Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E hënë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Autori i madh i qiellit,

   që të mos trazojnë të përzierat

   ke ndarë rrjedhat e ujit,

   dhe cak i vure qiellit.

 

   Me qiellorë forcon vendin,

   në një kohë përrenjtë e tokës,

   që uji të zbusë flakët,

   të mos çajë truallin e tokës.

 

   Zbraz tash, o tejet i shenjti,

   dhuntinë e hirit të pashtershëm,

   të mos prishë gabimi i vjetër

   me raste mashtrimesh të reja.

 

   Besimi ta gjejë dritën,

   të sjellë llambën ndriçuese,

   të tmerrojë gjithë kotësitë,

   mos ta shtypë asnjë gënjeshtër.

 

   Shfaqe, o Atë krejt i shenjtë,

   Ti, o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   që mbretëron n’amshim. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.

 

   Psalmi 11 /10/ (1-7) Shpresa e të drejtit është në Zotin

 

   Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen (Mt 5, 6).

 

Jam ndore të Zotit!

   Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *

   »Fluturo si shpend në mal!

 

Ja, bakëqijtë harkun e shtrënguan, †

   mbi kordë shigjetën vendosën *

   për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.

 

Kur themelet janë të luhatura, *

   çfarë mund të bëjë i drejti?«

 

Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *

   Zoti fronin e ka në qiell.

Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *

   qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.

Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *

   ai e urren atë që e do paudhësinë.

 

Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *

   zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.

 

Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *

   të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.

 

Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.

 

   Psalmi 15 /14/ (1-5) Kush është i denjë të qëndrojë para Zotit?

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *

   Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

Vetëm ai që jeton me nder, *

   që vepron me drejtësi

 

e prej zemrës flet të vërtetën, *

   që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton, *

   që shokun nuk e çnderon:

 

ai që bakeqin e mban për asgjë *

   e i çmon ata që e druajnë Zotin,

 

ai që i përbehet dashamirit të vet

   dhe ia mban fjalën,

   nuk jep të holla me kamatë *

   e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

 

Kush vepron kështu *

   kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.

 

Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin që të jemi bij të tij.

 

   Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar

 

Qoftë bekuar Hyji.*

   Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

   në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

   para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

   para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

   të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

   me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nder të lavdisë së hirit të tij *

   me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

   e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

   me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

   bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

   mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

   qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

   të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësitë *

   që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ati na zgjodhi në Krishtin që të jemi bij të tij.

 

   Leximi i shkurtër Kol 1, 9b-11

 

   Fitoni me çdo urti e kuptim shpirtëror njohurinë e plotë të vullnetit të Hyjit, që të jetoni në mënyrë të denjë për Zotin dhe t'i pëlqeni Atij plotësisht, duke dhënë fryte veprash të mira dhe duke përparuar në njohurinë e Hyjit, që të forcuar me çdo fuqi si i përgjigjet pushtetit të Hyjnisë së tij, të jeni të fortë e të durueshëm në çdo provë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Më shëro, o Zot, * sepse kam mëkatuar kundër teje.

   Më shëro, o Zot, sepse kam mëkatuar kundër teje.

   D Unë thashë: Hyji im, ki mëshirë për mua,

   sepse kam mëkatuar kundër teje.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Më shëro, o Zot, sepse kam mëkatuar kundër teje.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Shpirti im e madhëron Zotin: sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Shpirti im e madhëron Zotin: sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyji u lidh me besëlidhje të amshuar me popullin e vet dhe pandërprerë e mbush atë me bekim. Ta falënderojmë dhe plot me shpresë t’i drejtohemi me lutje:

 

   Bekoje, o Zot, popullin tënd!

 

Shëlboje, o Zot, popullin tënd

dhe bekoje trashëgiminë tënde.

Bashkoi të gjithë ata që mburren me emrin e krishterë

që bota të besojë në Krishtin që na e dërgove.

Tregoju hirësinë tënde dashamirëve dhe të njohurve tanë

që të bëhen erë e këndshme e Krishtit.

Tregoju dashurinë tënde atyre që janë në shtratin e vdekjes

që sytë e tyre të shohin shëlbimin tënd.

Tregohu i mëshirshëm ndaj të vdekurve,

bashkoji me të gjithë ata që pushojnë në Krishtin.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Bëj, o Hyji i amshuar, që ne, shërbëtorët e tu, t’i gëzohemi vazhdimisht shëndetit të shpirtit e të trupit dhe me ndërmjetësinë e nderueshme të shën Marisë, përherë Virgjër, të lirohemi prej trishtimit të tanishëm e të shijojmë gëzimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.