Mbrëmësorja

Java e parë e kreshmëve - E hënë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.

 

   Psalmi 11 /10/ (1-7) Shpresa e të drejtit është në Zotin

 

   Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen(Mt 5, 6).

 

Jam ndore të Zotit!

   Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *

   »Fluturo si shpend në mal!

 

Ja, keqbërësit harkun e shtrënguan, †

   mbi kordë shigjetën vendosën *

   për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.

 

Kur themelet janë të luhatura, *

   çfarë mund të bëjë i drejti?«

 

Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *

   Zoti fronin e ka në qiell.

 

Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *

   qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.

Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *

   ai e urren atë që e do paudhësinë.

 

Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *

   zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.

 

Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *

   të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.

 

Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.

 

   Psalmi 15 /14/ (1-5) Kush është i denjë të qëndrojë para Zotit?

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *

   Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

Vetëm ai që jeton me nder, *

   që vepron me drejtësi

 

e prej zemrës flet të vërtetën, *

   që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton, *

   që shokun nuk e çnderon:

 

ai që bakeqin e mban për asgjë *

   e i çmon ata që e druajnë Zotin,

 

ai që i përbehet dashamirit të vet

   dhe ia mban fjalën,

   nuk jep të holla me kamatë *

   e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

 

Kush vepron kështu *

   kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.

 

Ant. 3 Në Krishtin Ati na zgjodhi që të jemi bijtë e tij.

 

   Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar

 

Qoftë bekuar Hyji.*

   Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

   në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

   para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

   para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

   të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

   me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nderë të lavdisë së hirit të tij *

   me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

   e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

   me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

   bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

   mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

   qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

   të vërë çdo gjë

   nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësit *

   që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Në Krishtin Ati na zgjodhi që të jemi bijtë e tij.

 

   Leximi i shkurtër Rom 12, 1-2

 

   Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit ‑ porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Do të paraqes fli drejtësie, * do ta shoh dritën e fytyrës sate.

   Do të paraqes fli drejtësie, do ta shoh dritën e fytyrës sate.

   D Shpresoj në ty, o Zot:

   do ta shoh dritën e fytyrës sate.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Do të paraqes fli drejtësie, do ta shoh dritën e fytyrës sate.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Çfarëdo bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua, thotë Zoti.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Çfarëdo bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua, thotë Zoti.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i drejtohemi me shpresë Jezu Krisht, Zotit tonë, i cili neve, popullin e vet, na ka shëlbuar nga mëkatet tona:

 

   O Jezu Krisht, biri i Davidit, ki mëshirë për ne.

 

Të lutemi, o Zot, për Kishën tënde, për të cilën Ti je flijuar dhe të cilën e ke larë dhe shuguruar në ujin e fjalës së jetës

përherë përtërije dhe pastroje me pendesë të qëndrueshme.

Mësues i mirë, tregojua të rinjve rrugën të cilën secilit ua ke caktuar

që të shkojnë asaj rruge dhe në të të gjejnë shpëtimin.

Ti ke pasur mëshirë gjithmonë për të varfrit, zgjoje shpresën e të sëmurëve dhe shëroji nga sëmundjet e tyre

por bëj që edhe ne të kemi më shumë kujdes për ta.

Bëj që të jemi të vetëdijshëm për dinjitetin tonë që na e ke dhënë me pagëzim

që të jetojmë vetëm për Ty.

Jepua paqen dhe lumturinë të vdekurve

dhe neve bashkë me ta na e bëj të mundshme të mbretërojmë në lumturi.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Na kthe kah ti, o Zot, Shëlbuesi ynë, dhe me dijen qiellore na mëso, që vepra pendestare e Kreshmëve të na vlejë për shpirt. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.