Mbrëmësorja

Java e katërt e Kreshmëve - e diel

 

Java IV e Psalterit

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Dëgjo, o Krijues dashamirës,

   me lot po të lutemi,

   ndër agjërime të shenjta

   ke themeluar kreshmët.

 

   Gjurmues hyjnor i zemrave,

   që njeh dobësitë e forcave;

   atyre që kah ti kthehen

   jepu hirin e faljes.

 

   Vërtet kemi bërë shumë mëkate,

   të penduarve jepu mëshirimin,

   e me lavd të emrit tënd

   të dobëtëve jepu shërimin.

 

   Kështu trupin jashtë dërrmoje

   nënshtroja agjërimeve,

   dhe mendja e përkorë

   t’i shmanget njollës së fajeve.

 

   Ndihmo, Trini e lume,

   na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti frenimi. Amen.

 

Ant. 1 Të shkojmë me gëzim në Shtëpinë e Zotit.

 

   Psalmi 122 /121/ (1-9) Përshëndetje Jerusalemit, qytetit të shenjtë

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

   »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

   në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

   thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

   sipas rregullores në Izrael *

   për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

   selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

   »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

   dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

   do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

   do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të shkojmë me gëzim në Shtëpinë e Zotit.

 

Ant. 2 Zgjohu, o ti që fle, ngrihu nga të vdekurit: Krishti do të të ndriçojë.

 

   Psalmi 130 /129/ (1-8) Nga humnera të thërras

 

   Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).

 

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot, *

   o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu, *

   zërin e lutjes sime.

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *

   O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por tek ti gjendet falja *

   që të dimë të të druajmë.

 

Shpresoj në ty, o Zot, *

   shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin *

   më tepër se rojtarët agimin.

Më tepër se rojtarët agimin *

   le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira *

   dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

 

Ai do ta nxjerrë Izraelin *

   prej të gjitha paudhësive të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zgjohu, o ti që fle, ngrihu nga të vdekurit: Krishti do të të ndriçojë.

 

Ant. 3 E pakufi është dashuria jote, o Zot: të vdekur për shkak të mëkateve tona ti bëre që ta rifitojmë jetën në Krishtin.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E pakufi është dashuria jote, o Zot: të vdekur për shkak të mëkateve tona ti bëre që ta rifitojmë jetën në Krishtin.

 

   Leximi i shkurtër Rom 2, 1-2

 

   Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri ‑ kushdo të jesh ‑ që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, mbasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra. Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Ai që e do vëllain e vet * mbetet në dritë.

   Ai që e do vëllain e vet mbetet në dritë.

   D Nuk ka në të asgjë të errët,

   mbetet në dritë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Ai që e do vëllain e vet mbetet në dritë.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Viti A:

   Ant. Dikur ishim errësirë, tani jemi dritë për Zotin.

 

   Viti B:

   Ant. Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.

 

   Viti C:

   Ant. Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, dhe bëri prej nesh krijesa të reja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Viti A:

   Ant. Dikur ishim errësirë, tani jemi dritë për Zotin.

 

   Viti B:

   Ant. Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.

 

   Viti C:

   Ant. Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, dhe bëri prej nesh krijesa të reja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta madhërojmë Zotin i cili kujdeset për të gjitha krijesat. Atë ta thërrasim me fjalët:

 

   O Zot, jepua shëlbimin tënd bijve të tu.

 

O Zot, ndarës i dhuratave dhe burim i së vërtetës, dhuroje kolegjiumin e ipeshkvijve me dhuntitë e tua

ndërsa besimtarët e tyre ruaj në mësimin e apostujve.

Derdhe dashurinë tënde mbi të gjithë ata që ushqehen nga e vetmja bukë e jetës

dhe me këtë gosti hyjnore në mënyrë edhe më intensive të bashkohen me Trupin e Birit tënd.

Na mundëso që nga vetja ta zhveshim njeriun e vjetër me veprat e tija

dhe të vishemi me Krishtin, Birin tënd, njeriun e ri.

Bëj që të gjithë ata që rrëfejnë mëkatet, të fitojnë faljen e tyre

dhe të bëhen pjesëmarrës të pajtimit të cilin na e ka mundësuar Biri yt, Jezu Krishti.

Bëj që të ndjerët pandërprerë të të lavdërojnë në lumturinë tënde

ku shpresojmë se edhe ne do të mund të arrijmë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me anën e Fjalës sate e pajton mrekullisht gjininë njerëzore, bëj, po të lutemi, që populli i krishterë të përgatitet me nxitim, me përshpirtëri të gatshme dhe me fe të flakët për të kremtet e ardhshme. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.