Mbrëmësorja

Java e dytë e kreshmëve – e martë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.

 

   Psalmi 49 /48/ Pasuria s’është asgjë

 

   Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).

 

   I (1-13)

 

Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *

   dëgjoni të gjithë banorët e tokës:

vegjëli e bujarë, *

   të pasur e të vobektë së bashku:

 

goja ime do t’ju shpallë dijen, *

   zemra ime mendime urtësie.

Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *

   me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.

 

Përse të trembem në ditë të këqija, *

   kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?

Ata shpresojnë në pasuritë e veta *

   mburren me kamjen e madhe të veten.

E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *

   askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:

 

çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *

   dhe askurrë nuk mund të paguhet,

 

që njeriu të jetojë gjithmonë *

   e të mos e shohë gropën e varrit.

 

Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †

   vdes i marri, vdes i patenzoni: *

   të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!

 

Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: †

   banesë e tyre brezni pas breznie, *

   megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.

 

Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †

   krahasohet me kafshët që cofin *

   dhe është i ngjashëm me to.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe pasurisë, thotë Zoti.

 

Ant. 2 Bashkoni visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.

 

   II (14-21) Pasuria njerëzore nuk shpëton

 

   I marrë... ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?' Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).

 

I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *

   mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.

Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *

   Vdekjen do ta kenë bari.

 

Do të zbresin me rrëmbim në varr, †

   duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *

   Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.

 

Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *

   nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.

 

Mos u tut kur ndokush pasurohet, *

   kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:

kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *

   me të s’do të zbresë pasuria e tij.

 

Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *

   »Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,

 

por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *

   të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.

 

Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †

   krahasohet me kafshët që theren, *

   dhe është i ngjashëm me to.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bashkoni visaret tuaja në qiell, thotë Zoti.

 

Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdi ty, Qengj i prerë, ty nderi dhe pushteti në shekuj.

 

   Leximi i shkurtër Heb 4, 12-13

 

   Vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcën edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Dritë për hapat e mi * është fjala jote.

   Dritë për hapat e mi është fjala jote.

   D Dritë mbi udhën time,

   është fjala jote.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Dritë për hapat e mi është fjala jote.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Ju të gjithë jeni vëllezër: keni vetëm një Atë, që është në qiell: vetëm një është Mësuesi juaj, Krishti Jezus.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ju të gjithë jeni vëllezër: keni vetëm një Atë, që është në qiell: vetëm një është Mësuesi juaj, Krishti Jezus.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta madhërojmë Krishtin Zot i cili i ngritur në kryq të gjithë i afroi kah vetja. Me përshpirtëri t'i drejtohemi:

 

   O Zot, tërhiqi të gjithë njerëzit kah vetja

 

O Hyj, dritë e cila ndriçon nga misteri i kryqit le t'i tërheqë të gjithë

që të të njohin Ty, rrugën, të vërtetën dhe jetën.

Të gjithëve që kanë etje për Ty

jepua ujin e jetës që të mos kenë etje më.

Ndriçoji të gjithë ata që kultivojnë shkencën dhe mjeshtëritë e tjera

që t'i bëjnë njerëzit më të përshtatshëm për Mbretërinë tënde.

Ktheji të gjithë ata që për shkak të mëkateve apo shkandullit janë larguar prej meje

që të afrohen dhe të qëndrojmë përherë në dashurinë tënde.

Të gjithë të vdekurit tanë pranoi në lumturinë tënde

që të gëzohen përgjithmonë me të lumen Mari gjithmonë Virgjër dhe me të gjithë shenjtërit.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ruaje, po të lutemi, o Zot, Kishën tënde me mirësi të vazhdueshme, dhe, pasi njeriu pa ty është i luhatshëm, ruaje gjithmonë me ndihmën tënde nga rreziqet, dhe drejtoje kah shëlbimi. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.