Mbrëmësorja

Java e tretë e kreshmëve – e premte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjithë hyjtë.

 

   Psalmi 135 /134/ I (1-12) Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli

 

   Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpallë veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1Pjt 2, 9).

 

Lëvdojeni Emrin e Zotit, *

   lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,

që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *

   në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!

 

Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *

   këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!

Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *

   Izraelin për pronën e vet.

 

Unë e di mirë se i madh është Zoti, *

   Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.

 

Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *

   në det e në të gjitha humnerat.

 

Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †

   me vetëtima e prodhon shiun, *

   erën e nxjerr nga vendet e strehimit.

 

Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *

   si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.

Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *

   kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.

 

Shfarosi një numër të madh paganësh, *

   vrau sa mbretër të fortë:

   Sehonin, mbretin e amorrenjve

e Ogun, mbretin e Basanit, *

   i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,

 

e tokën, pronën e tyre, *

   ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 I madh është Zoti, Hyji ynë, mbi të gjithë hyjtë.

 

Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin, këndoji himne Emrit të tij.

 

   Psalmi 135 /134/ II (13-21) Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar

 

   Fjala ishte Hyj... u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).

 

O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *

   kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!

 

Zoti e mbron popullin e vet, *

   ka mëshirë për shërbëtorët e vet.

 

Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *

   prodhim i duarve të njerëzve:

e kanë gojën, por nuk flasin, *

   i kanë sytë, por nuk shohin,

 

i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *

   as nuk kanë frymë në gojën e tyre.

Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *

   të gjithë ata që shpresojnë në ta.

 

Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *

   shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,

shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *

   bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!

 

Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *

   që banon në Jerusalem. Aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin, këndoji himne Emrit të tij.

 

Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

   Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi

 

Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua,

   o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *

   Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,

   o Mbreti i popujve!

 

Kush të mos të druajë ty, o Zot,

   dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *

   Ti i vetmi, je Shenjti!

 

Të gjitha kombet do të vijnë

   dhe do të adhurojnë para Teje, *

   sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mbarë popujt do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot.

 

   Leximi i shkurtër Heb 12, 4-6

 

   Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut, dhe e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që pranon për bir.”

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Kundër teje kemi mëkatuar: * ki mëshirë për ne, o Zot!

   Kundër teje kemi mëkatuar: ki mëshirë për ne, o Zot!

   D Dëgjoje, o Krisht, zërin tonë:

   ki mëshirë për ne, o Zot!

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Kundër teje kemi mëkatuar: ki mëshirë për ne, o Zot!

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Zotit tonë Jezu Krishtit i cili me Gjakun e vet e shpërblen botën mbarë:

 

   Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd.

 

Shëlbuesi ynë, me mundimet e tua bëj që besimtarët e tu t'i frenojnë gjymtyrët e veta, bëju ndihmë në luftë kundër së keqes dhe kundërshtimeve, forcoi me një shpresë të gjallë

që të mund të përgatiten sa më mirë për kremtimin e Pashkëve.

Bëj që të krishterët të kryejnë rolin e vet profetik dhe gjithkund të përhapin lajmin e gëzueshëm për Ty

dhe këtë detyrë profetike ta vërtetojnë me dëshmi feje, shprese dhe dashurie.

Me fuqinë tënde ngriti të pikëlluarit

dhe bëj që ne të jemi për ta ndihmë dhe ngushëllim.

Mësoi besimtarët që në vështirësitë e jetës të mbesin pjesëmarrës të Mundimeve të tua

dhe shëlbimin tënd ta dëftojnë në jetë.

Krijues dhe ruajtës i jetës, le të kujtohen ata që kanë kaluar nga kjo jetë

jepua lavdinë e ngjalljes.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ndiko, po të lutemi, o Zot, hirin tënd në zemrat tona, që gjithmonë të ruhemi nga teprimet njerëzore, e të mund të jepemi, me ndihmën tënde, pas këshillave qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.