Mbrëmësorja
Java e tretë e kreshmëve – e enjte
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Jezus, je themeluesi
i agjërimit të kreshmëve,
mëngjillet na i mësove
për shërim të mendjeve.
Bëju tashti krah Kishës,
pendesës qëndroji pranë,
shtrirë përdhe të lutemi
të falësh mëkatet tanë.
Ti fajet e ribëra
shlyeji me hirin tënd,
e rojën kah e ardhmja
me shumë butësi përdore.
Të shpërblyer nga veprat
vjetore të pendimit,
të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
të denja për kremtimin.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,
Me faljen tënde të përtërirë,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Para derës së shtëpisë sate, o Zot, shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.
Psalmi 132 /131/ I (1-10) Premtimet që Zoti i bëri Davidit
Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit,atit të tij (Lk 1, 32).
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
pa e pas gjetur një vend për Zotin, *
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Para derës së shtëpisë sate, o Zot, shërbëtorët e tu brohorasin me galdim.
Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.
Psalmi 132 /131/ II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
do ta vë mbi fronin tënd!
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
do të rrinë përmbi fronin tënd.«
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
e pëlqeu për banesë të vetën:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija, *
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti e zgjodhi Sionin për banesë të vetën.
Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë në shtëpinë tënde, o Zot, do ta adhurojmë Emrin tënd të shenjtë.
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit
Po të falënderojmë, o Zotëri,
Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
ty që je, ty që ishe,
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
dhe e more mbretërimin!
Paganët u hidhëruan, †
por arriti zemërimi yt! *
Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
- për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
dhe e sundimit të Krishtit të tij!
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †
dhe në saje të dëshmisë së vet: *
nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
Prandaj galdo, o qiell, *
galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë në shtëpinë tënde, o Zot, do ta adhurojmë Emrin tënd të shenjtë.
Leximi i shkurtër Rom 1, 18-20
Hidhërimi i Hyjit, vërtetë, zbulohet nga qielli kundër çdo mbrapshtie e padrejtësie të njerëzve, të cilët me padrejtësi s'e lënë të veprojë e vërteta. E pra, çka mund të dihet për Hyjin, njerëzit e kanë të qartë: vetë Hyji ua ka zbuluar. E në të vërtetë, përkryerjet e tija të papashme: pushteti i tij i amshuar dhe hyjnia, atje që prej krijimit të botës, mund të shihen me anë të mendjes në saje të veprave të tija: prandaj nuk kanë se si të arsyetohen.
Përgjigjja e shkurtër
C Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: * do të meditoj mbi mrekullitë e tua.
Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: do të meditoj mbi mrekullitë e tua.
D Bëj që t’i kuptoj, o Zot, dëshirat e tua:
do të meditoj mbi mrekullitë e tua.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Bëj që ta njoh udhën e urdhërimeve të tua: do të meditoj mbi mrekullitë e tua.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe. Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë atë.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe. Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë atë.
Lutjet e besimtarëve
Krishti na e dha urdhrin e ri të dashurisë së ndërsjelltë. Prej tij, Zotit tonë, të kërkojmë edhe ne atë që na nevojitet:
O Zot, shtoje dashurinë e popullit tënd.
Mësues i mirë, na mëso të të duam në vëllezërit tanë
— dhe në ta të bëjmë mirë Ty.
Ti në kryq prej Atit ke kërkuar falje për vrasësit e tu
— bëj që edhe ne t'i duam armiqtë dhe të lutemi për ata që na salvojnë.
Me misterin e korpit dhe të gjakut tënd, shtoje në ne dashurinë dhe na jep forcë dhe shpresë
— të ligshtit forcoji, të pikëlluarit ngushëlloji, atyre që janë në pragun e vdekjes jepu shpresë për një jetë që nuk kalon.
Dritë e botës, ti të verbrit nga lindja me larje në ujë ia ktheve pamjen e syve
— ndriçoji ata që përgatiten për pagëzim me ujin e pagëzimit dhe fjalën e jetës.
Të vdekurit që kanë kaluar nga kjo jetë në amshim ngiji me dashurinë tënde
— dhe neve na numëro në mes të të zgjedhurve të tu.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot i mëshirshëm, sa më fort që afrohet e kremtja e shëlbimit tonë, aq më tepër rritet në ne dëshira ta kremtojmë si duhet festën e Pashkëve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.