Mbrëmësorja

e diela parë e Kreshmëve

 

    Java I e Psalterit

 

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Dëgjo, o Krijues dashamirës,

   me lot po të lutemi,

   ndër agjërime të shenjta

   ke themeluar kreshmët.

 

   Gjurmues hyjnor i zemrave,

   që njeh dobësitë e forcave;

   atyre që kah ti kthehen

   jepu hirin e faljes.

 

   Vërtet kemi bërë shumë mëkate,

   të penduarve jepu mëshirimin,

   e me lavd të emrit tënd

   të dobëtve jepu shërimin.

 

   Kështu trupin jashtë dërrmoje

   nënshtroja agjërimeve,

   dhe mendja e përkorë

   t’i shmanget njollës së fajeve.

 

   Ndihmo, Trini e lume,

   na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti frenimi. Amen.

 

Ant. 1 Të përvuajtur dhe të penduar na prano, o Zot: le të të pëlqejë flija e jonë që sot po e paraqesim para teje.

 

   Psalmi 141 /140/ (1-9) Lutja në rrezik

 

   Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve (Zb 8, 4).

 

O Zot, klitha drejt teje, eja me të shpejtë tek unë! *

   Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!

U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, *

   lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.

 

Vërja rojën, o Zot, gojës sime, *

   edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.

 

Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija †

   për të sendërtuar punë të liga me njerëz të paudhë *

   që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.

 

Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë,

   le të më qortojë, †

   por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, *

   por paça uratën përballë mbrapshtisë së tyre!

 

Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre *

   do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.

 

Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë *

   shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!

 

Tek ti, o Zot, o Zot, janë sytë e mi, *

   ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.

Më ruaj prej grackës që ma kanë ngrehur, *

   prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Doksologjia Lavdi Atit ... thuhet në fund të çdo psalmi dhe kënge me përjashtim të ndonjë udhëzimi tjetër.

 

Ant. 1 Të përvuajtur dhe të penduar na prano, o Zot: le të të pëlqejë flija e jonë që sot po e paraqesim para teje.

 

Ant. 2 Në atë ditë do të thërrasësh, dhe Zoti ka për të dëgjuar; ke për të bërtitur, dhe do të përgjigjet: Ja ku jam.

 

   Psalmi 142 /141/ (2-8) Ti je strehimi im

 

   Krishti në mundim e thërret Atin: “Abbà, Atë! Largoje prej meje këtë gotë...” (Mk 14, 36) dhe e kërkon ringjalljen mbi të cilën Kisha e shenjtërve e rrënjos fenë e saj. (Krh. Cassiodoro)

 

Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, *

   me sa zë kam Zotin e përbej,

para tij zhgrehem në vajtimin tim, *

   para tij e qes shtrëngimin tim.

 

Megjithëse shpirti im po meket në mua, *

   ti e njeh udhën time.

Udhës nga më duhej të kaloja *

   ma ngrehën grackën.

 

Shikoja djathtas e shihja: *

   s’ ishte askush që të më njohë!

Askund shteg shpëtimi *

   dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time!

 

Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, †

   e thashë: »Ti je strehimi im, *

   ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve.

 

Vështroji britmat e mia, *

   sepse jam përvujtëruar për së tepërmi.

Më liro prej salvuesve të mi, *

   sepse janë më të fortë se unë.

 

Nxirre shpirtin tim prej rrethimit *

   që ta lavdëroj Emrin tënd.

Rreth meje do të bashkohen të drejtët *

   nëse mirësisht do të kujdesesh për mua.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në atë ditë do të thërrasësh, dhe Zoti ka për të dëgjuar; ke për të bërtitur, dhe do të përgjigjet: Ja ku jam.

 

Ant. 3 Krishti, i drejti, i vdekur për ne na rikthen tek Hyji; i vrarë në mish, jeton në shpirt.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Krishti, i drejti, i vdekur për ne na rikthen tek Hyji; i vrarë në mish, jeton në shpirt.

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 6, 1-4a

 

   Vëllezër ne ju qortojmë: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit! Ai thotë: 'Në kohë të volitshme të vështrova, në ditë të shpëtimit të ndihmova.' Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!

   Ne nuk i japim askujt shkandull në mënyrë që të mos poshtërohet shërbesa jonë. Përkundrazi, në çdo gjë e dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Tani është çasti i volitshëm,

   * tani është dita e shpëtimit.

   Tani është çasti i volitshëm,

   tani është dita e shpëtimit.

   D Mos të jetë kot për ju, hiri i Zotit:

   tani është dita e shpëtimit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Tani është çasti i volitshëm,

   tani është dita e shpëtimit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Jezu Krishti është mësuesi ynë, Ai është vëllai ynë. Atij t'i japim lavdinë e duhur dhe ta lusim përzemërsisht:

 

   O Hyj, ringjalle popullin tënd.

 

O Krisht, je bërë i ngjashëm me ne në gjithçka përveç në mëkat

    bëj që të gëzohemi me ata që gëzohen e të qajmë me ata që qajnë, në mënyrë që dashuria e jonë çdo ditë e më tepër të rritet e të forcohet.

Bëj që Ty të uriturit, të shërbejmë ndër vëllezër të uritur

    dhe Ty të etshmit, të shërbejmë ndër vëllezër të etshëm.

Ti ringjalle Lazrin nga gjumi i vdekjes

    bëj që ata që kanë vdekur për shkak të mëkatit, me fe dhe me pendesë të kthehen në jetë.

Bëj që sa më shumë njerëz të shkojnë pas Teje me gatishmëri

    sipas shembullit të Virgjërës Mari dhe shenjtërve.

Bëj që të vdekurit të ngjallen në lumturinë tënde

    dhe dashurinë tënde ta gëzojnë gjithmonë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.