Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E mërkurë

 

Mbrëmësorja

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

   Himni

 

   Hyj i gjithë shenjti i qiellit,

   që të ndritshmen qendër të rruzullit

   hijeshon me shkëlqim zjarri

   stolis duke i shtuar dritat.

 

   Të katërtën ditë vendose

   diskun e zjarrtë të diellit,

   e i jep rendit të hënës

   kthimet shëtitëse t’yjeve,

 

   Që netëve a ditës

   t’u jepje kufij ndarjeje,

   e në fillime të muajve

   shenjën tepër të njohur.

 

   Ndriço zemrën e njerëzve,

   fshiji ndyrësitë e mendjeve,

   zgjidhi prangat e fajeve

   shkuli ledhet e krimeve.

 

   Bëj, o Atë tërë i drejti,

   dhe o Bir, baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

   Psalmi 27 /26/ I (1-6) Shpresa në Hyjin në rast rreziku

 

   Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *

   kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *

   para kujt do të dridhem?

 

Kur më sulen bakëqijtë *

   për të më ngrënë gjallë,

kundërshtarëve e armiqve të mi, *

   ora u liget dhe rrëzohen.

 

Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *

   kundër meje: zemra nuk më trembet,

le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *

   edhe atëherë jam plot shpresë.

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *

   vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *

   të gjitha ditët e jetës sime,

 

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *

   e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Zoti më fsheh në tendën e vet †

   në ditë të vështirë, *

   më strehon në vend të fshehtë.

 

E tani e lartësoj kryet *

   mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,

në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *

   do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

   Psalmi 27 /26/ II (7-14) Lutja e të pafajshmit të përndjekur

 

   Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër Jezusit (Mk 14, 57).

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *

   ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!« *

   »Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.«

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *

   mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *

   mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

 

Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *

   por Zoti më mori ndore.

 

Ma trego, o Zot, udhën tënde †

   dhe më drejto shtegut të drejtë *

   për shkak të armiqve të mi!

 

Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †

   sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *

   të cilët shfryjnë dhunë.

 

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *

   në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *

   Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë, qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër Jak 1, 22. 25

 

   Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë - e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do të gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Zot, shpëtimi im, * ki mëshirë për mua.

   O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.

   D Mos më braktis me mëkatarët,

   ki mëshirë për mua.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Zot, shpëtimi im, ki mëshirë për mua.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm, i shenjtë është Emri i tij.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm, i shenjtë është Emri i tij.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Qoftë lëvduar në çdo gjë emri i Zotit, i cili e mbush popullin e vet me dashurinë e tij të pamasë. T’ia drejtojmë, pra, lutjen tonë duke brohoritur:

 

   O Zot, tregoje dashurinë tënde mbi ne!

 

Të bjerë në mend, o Zot, për Kishën tënde:

ruaje prej çdo të keqeje dhe bëje të përsosur në dashurinë tënde.

Bëj që të gjithë popujt të të njohin Ty, një të vetmin Zot,

dhe Jezu Krishtin, të cilin ti e dërgove.

Të afërmit tanë mbuloji me çdo të mirë:

jepu bekimin dhe jetën e amshuar.

Lehtësoje barrën e të gjithë atyre që mundohen me punë të rënda,

mbroje denjësinë e të gjithë atyre që janë të përbuzur dhe të lënë pas dore.

Hape derën e mëshirës sate për të gjithë ata që vdiqën sot

pranoji me mirësi në mbretërinë tënde.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burimi i çdo të mire, po të lutemi me përvujtëri: na frymëzo mendime të drejta dhe na ndihmo t’i fusim në veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.