Mbrëmësorja
Java e dytë e kreshmëve – e enjte
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Jezus, je themeluesi
i agjërimit të kreshmëve,
mëngjillet na i mësove
për shërim të mendjeve.
Bëju tashti krah Kishës,
pendesës qëndroji pranë,
shtrirë përdhe të lutemi
të falësh mëkatet tanë.
Ti fajet e ribëra
shlyeji me hirin tënd,
e rojën kah e ardhmja
me shumë butësi përdore.
Të shpërblyer nga veprat
vjetore të pendimit,
të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
të denja për kremtimin.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,
Me faljen tënde të përtërirë,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj: ti do ta sjellësh shëlbimin deri në fund të botës.
Psalmi 72 /71/ Pushteti i Mesisë
I hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrë (Mt 2, 11).
I (1-11)
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
Malet le t’i sjellin paqen popullit *
e kodrat drejtësinë.
Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †
do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *
do ta përulë shpifësin.
Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *
nga breznia në brezni.
Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *
porsi shiu që e lag tokën.
Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia *
dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
Do të sundojë prej detit në det, *
prej Lumit e deri në skajin e botës.
Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *
kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin, *
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Të vendosa si dritë për popuj: ti do ta sjellësh shëlbimin deri në fund të botës.
Ant. 2 Zoti do t’ua bëjë të drejtën të varfërve: ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.
Psalmi 72 /71/ II (12-19) Mbretëria e paqes dhe e bekimit
Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin (Mk 16, 15).
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *
gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.
Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †
gjithmonë do të luten për të, *
gjithë ditën do ta bekojnë.
Toka do të japë drithëra me shumicë, *
në maja të maleve do të valëviten kallëzat,
porsi Libani frytet e tokës, *
do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.
Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *
sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *
që i vetmi bën mrekulli!
Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †
toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti do t’ua bëjë të drejtën të varfërve: ai do t’i shpëtojë prej shtypjes.
Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit
Po të falënderojmë, o Zotëri,
Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
ty që je, ty që ishe,
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
dhe e more mbretërimin!
Paganët u hidhëruan, †
por arriti zemërimi yt! *
Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
- për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
dhe e sundimit të Krishtit të tij!
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †
dhe në saje të dëshmisë së vet: *
nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
Prandaj galdo, o qiell, *
galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ja tani koha e shëlbimit dhe e mbretërisë së Hyjit tonë.
Leximi i shkurtër Jak 4, 7-8. 10
Nënshtrohuni, pra Hyjit! Kundërshtoni djallit dhe do të largohet prej jush! Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’ju afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’ju lartësojë.
Përgjigjja e shkurtër
C Më jep mençurinë * që ta mbaj ligjin tënd.
Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.
D Ma mëso mendjen dhe urtinë
që ta mbaj ligjin tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Më jep mençurinë që ta mbaj ligjin tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Një pikë ujë kërkoi pasaniku, i cili Lazrit nuk i jepte as thërrimet që binin nga tryeza e tij.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Një pikë ujë kërkoi pasaniku, i cili Lazrit nuk i jepte as thërrimet që binin nga tryeza e tij.
Lutjet e besimtarëve
Hyji na shndrit me hirin e Shpirtit Shenjt që të ndriçojmë me vepra të drejtësisë dhe të fesë. T'i japim lavdi mëshirës së tij dhe t'i themi:
Përtërije, o Zot, popullin që e shëlboi Biri yt.
O Hyj, burim dhe krijues i çdo shenjtërie, me misterin eukaristik bashkoi ipeshkvinjtë, meshtarët dhe diakonët me Krishtin
— që hirin të cilin e kanë marrë me shugurimin meshtarak, të mund ta rrezatojnë sa më shumë.
Mësoi besimtarët që në mënyrë të denjë dhe të fuqishme të mund ta marrin pjesë në tryezën e Fjalës dhe të Trupit të Krishtit,
— në mënyrë që çka marrin me fe, ta ruajnë me sjellje dhe me jetë.
Bëj që me dhuratën tënde të mund ta njohim dinjitetin njerëzor të shëlbuar me Gjakun e Birit tënd
— dhe të nderojmë lirinë dhe ndërgjegjen e çdo njeriu-vëlla.
Bëj që njerëzit t'i frenojnë dëshirat e shfrenuara për gjëra materiale
— dhe ndihmoju gjithë atyre që kanë nevojë për Ty.
Ki mëshirë për ata besimtarë që sot kanë kaluar nga kjo jetë te Ti
— dhe jepua dhuratën e lumturisë së amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, dashurues dhe ripërtëritës i pafajësisë, drejtoji kah ti zemrat e besimtarëve të tu, kështu që, në saje të hirit të Shpirtit Shenjt, të jenë të qëndrueshëm në fe dhe plot fryte në vepra të mira. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.