Mbrëmësorja
Java e Katërt e kreshmëve – e hënë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O Jezus, je themeluesi
i agjërimit të kreshmëve,
mëngjillet na i mësove
për shërim të mendjeve.
Bëju tashti krah Kishës,
pendesës qëndroji pranë,
shtrirë përdhe të lutemi
të falësh mëkatet tanë.
Ti fajet e ribëra
shlyeji me hirin tënd,
e rojën kah e ardhmja
me shumë butësi përdore.
Të shpërblyer nga veprat
vjetore të pendimit,
të shkojmë në gëzimet e Pashkëve
të denja për kremtimin.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,
Me faljen tënde të përtërirë,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë, sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Psalmi 136 /135/ I (1-9) Himn i pashkëve
Të tregohen veprat e Zotit do të thotë ta lavdërosh atë (Cassiani).
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin, Hyjin tonë, sepse e amshueshme është dashuria e tij.
Ant. 2 Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm.
Psalmi 136 /135/ II (10-26) Falënderim Zotit për shëlbimin e tij
Çdo gjë u bë nëpërmjet Fjalës dhe pa Të nuk u bë asgjë prej të gjithë atyre gjërave që janë (Krh. Gjn 1, 3).
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Hyji i gjithëpushtetshëm.
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit: që Krishtii të bëhet zemra e botës.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nderë të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Tani po përmbushet plani i Zotit: që Krishtii të bëhet zemra e botës.
Leximi i shkurtër Rom 6, 12-13
Mëkati të mos mbretërojë më në trupin tuaj të vdekshëm që t'ju bindeni prirjeve të tija. As mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si vegla padrejtësie, por vini veten në shërbim të Hyjit porsi të gjallë, të kthyer nga të vdekurit dhe gjymtyrët tuaja bëni vegla drejtësie për Hyjin.
Përgjigjja e shkurtër
C Do të paraqes fli drejtësie, * do ta shoh dritën e fytyrës sate.
Do të paraqes fli drejtësie, do ta shoh dritën e fytyrës sate.
D Shpresoj në ty, o Zot:
do ta shoh dritën e fytyrës sate.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Do të paraqes fli drejtësie, do ta shoh dritën e fytyrës sate.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Jezusi kishte thënë: Djali yt është shëndosh e mirë. I ati e njohu kohën dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Jezusi kishte thënë: Djali yt është shëndosh e mirë. I ati e njohu kohën dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.
Lutjet e besimtarëve
Qoftë madhëruar Hyji Atë, i cili me gojë të Birit të vet ka premtuar për të na dhënë gjithçka t’i kërkojmë në emër të Tij. Të përshkuar nga besimi në këtë premtim, ta lusim:
Ji i butë, o Zot, me popullin tënd.
O Zot, ligjin që na ke dhënë në Sion nëpërmjet Moisiut, Ti e ke përsosur nëpër Krishtin, Birin tënd
— bëj që ta njohin të gjithë të shkruar në zemër dhe ta ruajnë duke e mbajtur besëlidhjen me Ty.
Bëj që të gjithë eprorët të kenë kujdes për ata të cilët u janë besuar
— dhe zemrat e të nënshtruarve bëji të gatshme që t'iu ndihmojnë atyre.
Forcoje mendjen dhe zemrën e misionarëve me fuqinë tënde
— dhe gjithkund nëpër botë zgjo sa më shumë njerëz që t'iu bashkohen atyre në këtë punë.
Bëj që bashkë me moshën e të rinjve të rritet tek ata edhe hiri yt
— dhe të gjithë të rinjve ndihmoju që të rriten në dashuri ndaj Teje dhe të çmojnë një jetë të ndershme.
Përkujtoji të gjithë vëllezërit tanë që kanë kaluar në amshim
— dhe bëji pjesëmarrës të jetës së amshueshme.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot, ti që e përtërin botën me sakramente të madhërueshme, po të lutemi, drejtoje Kishën tënde me dije të amshuar dhe mos ia mungo ndihmën tënde të përkohshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.