Mbrëmësorja

5 shkurt, Shën Agata, virgjër dhe martire

 

MBRËMËSORJA

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Himni

 

   Bir i Virgjëreshës dhe krijues i Nënës,

   që zuri Virgjër dhe Virgjër lindi,

   ne këndojmë festën ngadhënjimtare të virgjërës:

   pranoje kushtin.

 

   Kjo vashë e jotja është dyfish fatlume,

   ndërsa u gëzua shumë që arriti të frenojë ndjenjën

   e brishtë të trupit, prapë me trup përshkoi

   botën e përgjakur.

 

   Prandaj as vdekjen dhe as mike e vdekjes,

   pa u trembur nga të tmerrshmet lloje të torturave,

   duke derdhur gjakun meritoi të ngjitet

   në qiell të shenjtë.

 

   Në fitore të saj, o Zot jetëdhënës, mëshirona

   për fajet tona, duke na i shkulur veset,

   edhe për ty ndër shekuj t’ushtojë himni

   i zemrës së pastër. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.

 

   Psalmi 116 /114/ (1-9)

 

E dua Zotin sepse e dëgjon *

   zërin e lutjes sime,

sepse mbi mua e priri veshin e vet *

   atë ditë që e thirra në ndihmë.

 

Më kishin rrethuar leqet e vdekjes, *

   më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës,

 

më ndrydhën trishtime e dhembje, †

   Emrin e Zotit e thirra në ndihmë: *

   »Deh, o Zot, ma shpëto jetën!«

 

I mirë e i drejtë është Zoti, *

   Hyji ynë është vetë mirësia!

Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve: *

   isha ngushtë e Ai më shpëtoi!

 

Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde, *

   sepse Zoti është bamirësi yt!

 

Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, †

   sytë e mi prej lotëve, *

   këmbët e mia prej rënies.

 

Do të eci në praninë e Zotit *

   në tokën e të gjallëve.

 

Ant. 1 Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.

 

Ant. 2 Kush do të më jetë shërbëtor besnik, Ati im do ta ngrisë në lavdi.

 

   Psalmi 116 /115/ (10-19)

 

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *

   »Jam i pafat për së tepërmi!«.

Në hutimin tim kam thënë: *

   »Rrenacak është çdo njeri!«

 

Si do t’ia shpërblej Zotit *

   për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit *

   e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij.

E çmueshme është para Zotit *

   vdekja e shenjtërve të tij.

 

O Zot, unë jam shërbëtori yt, †

   shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *

   Ti i këpute hekurat e mi:

 

ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *

   me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit, *

   midis teje, o Jerusalem!

 

Ant. 2 Kush do të më jetë shërbëtor besnik, Ati im do ta ngrisë në lavdi.

 

Ant. 3 Kush e humb jetën e vet për mua, do ta gjejë në amshim.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan, †

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit, †

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Ant. 3 Kush e humb jetën e vet për mua, do ta gjejë në amshim.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14

 

   Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na dhé fuqi.

   O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.

   D Ti na sprovove me flakë, sikurse argjendin,

   dhe na dhé fuqi.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. O Zot, Jezu Krisht, Mësues i mirë, nëpërmjet teje munda çdo torturë: bëj që unë të mbërrij në gëzimin tënd të pavdekshëm.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. O Zot, Jezu Krisht, Mësues i mirë, nëpërmjet teje munda çdo torturë: bëj që unë të mbërrij në gëzimin tënd të pavdekshëm.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritët atij lavdi i Kishës:

 

   Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

 

Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në fund,

    ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,

    ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,

    ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të qëndrojmë në fe,

    ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,

    ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na nxjerrtë, o Zot, faljen e mëkateve tona ndërmjetësia e shën Agatës, virgjër e martire; që shkëlqen në Kishën qoftë për qëndresën në martirizim qoftë me virgjërinë e pacenuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.