Me hare t’i lutemi Atit të amshuar, mirësia e të cilit është e pakufishme ndaj popullit të tij. Për këtë t’i brohorasim:
Le të gëzohen të gjithë ata që shpresojnë në ty!
O Zot, ti ke dërguar Birin tënd, jo për të gjykuar botën, por për ta shpëtuar përmes tij:
— bëj që vdekja e tij e lavdishme të sjellë fryte të shumta të jetës së amshuar.
Ti meshtarët e tu i ke bërë shërbëtorë të Krishtit dhe ndarës të mistereve të tua:
— jepu besnikëri, dituri dhe dashuri.
Ata që i ke thirrur në virgjëri për mbretërinë qiellore:
— bëj që me besnikëri të paluhatshme të shkojnë pas Birit tënd.
Ti në fillim krijove burrin dhe gruan:
— të gjitha familjet ruaji në dashuri dhe besnikëri të sinqertë.
Ti njeriun e ke liruar prej mëkateve me anën e flijimit të Krishtit:
— jepu të vdekurve faljen e mëkateve dhe paqen e lume.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, drejtoji veprat tona sipas vullnetit tënd, që në nder të emrit të Birit tënd të dashur, të bëhemi të pasur me vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.