Mbrëmësorja

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Zot, krijuesi i njeriut,

   që vendos çdo gjë vetëm,

   u jep urdhër të prodhojë dheut,

   zvarranikëve e llojeve t’egra.

 

   Që trupa të mëdhenj sendesh

   të gjallë me gojë t’urdhëruesit,

   që t’i shërbejmë me rregull

   ia dhe njeriut me urdhër.

 

   Mbaj larg shërbëtorëve të tu

   çdo gjë të papastri,

   ja tu nënshtrohet ligjeve,

   ja të futet në vepra të mira.

 

   Jep çmimet e gëzimeve

   jep shpërblimet e hireve,

   zgjidhi prangat e grindjes,

   forco lidhjet e paqes.

 

   Bëj, o Atë krejt i drejti,

   dhe o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   sundues në të gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.

 

   Psalmi 41 /40/ (2-14) Urata e të sëmurit

 

   Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: 'njëri që po ha me mua' (Krh. Mk 14, 18).

 

I lumi ai që e kujton nevojtarin: *

   në ditë të vështirë Zoti do ta shpëtojë.

 

Zoti do ta ruajë, do ta kërthndez në jetë, †

   të lum do ta bëjë mbi tokë *

   dhe s’do ta lëshojë në duar të armiqve të vet.

 

Zoti do t’i çojë ndihmë mbi shtratin e dhembjeve të tij: *

   do ta përtërish në sëmundjen e tij.

 

Unë thashë: »Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje.«

Armiqtë e mi flasin keq për mua: *

   »Kur do të vdesë e do t’i harrohet emri?«

 

Po edhe nëse vjen kush të më shohë, flet kotësi, *

   në zemër mbledh paudhësi, del përjashta e më vë në lojë.

 

Të gjithë armiqtë e mi pëshpëritin kundër meje së bashku *

   e ma mendojnë të keqen:

»Lëngatë e madhe e ka kapur! *

   Kë kap kjo sëmundje ai më nuk çohet!«

Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, *

   që hëngri bukën time, u çua kundër meje.

 

Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua, *

   më shëro dhe unë do t’ua kthej huan!

Me këtë do ta marr vesh se më do *

   nëse nuk lejon të ngihet armiku im në mua,

 

e ma ngjet dorën për shkak të pafajësisë sime *

   dhe më lejon të rri në praninë tënde për amshim.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   prej amshimit në amshim. Amen. Amen.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ma shëro shpirtin, o Zot, sepse mëkatova kundër teje.

 

Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.

 

   Psalmi 46 /45/ (2-12) Zoti është strehimi dhe fuqia e popullit të vet

 

   Do t'ia ngjisin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne! (Mt 1, 23).

 

Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *

   ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.

 

Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *

   dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!

Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *

   le të dridhen malet në furinë e tij!

 

Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *

   tendat e shenjta të të Lartit Zot.

 

Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *

   Hyji i ndihmon herët në agim.

Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *

   bubulloi Zoti, toka u shkri!

 

Zoti i Ushtrive është me ne, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit!

 

Ejani e shikoni veprat e Zotit *

   - mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!

 

Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †

   do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *

   mburojat në zjarr do t’i djegë.

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *

   i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!

 

Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *

   strehimi ynë, Hyji i Jakobit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji i gjithësisë është me ne, strehim dhe shëlbim është Zoti ynë.

 

Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

   Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi

 

Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua,

   o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *

   Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,

   o Mbreti i popujve!

 

Kush të mos të druaj ty, o Zot,

   dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *

   Ti i vetmi je Shenjti!

 

Të gjitha kombet do të vijnë

   dhe do të adhurojnë para Teje, *

   sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Të gjitha kombet do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

   Leximi i shkurtër Rom 15, 1-3

 

   Ne që jemi të fortë e kemi për detyrë t'i mbartim të metat e të ligshtëve e jo të kërkojmë çka neve na pëlqen. Secili prej nesh të mundohet t'i pëlqejë të afërmit të vet, për të mirën e tij, që të përparojë në fe, sepse as Krishti nuk kërkoi t'i pëlqejë vetvetes, por, sikurse është në Shkrim shenjt: 'Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.' (Ps 68 /67/, 10).

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Krishti na do, * ai na liroi me gjakun e vet.

   Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.

   D Na bëri mbretëri, dhe meshtarë për Hyjin tonë,

   ai na liroi me gjakun e vet.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Krishti na do, ai na liroi me gjakun e vet.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet duke sjellë ndër mend mëshirën.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti u ndihmoi bijve të vet duke sjellë ndër mend mëshirën.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Bekuar qoftë Hyji, që me mirësi i plotëson dëshirat e skamnorëve dhe të uriturit i mbush me të mira. Ta thërrasim plot me shpresë:

 

   Na e trego, o Zot, mëshirën tënde!

 

O Atë i dhimbshëm, të lutemi për anëtarët e Kishës, të cilët vuajnë, udhëheqës i të cilëve është Krishti i kryqëzuar,

bëj që ta kushtojnë flinë e mbrëmjes.

Liroji të burgosurit, kthejua dritën e syve të verbërve,

rri afër vejushave dhe skamnorëve.

Jepu besimtarëve të tu fuqinë e nevojshme,

që të mund t’i përballojnë sulmet e të Keqit.

Me mirësinë tënde rri afër nesh kur të gjendemi në çastin e vdekjes:

bëj të qëndrojmë besnikë ndaj teje dhe të kalojmë në paqe prej kësaj bote.

Priju të vdekurve në dritën ku banon ti

që ta shikojnë përgjithmonë fytyrën tënde.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na e jep shëlbimin dhe na dhuron bijësinë në shpirt; shiko me mirësi bijtë e dashurisë sate, të cilët besojnë në Krishtin, e na jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.