Mbrëmësorja

   Java e parë e kreshmëve - E martë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.

 

   Psalmi 20 /19/ (2-10) Lutje për fitoren e Mbretit-Mesi

 

   Kushdo ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit, do të shëlbohet (Vap 2, 21).

 

Të dëgjoftë Zoti në ditë të vështirë, *

   zot të daltë Emri i Hyjit të Jakobit!

Ta çoftë ndihmën prej Shenjtërores *

   e të mbroftë nga Sioni!

 

i rëntë në mend për të gjitha flitë e tua, *

   u kënaqtë në flinë tënde të shkrumbimit!

I plotësoftë të gjitha dëshirat e tua, *

   i çoftë në vend të gjitha synimet e tua!

 

U gëzofshim për ngadhënjimin tënd, †

   lart i ngritshim flamujt për nder të Emrit të Hyjit! *

   I plotësoftë Zoti të gjitha kërkesat e tua!

 

Tani po e di se Zoti e shpëton të shuguruarin e vet, †

   e dëgjon nga qielli i vet i shenjtë *

   me fuqi ngadhënjyese të së djathtës së vet.

Disa mburren me qerre e disa me kuaj: *

   ne në Emër të Zotit, Hyjit tonë, jemi të fortë.

Ata rrëshqitën dhe u rrëzuan, *

   ne qëndrojmë drejt, të pathyeshëm.

 

O Zot, shpëtoje mbretin tonë, *

   na dëgjo kur të të thërrasim në ndihmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Lartësoje, o Zot, Krishtin tënd dhe ne do t’i këndojmë ngadhënjimit tënd.

 

Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.

 

   Psalmi 21 /20/ (2-8. 4) Falënderim për fitoren e Mbretit-Mesi

 

   Në ringjallje e pranoi jetën dhe lavdinë për të gjithë shekuj të shekujve (Shën Ireneu).

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

   plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

   nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

   mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

   ditë të shumta - në jetë të jetës.

 

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

   e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

   e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

   në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

   e ne do të këndojmë e do të vallëzojmë

   për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 I këndojmë këngë dhe himne pushtetit tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Na bëre, o Zot, një popull mbretërish dhe priftërinj për Hyjin tonë.

 

   Leximi i shkurtër Jak 2, 14. 17. 18b

 

   Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do të tregoj prej veprave të mia fenë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Jo ai që thotë: O Zot, o Zot, * do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.

   Jo ai që thotë: O Zot, o Zot, do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.

   D Por ai që kryen vullnetin e Atit tim

   do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Jo ai që thotë: O Zot, o Zot, do të hyjë në Mbretërinë e qiellit.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutu Atit tënd që është në fshehtësi.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutu Atit tënd që është në fshehtësi.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Zoti ynë Jezu Krishti na ka urdhëruar që të jetojmë në syçeltësi dhe të lutemi pandërprerë, që të mund t'u kundërvihemi tundimeve. Atij duhet t'i drejtohemi me lutjen e sinqertë:

 

   Shiko, o Zot, dhe ki mëshirë.

 

O Zot, Jezu Krisht, Ti na ke premtuar se do të jesh i pranishëm në mesin e atyre që do të mblidhen në emrin tënd

bëj që gjithmonë lutjet tona t'ia drejtojmë Atit nëpër Shpirtin Shenjt.

I fejuari qiellor, fshiji njollat nga fytyra e Kishës sate

mundësoja që përherë të udhëtojë e gërshetuar me shpresën dhe me fuqinë e Shpirtit Shenjt.

Dashamir i njerëzve, bëj që të brengosemi për fatin e të afërmit siç na ke urdhëruar Ti

në mënyrë që drita jote shpëtimsjellëse t'i ndriçojë sa më shumë të gjithë njerëzit.

Mbret paqedashës, bëj që fjala jote ta mbizotërojë botën

ashtu që prania jote shpëtimsjellëse të vërehet gjithkund.

Të gjithë të vdekurve mundësoju hyrjen në lumturinë e amshuar

ndriçoi me dritën e qëndrueshmërisë së lumtur.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Priri sytë e tu, o Zot, mbi familjen tënde, dhe bëj që ne, të cilët e ndëshkojmë trupin tonë me pendesë trupore, të ndizemi në dëshirë pas teje. Nëpër Zotin...

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.