Mbrëmësorja
Java e pestë e kreshmëve – e hënë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Dëgjo, o Krijues dashamirës,
me lot po të lutemi,
ndër agjërime të shenjta
ke themeluar kreshmët.
Gjurmues hyjnor i zemrave,
që njeh dobësitë e forcave;
atyre që kah ti kthehen
jepu hirin e faljes.
Vërtet kemi bërë shumë mëkate,
të penduarve jepu mëshirimin,
e me lavd të emrit tënd
të dobëtëve jepu shërimin.
Kështu trupin jashtë dërrmoje
nënshtroja agjërimeve,
dhe mendja e përkorë
t’i shmanget njollës së fajeve.
Ndihmo, Trini e lume,
na lejo, Njëni e vetme,
për të tutë të jenë të frytshme
këto dhunti frenimi. Amen.
Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.
Psalmi 11 /10/ (1-7) Shpresa e të drejtit është në Zotin
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen(Mt 5, 6).
Jam ndore të Zotit!
Përse atëherë i thoni shpirtit tim: *
»Fluturo si shpend në mal!
Ja, keqbërësit harkun e shtrënguan, †
mbi kordë shigjetën vendosën *
për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët.
Kur themelet janë të luhatura, *
çfarë mund të bëjë i drejti?«
Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, *
Zoti fronin e ka në qiell.
Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, *
qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve.
Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, *
ai e urren atë që e do paudhësinë.
Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: *
zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre.
Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: *
të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I drejtë është Zoti, njerëzit e drejtë do ta shohin fytyrën e tij.
Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.
Psalmi 15 /14/ (1-5) Kush është i denjë të qëndrojë para Zotit?
I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *
Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?
Vetëm ai që jeton me nder, *
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën, *
që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton, *
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë *
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën, †
nuk jep të holla me kamatë *
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu *
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do ta shohin Zotin.
Ant. 3 Në Krishtin Ati na zgjodhi që të jemi bijtë e tij.
Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nderë të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Në Krishtin Ati na zgjodhi që të jemi bijtë e tij.
Leximi i shkurtër Rom 5, 8-9
Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi.
Përgjigjja e shkurtër
C Na e trego dashurinë tënde, o Krisht, * e ne do të shëlbohemi.
Na e trego dashurinë tënde, o Krisht, e ne do të shëlbohemi.
D Pastroji mëkatet tona me gjakun tënd,
e ne do të shëlbohemi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Na e trego dashurinë tënde, o Krisht, e ne do të shëlbohemi.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Nuk dëshmoj vetëm unë për vetvete por për mua dëshmon edhe Ati që më dërgoi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Nuk dëshmoj vetëm unë për vetvete por për mua dëshmon edhe Ati që më dërgoi.
Lutjet e besimtarëve
T'i drejtohemi me shpresë Jezu Krishtit, Zotit tonë, i cili na ka shëlbuar ne, popullin e vet, nga mëkatet tona:
O Jezu Krisht, biri i Davidit, ki mëshirë për ne.
Të lutemi, o Zot, për Kishën tënde, për të cilën Ti je flijuar dhe të cilën e ke larë dhe shuguruar në ujin e fjalës së jetës
— përherë përtërije dhe pastroje me pendesë të qëndrueshme.
Mësues i mirë, tregojua të rinjve rrugën të cilën secilit ua ke caktuar
— që të shkojnë asaj rruge dhe në të të gjejnë shpëtimin.
Ti ke pasur mëshirë gjithmonë për të varfrit, zgjoje shpresën e të sëmurëve dhe shëroi nga sëmundjet e tyre
— por bëj që edhe ne të kemi më shumë kujdes për ta.
Bëj që të jemi të vetëdijshëm për dinjitetin tonë që na e ke dhënë me pagëzim
— që të jetojmë vetëm për Ty.
Jepua paqen dhe lumturinë të vdekurve
— dhe neve bashkë me ta na e bëj të mundur të mbretërojmë në lumturi.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti që me hirin tënd na pasuron me çdo bekim, bëj, po të lutemi, të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.