Mbrëmësorja
Java e pestë e kreshmëve – e diel
Mbrëmësorja I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Dëgjo, o Krijues dashamirës,
me lot po të lutemi,
ndër agjërime të shenjta
ke themeluar kreshmët.
Gjurmues hyjnor i zemrave,
që njeh dobësitë e forcave;
atyre që kah ti kthehen
jepu hirin e faljes.
Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
të penduarve jepu mëshirimin,
e me lavd të emrit tënd
të dobëtëve jepu shërimin.
Kështu trupin jashtë dërrmoje
nënshtroja agjërimeve,
dhe mendja e përkorë
t’i shmanget njollës së fajeve.
Ndihmo, Trini e lume,
na lejo, Njëni e vetme,
për të tutë të jenë të frytshme
këto dhunti frenimi. Amen.
Ant. 1 Do të vë në zemrën tuaj ligjin tim: Unë do të jem Hyji i juaj e ju populli im.
Psalmi 141 /140/ (1-9) Lutja në rrezik
Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve (Zb 8, 4).
O Zot, klitha drejt teje, eja me të shpejtë tek unë! *
Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!
U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, *
lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.
Vërja rojën, o Zot, gojës sime, *
edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.
Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija †
për të sendërtuar punë të liga me njerëz të paudhë *
që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.
Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë,
le të më qortojë, †
por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, *
por paça uratën përballë mbrapshtisë së tyre!
Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre *
do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.
Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë *
shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!
Tek ti, o Zot, o Zot, janë sytë e mi, *
ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.
Më ruaj prej grackës që ma kanë ngrehur, *
prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Do të vë në zemrën tuaj ligjin tim: Unë do të jem Hyji i juaj e ju populli im.
Ant. 2 Për mua nuk vlen asgjë tjetër përpos se ta njoh Krishtin Jezus, Zotin tim të vetëm
Psalmi 142 /141/ (2-8) Ti je strehimi im
Krishti në mundim e thërret Atin: “Abbà, Atë! Largoje prej meje këtë gotë...” (Mk 14, 36) dhe e kërkon ringjalljen mbi të cilën Kisha e shenjtërve e rrënjos fenë e saj. (Krh. Cassiodoro)
Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, *
me sa zë kam Zotin e përbej,
para tij zhgrehem në vajtimin tim, *
para tij e qes shtrëngimin tim.
Megjithëse shpirti im po meket në mua, *
ti e njeh udhën time.
Udhës nga më duhej të kaloja *
ma ngrehën grackën.
Shikoja djathtas e shihja: *
s’ ishte askush që të më njohë!
Askund shteg shpëtimi *
dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time!
Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, †
e thashë: »Ti je strehimi im, *
ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve.
Vështroji britmat e mia, *
sepse jam përvujtëruar për së tepërmi.
Më liro prej salvuesve të mi, *
sepse janë më të fortë se unë.
Nxirre shpirtin tim prej rrethimit *
që ta lavdëroj Emrin tënd.
Rreth meje do të bashkohen të drejtët *
nëse mirësisht do të kujdesesh për mua.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Për mua nuk vlen asgjë tjetër përpos se ta njoh Krishtin Jezus, Zotin tim të vetëm
Ant. 3 Në çastin e vuajtjes së tij Krishti, Biri i Hyjit, mësoi dëgjesë ndaj Atit.
Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme, *
dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Në çastin e vuajtjes së tij Krishti, Biri i Hyjit, mësoi dëgjesë ndaj Atit.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 18-21
Ta dini mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm - argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë. Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.
Përgjigjja e shkurtër
C O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, * ki mëshirë për ne.
O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne.
D Ti, që vuajte për mëkatet tona,
ki mëshirë për ne.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Viti A:
Ant. Ati do të na japë jetë, ai që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin: Shpirti i tij banon në ne.
Viti B:
Ant. Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; nëse vdes, jep shumë fryt.
Viti C:
Ant. Nuk është Ligji që na bën të drejtë, por feja në Jezu Krishtin.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Viti A:
Ant. Ati do të na japë jetë, ai që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin: Shpirti i tij banon në ne.
Viti B:
Ant. Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; nëse vdes, jep shumë fryt.
Viti C:
Ant. Nuk është Ligji që na bën të drejtë, por feja në Jezu Krishtin.
Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti është mësuesi ynë, Ai është vëllai ynë. Atij t'i japim lavdinë e duhur dhe ta lusim përzemërsisht:
O Hyj, ringjalle popullin tënd.
O Krisht, je bërë i ngjashëm me ne në gjithçka përveç në mëkat
— bëj që të gëzohemi me ata që gëzohen e të qajmë me ata që qajnë, në mënyrë që dashuria e jonë çdo ditë e më tepër të rritet e të forcohet.
Bëj që Ty të uriturit, të shërbejmë ndër vëllezër të uritur
— dhe Ty të etshmit, të shërbejmë ndër vëllezër të etshëm.
Ti ringjalle Lazrin nga gjumi i vdekjes
— bëj që ata që kanë vdekur për shkak të mëkatit, me fe dhe me pendesë të kthehen në jetë.
Bëj që sa më shumë njerëz të shkojnë pas Teje me gatishmëri
— sipas shembullit të Virgjërës Mari dhe shenjtërve.
Bëj që të vdekurit të ngjallen në lumturinë tënde
— dhe dashurinë tënde ta gëzojnë gjithmonë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, na eja në ndihmë të mund të jetojmë e të veprojmë gjithmonë me atë dashuri që e shtyri Birin tënd ta japë jetën për ne. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndom.