Mbrëmësorja

Java e pestë e kreshmëve – enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   O Jezus, je themeluesi

   i agjërimit të kreshmëve,

   mëngjillet na i mësove

   për shërim të mendjeve.

 

   Bëju tashti krah Kishës,

   pendesës qëndroji pranë,

   shtrirë përdhe të lutemi

   të falësh mëkatet tanë.

 

   Ti fajet e ribëra

   shlyeji me hirin tënd,

   e rojën kah e ardhmja

   me shumë butësi përdore.

 

   Të shpërblyer nga veprat

   vjetore të pendimit,

   të shkojmë në gëzimet e Pashkëve

   të denja për kremtimin.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme,

   Me faljen tënde të përtërirë,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove, do të të lavdëroj përgjithmonë.

 

   Psalmi 30 /29/ (2-13) Falënderim për shpëtim nga vdekja

 

   Krishti e falënderon Atin për ringjalljen e tij të lavdishme (Kasiano).

 

Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove *

   e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.

O Zot, Hyji im, *

   unë të thirra e ti më shërove,

 

ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, *

   më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

 

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, *

   falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!

Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij *

   e tërë jetën dashamirësia e tij!

 

Mbrëmja vjen me lot, *

   e mëngjesi plot hare!

 

Kur nuk më mungonte gjë, thosha: *

   »Askurrë s’do të trandem!«

 

Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, *

   porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem.

 

Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, *

   i lutesha Hyjit tim.

 

Ç’dobi nga gjaku im *

   në qoftë se zbres në shkatërrim?

A thua do të të lavdërojë pluhuri, *

   e do ta kumtojë besnikërinë tënde?

 

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, *

   Zoti u bë ndihmëtari im.

 

Ti vajin ma ktheve në valle, *

   ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare,

që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: *

   »O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Unë të thirra në ndihmë, o Zot, e ti më shërove, do të të lavdëroj përgjithmonë.

 

Ant. 2 Lum ai njeri, të cilit Zoti ia fal mëkatin.

 

   Psalmi 32 /31/ (1-11) Falënderim për faljen e mëkateve

 

   Davidi e shpall të lumtur atë njeri të cilin Hyji e bën të drejtë pavarësisht nga veprat (Rom 4, 6).

 

Lum ai që iu fal mëkati, *

   që iu mbulua faji!

Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, *

   në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.

 

Pse heshta, eshtrat m’u kalbën *

   prej dënesës së vazhdueshme,

sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, *

   fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës.

 

Atëherë ta dëftova mëkatin tim, *

   fajin tim më nuk e fsheha.

Thashë: »Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,« *

   e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

 

Prandaj le të lutet çdo besimtar *

   në kohë të përshtatshme,

kur të vërshojnë ujërat e shumta, *

   atë s’do ta zënë.

 

Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, *

   do të më rrethosh me këngë gëzimi.

 

Do të të bëj të dijshëm,

   do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, *

   sytë e mi do t’i përqendroj mbi ty.

 

Mos u bëni si kali e mushku

   që nuk kanë mend. †

   Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, *

   përndryshe s’do të afroheshin tek ti.

 

Shumë vështirësi e rrethojnë bakeqin, *

   atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.

Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, *

   brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Lum ai njeri, të cilit Zoti ia fal mëkatin.

 

Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj, Zotëruesi i gjithësisë.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E mori në dorë mbretërinë e vet, Zoti Hyj, Zotëruesi i gjithësisë.

 

   Leximi i shkurtër Heb 13, 12-15

 

   Jezusi, për ta shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës së qytetit. Këndej, le të dalim edhe ne jashtë fushimit në takim me Të duke e marrë mbi vete poshtërimin e tij. Sepse, nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin. Këndej, me anë të tij t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që dëshmojnë emrin e tij.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Na shëlbove, o Zot, * me gjakun tënd.

   Na shëlbove, o Zot, me gjakun tënd.

   D Ti bëre prej nesh

   një popull mbretërish dhe meshtarë

   me gjakun tënd.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Na shëlbove, o Zot, me gjakun tënd.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Përpara se të ishte Abrahami, Unë Jam, thotë Zoti.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Përpara se të ishte Abrahami, Unë Jam, thotë Zoti.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishti na e dha urdhrin e ri të dashurisë së ndërsjelltë. Prej tij, Zotit tonë, të kërkojmë edhe ne atë që na nevojitet:

 

   O Zot, shtoje dashurinë e popullit tënd.

 

Mësues i mirë, na mëso Të duam në vëllezërit tanë

dhe në ta të të bëjmë mirë Ty.

Ti në kryq prej Atit ke kërkuar falje për vrasësit tu

bëj që edhe ne t'i duam armiqtë dhe të lutemi për përndjekësit.

Me misterin e korpit dhe të gjakut tënd, shtoje në ne dashurinë na jep forcë dhe shpresë

të ligshtët forcoji, të pikëlluarit ngushëlloi, atyre që janë në pragun e vdekjes jepu shpresë për një jetë që nuk kalon.

Dritë e botës, ti të verbrit nga lindja me larje në ujë ua ktheve pamjen e syve

ndriçoji ata që përgatiten për pagëzim me ujin e pagëzimit dhe fjalën e jetës.

Të vdekurit që kanë kaluar nga kjo jetë në amshim ngiji me dashurinë tënde

dhe neve na numëro në mes të të zgjedhurve të tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ndihmoj, o Zot, dhe mbroj vazhdimisht besimtarët e tu që shpresojnë në mëshirën tënde, kështu që të pastruar prej njollës së mëkatit, të qëndrojnë në jetë shenjtërie dhe ta fitojnë trashëgimin e premtimit tënd. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.