Mbrëmësorja
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E diel
Mbrëmësorja II
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O dritë, Trinia e lumnueshme
dhe Njënia kryesore,
tani dielli i zjarrtë tërhiqet:
derdhe ndër zemra dritën.
N’mëngjes me kangë të lavdeve,
e n’mbrëmje ty të lutemi;
lumnia jonë ty lutëse
lavdroftë nëpër gjithë shekujt.
Krishtin dhe Atin lusim,
t’Krishtit dhe t’Atit Shpirtin;
Trini e fuqishme s’bashku
për t’gjitha ndiz të lutemi. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Meshtar për amshim është Krishti Zot, aleluja.
Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar
Duhet që Ai të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1Kor 15, 25).
I tha Zoti Zotit tim: *
»Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
shtrojë për këmbët e tua!«
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet *
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.«
Zoti është në të djathtën tënde, *
i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
prandaj lart do ta ngrejë kokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Meshtar për amshim është Krishti Zot, aleluja.
Ant. 2 Hyji ynë është në qiell, ai bën gjithçka me fjalën e tij, aleluja.
Psalmi 115 /114 B/ (1-18) Lavdi të vetmit Hyj të vërtetë
Ju u kthyet kah Hyji nga idhujt që t'i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë (1 Sel 1, 9).
Jo neve, o Zot, jo neve, †
por Emrit tënd jepi lavdi *
për nder të mëshirës sate e të besnikërisë sate.
Pse të thonë paganët: *
»Ku është Hyji i tyre?«
Hyji ynë është në qiell, *
ai bën gjithçka i pëlqen.
Idhujt e paganëve janë argjend e ar *
- prodhim i dorës së njeriut.
Gojë kanë e nuk flasin, *
sy kanë e nuk shohin,
veshë kanë e nuk dëgjojnë, *
hundë kanë e nuk nuhasin.
Duar kanë e nuk prekin, †
këmbë kanë e nuk ecin, *
- zë nuk qesin prej gurmazit të tyre!
Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, *
të gjithë ata që shpresojnë në ta!
Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin: *
Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.
Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin: *
Ai është ndihma dhe mburoja e tyre!
Kush e druan Zotin në Zotin shpreson: *
Ai është ndihma e mburoja e tij!
Zotit i bie ndër mend për ne
e do të na bekojë: †
do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, *
do ta bekojë shtëpinë e Aronit;
do t’i bekojë të gjithë ata që e druajnë Zotin, *
si të vegjlit ashtu të mëdhenjtë.
Bëftë Zoti e u shumofshi *
ju vetë e fëmijët tuaj!
Ju bekoftë Zoti, *
Krijuesi i qiellit e i Tokës!
Qielli është qielli i Zotit, *
kurse Tokën ua dhuroi njerëzve.
Jo, nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë, o Zot, *
dhe asnjë prej atyre që zbresin në Heshtim,
por ne që jetojmë, ne e bekojmë Zotin *
tani e përgjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji ynë është në qiell, ai bën gjithçka me fjalën e tij, aleluja.
Ant. 3 Shërbëtorë të Zotit, të vegjël e të mëdhenj, lavdërojeni emrin e tij, aleluja.
Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shërbëtorë të Zotit, të vegjël e të mëdhenj, lavdërojeni emrin e tij, aleluja.
Leximi i shkurtër 2 Sel 2, 13-14
Neve na duhet t'i falënderohemi gjithmonë Hyjit për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, sepse Hyji ju zgjodhi qysh prej fillimit për shëlbim që fitohet me anë të veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt dhe të fesë së vërtetë, në të cilën ju grishi me anë të Ungjillit tonë ‑ që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti është i madh,
* e madhërueshme është fuqia e tij.
Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.
D Urtia e tij nuk ka kufi,
e madhërueshme është fuqia e tij.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti është i madh, e madhërueshme është fuqia e tij.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Viti A:
Ant. Ai që do t’i mbajë e do t’i mësojë urdhërimet e mia do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Viti B:
Ant. I gërbuluri i shëruar i shpallte para të gjithëve mrekullitë e Zotit.
Viti C:
Ant. Të lumët ju, kur do t’ju poshtërojnë për shkak të Birit të njeriut. Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Viti A:
Ant. Ai që do t’i mbajë e do t’i mësojë urdhërimet e mia do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Viti B:
Ant. I gërbuluri i shëruar i shpallte para të gjithëve mrekullitë e Zotit.
Viti C:
Ant. Të lumët ju, kur do t’ju poshtërojnë për shkak të Birit të njeriut. Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.
Lavdi Krishtit, që jeton në amshim dhe ndërmjetëson për shëlbimin e atyre që në emër të tij i afrohen Atit. Të frymëzuar nga kjo shpresë, t’i drejtohemi Shëlbuesit tonë:
Le të të bjerë në mend, o Zot, për popullin tënd!
O Jezus, dielli i drejtësisë, në perëndim të diellit po të lutemi për të gjithë njerëzit në botë,
— le të gëzohen përgjithmonë, ty diellit, që kurrë nuk perëndon.
Ruaje besëlidhjen, të cilën e ke vulosur me gjakun tënd hyjnor,
— dhe shenjtëroje Kishën tënde, që të jetë e papërlyer.
Le të bjerë në mend, o Zot, për bashkësinë që të është kushtuar ty,
— le të jetë ajo banesa e lavdisë sate.
Në rrugën e paqes dhe të lumturisë drejtoji të gjithë udhëtarët,
— që shëndosh e mirë t’ia arrijnë cakut të dëshiruar.
Pranoji, o Zot, shpirtrat e të vdekurve,
— jepu pushimin, faljen e mëkateve dhe jetën e amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti vetë thua se banon në zemrat e të drejtëve dhe të mirëve, bëj, po të lutemi, të jemi të tillë me hire të tua, që njëmend të mund të banosh ndër ne. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.