Mbrëmësorja
Java e tretë e kreshmëve – e mërkurë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Jezus, je themeluesi
i agjërimit të kreshmëve,
mëngjillet na i mësove
për shërim të mendjeve.
Bëju tashti krah Kishës,
pendesës qëndroji pranë,
shtrirë përdhe të lutemi
të falësh mëkatet tanë.
Ti fajet e ribëra
shlyeji me hirin tënd,
e rojën kah e ardhmja
me shumë butësi përdore.
Të shpërblyer nga veprat
vjetore të pendimit,
të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
të denja për kremtimin.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,
Me faljen tënde të përtërirë,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Psalmi 126 /125/ (1-6) O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë
Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur dorëzat e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ai që mbjell me lot, do të korrë me gëzim.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Psalmi 127 /126/ (1-5) Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit
Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1 Kor 3, 7. 9).
Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *
kot mundohen ata që e ndërtojnë.
Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *
kot rri zgjuar ai që e ruan.
Kot e keni të çoheni para drite *
dhe vonë të shkoni në pushim,
ju që e hani bukën e mundit: *
të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.
Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *
fryti i barkut është shpërblimi i tij.
Porsi shigjetat në dorën e trimit *
të tillë janë djemtë e rinisë.
Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *
s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ndërtoje, o Zot shtëpinë tonë, ruaje qytetin tënd.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lindur para çdo krijese, Krishti është mbret i gjithësisë.
Leximi i shkurtër Vap 2, 38-39
Atëherë Pjetri tha: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t'ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt. Sepse ky premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t'i thërrasë.”
Përgjigjja e shkurtër
C Kam mëkatuar kundër teje: * më shëro, o Zot.
Kam mëkatuar kundër teje: më shëro, o Zot.
D Unë thërras: Ki mëshirë për mua,
më shëro, o Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Kam mëkatuar kundër teje: më shëro, o Zot.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë ligjet e Zotit, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë ligjet e Zotit, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Lutjet e besimtarëve
Ta madhërojmë dhe ta lavdërojmë Zotin e gjithëpushtetshëm. Ai di për çka ka nevojë populli i tij, mirëpo para së gjithash dëshiron të kujdesemi për Mbretërinë e tij. Prandaj t'i brohorisim:
Ardhtë mbretëria jote dhe drejtësia e saj
O Atë i mirë, Ti e ke dërguar Krishtin, Birin tënd, që të bëhet bari i mirë i shpirtrave tanë, ndihmoju barinjve dhe popullit i cili iu është besuar, në mënyrë që populli të mos mbetet pa barinj
— dhe populli t'i dëgjojë barinjtë e vet.
Nxiti të krishterët që me dashuri vëllazërore t'iu ndihmojnë të sëmurëve
— dhe në këtë mënyrë t'i ndihmojnë vetë Birit tënd.
Bëj që edhe ata që ende nuk kanë besuar në Ungjillin tënd, të hyjnë në Kishën tënde
— dhe ta ndërtojnë gjithnjë dashurinë e ndërsjelltë.
Neve mëkatarëve na e jep hirin tënd me të cilin mund të kërkojmë ndjesë për mëkatet tona
— dhe të pajtohemi me Kishën tënde.
Bëj që të vdekurit të kalojnë në jetën e amshuar
— dhe të banojnë përherë me Ty.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, që, të mësuar nga veprat pendestare, të Kreshmëve dhe të ushqyer me fjalën tënde, të jepemi me gjithë zemër pas dashurisë sate dhe të jemi gjithmonë të bashkuar në lutjen tënde. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.