Mbrëmësorja
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E martë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Krijuesi e princi i kohrave,
që me rregull t’qëndrueshëm
dallon ditën e ndriçme
me punë nga nata e përgjumur.
Drejto mendjen e pastër,
që errësitë e heshtura
ndër plagë të egra t’zemrës
smirëzezë nga shgjetat mos të hapen.
T’rrijnë larg parzmat nga epshet
dhe asnjë pishtarë mos t’hapet
që para nesh të shuar
t’vrasin fuqinë e mendjes.
Bëj, o Atë tërë i drejti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushllimtar
sundues për gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.
Psalmi 49 /48/ Pasuria s’është asgjë
Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).
I (1-13)
Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
vegjëli e bujarë, *
të pasur e të vobektë së bashku:
goja ime do t’ju shpallë dijen, *
zemra ime mendime urtësie.
Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *
me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.
Përse të trembem në ditë të këqija, *
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
Ata shpresojnë në pasuritë e veta *
mburren me kamjen e madhe të veten.
E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *
dhe askurrë nuk mund të paguhet,
që njeriu të jetojë gjithmonë *
e të mos e shohë gropën e varrit.
Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †
vdes i marri, vdes i patenzoni: *
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: †
banesë e tyre brezni pas breznie, *
megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.
Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †
krahasohet me kafshët që cofin *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
II (14-21) Pasuria njerëzore nuk shpëton
I marrë... ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?' Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).
I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *
Vdekjen do ta kenë bari.
Do të zbresin me rrëmbim në varr, †
duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
Mos u tut kur ndokush pasurohet, *
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *
me të s’do të zbresë pasuria e tij.
Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *
»Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,
por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †
krahasohet me kafshët që theren, *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bashkojini visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.
Leximi i shkurtër Rom 3, 23-25a
Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. Atë Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet.
Përgjigjja e shkurtër
C Ti më mbush me gëzim, o Zot, * në praninë tënde.
Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.
D Festë që nuk mbaron,
në praninë tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Ti më mbush me gëzim, o Zot, në praninë tënde.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate; i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvuajturit.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na e trego, o Zot, madhërinë e dashurisë sate; i gjithëpushtetshëm e i shenjtë është Emri yt.
Lutjet e besimtarëve
T’i japim lavdi Krishtit, bariut dhe prijësit të shpirtrave tanë, sepse ai e ka për zemër dhe e mbron popullin e vet. Ta mbështesim në të shpresën tonë dhe t’i lutemi:
Mbroje, o Zot, popullin tënd!
Bari i amshuar, mbroje ipeshkvin tonë E.
— dhe të gjithë barinjtë e Kishës sate.
Shikoji me mirësi ata që vuajnë për shkak të salvimit,
— liroji sa më shpejt prej ngushticave të tyre.
Ki mëshirë, o Zot, për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë
— jepu ushqimin të uriturve.
Shndriti kuvendet ligjdhënëse,
— ta përkrahin të drejtën dhe drejtësinë.
Le të të bien në mend të vdekurit, të cilët i ke shpërblyer me gjakun tënd:
— pranoji në dasmën e jetës së amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Na priftë, o Zot, dhe na përcjelltë përherë hiri yt, dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.