Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   Hyj i fuqisë së madhe,

   qeniet lindur nga ujërat

   pjesërisht i ktheve në vorbull,

   pjesërisht në ajër i nxore.

 

   N’ujë duke lënë të zhyturat

   nën qiell duke vendosur të nxjerrat,

   që të dala nga një trung,

   të mbushin vende të ndryshme.

 

   Dhuroju të gjithë skllevërve,

   që i pastron vala e gjakut,

   të mos dinë gabime krimesh,

   të mos mbajnë mërzi vdekjeje.

 

   Që askënd të mos mposhtë faji,

   askënd të mos prishë vetëmburrja,

   të mos bjerë mendja e çartur,

   të mos e rrëzojë mendja e madhe.

 

   Bëj, o Atë tërë i shenjti,

   dhe, o Bir, baras me Atin

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues për gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove, do të të lavdëroj përgjithmonë.

 

   Psalmi 30 /29/ (2-13) Falënderim për shpëtim nga vdekja

 

   Krishti e falënderon Atin për ringjalljen e tij të lavdishme (Cassiano).

 

Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove *

   e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.

O Zot, Hyji im, *

   unë të thirra e ti më shërove,

 

ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, *

   më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

 

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, *

   falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!

Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij *

   e tërë jetën dashamirësia e tij!

 

Mbrëmja vjen me lot, *

   e mëngjesi plot hare!

 

Kur nuk më mungonte gjë, thosha: *

   »Askurrë s’do të trandem!«

 

Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, *

   porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem.

 

Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, *

   i lutesha Hyjit tim.

 

Ç’dobi nga gjaku im *

   në qoftë se zbres në shkatërrim?

A thua do të të lavdërojë pluhuri, *

   e do ta kumtojë besnikërinë tënde?

 

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, *

   Zoti u bë ndihmëtari im.

 

Ti vajin ma ktheve në valle, *

   ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare,

që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: *

   »O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove, do të të lavdëroj përgjithmonë.

 

Ant. 2 Lum ai njeri të cilit Zoti ia fal mëkatin.

 

   Psalmi 32 /31/ (1-11) Falënderim për faljen e mëkateve

 

   Davidi e shpall të lumtur atë njeri të cilin Hyji e bën të drejtë pavarësisht nga veprat (Rom 4, 6).

 

Lum ai që iu fal mëkati, *

   që iu mbulua faji!

Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, *

   në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.

 

Pse heshta, eshtrat m’u kalbën *

   prej dënesës së vazhdueshme,

sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, *

   fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës.

 

Atëherë ta dëftova mëkatin tim, *

   fajin tim më nuk e fsheha.

Thashë: »Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,« *

   e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

 

Prandaj le të lutet çdo besimtar *

   në kohë të përshtatshme,

kur të vërshojnë ujërat e shumta, *

   atë s’do ta zënë.

 

Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, *

   do të më rrethosh me këngë gëzimi.

 

Do të të bëj të dijshëm,

   do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, *

   sytë e mi do t’i përqendroj mbi ty.

 

Mos u bëni si kali e mushku

   që nuk kanë mend. †

   Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, *

   përndryshe s’do të afroheshin te ti.

 

Shumë vështirësi e rrethojnë bakeqin, *

   atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.

Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, *

   brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai njeri të cilit Zoti ia fal mëkatin.

 

Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj, Zotëruesi i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj, Zotëruesi i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 6-9

 

   Gëzoheni edhe qoftë se duhet, për pak kohë të jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit: Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Ti na ushqen, o Zot, * me më të mirin grurë.

   Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.

   D Na ngin me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi,

   me më të mirin grurë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Ti na ushqen, o Zot, me më të mirin grurë.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvuajturit.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvuajturit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta lavdërojmë Hyjin, ndihmën dhe sigurinë e shpresës sonë dhe ta thërrasim në ndihmë duke thënë me përshpirtëri:

 

   Shikoji, o Zot, bijtë e tu!

 

O Zot, Hyji ynë, me popullin tënd ti e ke bërë Besëlidhjen e amshuar:

bëj që gjithmonë të na bien në mend veprat e tua të mrekullueshme.

Bëji të gjithë meshtarët të përkryer në dashurinë tënde,

e besimtarët e tu ruaji përherë në njësinë e shpirtit dhe në paqen e vërtetë.

Bëj ta ndërtojmë qytetin tonë tokësor bashkë me ty

që të mos punojmë kot.

Dërgo punëtorë në të korrat e tua

ta madhërojnë emrin tënd ndër popuj.

Bëj që të afërmit dhe bamirësit tanë të bashkohen me shenjtërit e tu

e që një ditë të gjendemi së bashku me të lumturit në mbretërinë e amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, që e ndriçon natën dhe pas errësirës botës ia jep dritën, na ruaj në këtë natë prej pritave të armikut që, me ditën e re të mund t’i këndojmë lavdet e tua. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.