Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E diele

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

Krijues i lartë i dritës,

që shfaq dritën e ditëve

që në zanafillë blaton burimin

e dritës së re të botës.

 

Që n’agim urdhëron ditën

t’ia lëshojë vendin mbrëmjes,

derdhet kaosi i zi,

lutjet me lot dëgjoji;

 

Mendja e rënduar nga krimi

të mos mbesë pa shpërblim të jetës,

ndërsa asgjë s’e mendon të përjetshme

veten e lidh pas fajesh.

 

Të trokasë në zemër të qiejve,

të nxjerrë çmimin jetëdhënës;

çdo dëmi le t’i shmangemi,

çdo ligësi të pastrojmë.

 

Na jep, o Atë plot drejtësi,

dhe o Bir baras me Atin,

me Shpirtin Ngushëllimtar

sundues ndër të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti do ta shtrijë pushtetin e vet mbi Sion, dhe do të mbretërojë për amshim, aleluja.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti do ta shtrijë pushtetin e vet mbi Sion, dhe do të mbretërojë për amshim, aleluja.

 

Ant. 2 U drodhën toka dhe deti para fytyrës së Zotit, aleluja.

 

   Psalmi 114 /113 A/ (1-8) Mrekullitë e daljes prej Egjiptit

 

   Ju të gjithë që e keni mohuar botën e së keqes, e keni bërë edhe ju daljen tuaj (Krh. shën Augustini).

 

Kur Izraeli doli nga Egjipti, *

   Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,

Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *

   Izraeli zotërimi i tij.

 

Pa deti dhe i bëri rrugë, *

   Jordani u kthye prapazi,

malet kërcyen si desh, *

   kodrat porsi qengja delesh!

 

Ç’ pate, o det, që ike? *

   E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?

Ju, o male, pse kërcyet si desh, *

   e ju, o kodra, porsi qengja delesh?

 

Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *

   para fytyrës së Hyjit të Jakobit,

që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *

   edhe qetën në burim uji të gjallë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 U drodhën toka dhe deti para fytyrës së Zotit, aleluja.

 

Ant. 3 Hyji mbretëron, le të gëzojë toka, aleluja, aleluja.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (aleluja).

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji mbretëron, le të gëzojë toka, aleluja, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-4

 

   Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C I bekuar je ti, o Zot, * në lartësitë e qiellit.

   I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.

   D Ty të qoftë nderi dhe lavdia në shekuj,

   në lartësitë e qiellit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   I bekuar je ti, o Zot, në lartësitë e qiellit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

    Ant. Ju, nxënësit e mi, jeni kripa e tokës dhe drita e botës.

 

    Viti B:

    Ant. Për këtë gjë erdha: që t’u predikoj të gjithëve lajmin e gëzuar të shëlbimit.

 

    Viti C:

    Ant. Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar. Mos ki frikë, Simon Pjetri: tash e tutje do të zësh njerëz.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

    Ant. Ju, nxënësit e mi, jeni kripa e tokës dhe drita e botës.

 

    Viti B:

    Ant. Për këtë gjë erdha: që t’u predikoj të gjithëve lajmin e gëzuar të shëlbimit.

 

    Viti C:

    Ant. Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar. Mos ki frikë, Simon Pjetri: tash e tutje do të zësh njerëz.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishti Zot është kryet, e ne jemi gjymtyrët e tij. Ta adhurojmë dhe t’i brohorasim me hare:

 

   O Zot, ardhtë mbretëria jote!

 

Shëlbuesi ynë, bëj që Kisha jote të jetë sakrament i gjallë dhe i efektshëm i bashkimit të njerëzimit

dhe mister shëlbimi për të gjithë njerëzit.

Ji gjithmonë afër kolegjiumit ipeshkvor bashkë me papën tonë E.,

dhe mblidhi në bashkim, dashuri dhe paqe.

Bëj që të gjithë të krishterët të bashkohen në mënyrë të ngushtë me Ty

dhe me dëshminë e jetës ta shpallin mbretërinë tënde.

Bëj që në mbarë botën të mbretërojë paqja

që kudo të lulëzojë jeta e sigurt dhe e qetë.

Të vdekurve jepu ngjalljen në jetën e pasosur

e bëj që edhe ne një ditë të jemi pjesëtarë të lumturisë së tyre.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ruaje, po të lutemi, o Zot, me dashuri të vazhdueshme këtë familje, dhe, pasi kjo mbështetet vetëm në shpresën e hirit tënd, ta gëzojë gjithherë ndihmën e mbrojtjes sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.