Mbrëmësorja

Java e parë e kreshmëve - E mërkurë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,

   kë do të kem frikë?

 

   Psalmi 27 /26/ I (1-6) Shpresa në Hyjin në rast rreziku

 

   Ja Tenda e Hyjit me njerëz (Zb 21, 3).

 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *

   kë do të kem frikë?

Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *

   para kujt do të dridhem?

 

Kur më sulen keqbërësit *

   për të më ngrënë gjallë,

kundërshtarëve e armiqve të mi, *

   ora u liget dhe rrëzohen.

 

Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *

   kundër meje: zemra nuk më trembet,

le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *

   edhe atëherë jam plot shpresë.

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *

   vetëm atë ia kërkoj

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *

   të gjitha ditët e jetës sime,

 

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *

   e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

 

Zoti më fsheh në tendën e vet †

   në ditë të vështirë, *

   më strehon në vend të fshehtë.

 

E tani e lartësoj kryet *

   mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,

në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *

   do t’i këndoj Zotit këngë hareje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

   Psalmi 27 /26/ II (7-14) Lutja e të pafajshmit të përndjekur

 

   Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër Jezusit (Mk 14, 57).

 

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *

   ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: »Kërkojeni fytyrën time!« *

   »Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.«

 

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *

   mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *

   mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

 

Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *

   por Zoti më mori ndore.

 

Ma trego, o Zot, udhën tënde †

   dhe më drejto shtegut të drejtë *

   për shkak të armiqve të mi!

 

Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †

   sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *

   të cilët shfryjnë dhunë.

 

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *

   në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *

   Ji zemërfortë e prite Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fytyrën tënde, o Zot, unë e kërkoj, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

 

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër Rom 2, 9-10

 

   Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, sepse Hyji nuk i mban kujt krah.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Larg prej krenarëve është shpëtimi: * ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.

   Larg prej krenarëve është shpëtimi: ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.

   D Janë larg nga ligji yt,

   ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Larg prej krenarëve është shpëtimi: ata nuk e kërkojnë fytyrën tënde.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Tri ditë e tri net Jona mbeti në barkun e peshkut: kështu edhe Biri i njeriut do të mbetet në zemrën e tokës.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Tri ditë e tri net Jona mbeti në barkun e peshkut: kështu edhe Biri i njeriut do të mbetet në zemrën e tokës.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta madhërojmë dhe ta lavdërojmë Zotin e gjithëpushtetshëm. Ai di për çka ka nevojë populli i tij, mirëpo para së gjithash dëshiron të kujdesemi për Mbretërinë e tij. Prandaj t'i brohorisim:

 

   Ardhtë mbretëria jote dhe drejtësia e saj

 

O Atë i mirë, Ti e ke dërguar Krishtin, Birin tënd, që të bëhet bari i mirë i shpirtrave tanë, ndihmoju barinjve dhe popullit i cili iu është besuar, në mënyrë që populli të mos mbetet pa barinj

dhe populli t'i dëgjojë barinjtë e vet.

Nxiti të krishterët që me dashuri vëllazërore t'iu ndihmojnë të sëmurëve

dhe në këtë mënyrë t'i ndihmojnë vetë Birit tënd.

Bëj që edhe ata që ende nuk kanë besuar në Ungjillin tënd, të hyjnë në Kishën tënde

dhe ta ndërtojnë gjithnjë dashurinë e ndërsjelltë.

Neve mëkatarëve na e jep hirin tënd me të cilin mund të kërkojmë ndjesë për mëkatet tona

dhe të pajtohemi me Kishën tënde.

Bëj që të vdekurit të kalojnë në jetën e amshuar

dhe të banojnë përherë me Ty.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Zotin...

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.