Mbrëmësorja
Java e Madhe – e diela e larit
Mbrëmësorja I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Po na prijnë flamujt e mbretit,
shkëlqen misteri i kryqit,
ku vetë krijuesi i trupit
është varur me trup në atë kryq.
Ku mbi të i plagosur
me majë mizore t’heshtës,
për të na falur mëkatet tona
derdhi një rrëke gjaku.
Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,
me purpur mbreti stolisur,
nga trung fisnik zgjedhur
sa gjymtyrë shenjte prekin.
E lume, n’krahë të rri varur
vlera e gjithë botës,
që u bë balancë e trupit,
e i hoqi plaçkën ferrit.
Altar fli po ju falem,
për lavdinë e mundimeve,
se jeta mundi vdekjen,
e me vdekje ktheu prapë jetën.
Të falem Kryq shpresë e vetme,
në këtë kohë të mundimeve
shtoju hirin të drejtëve,
fajtorëve falu krimet.
Ty gurrë shpëtimi, o Trini,
çdo shpirt të lavdëroftë;
ata që me Kryq shpëtove
ruaji përherë për vete. Amen.
Ant. 1 Shumë kohë isha me ju: mësoja në tempull e nuk më kapët; tash më torturoni dhe më çoni në kryq.
Psalmi 119 /118/ XIV (105-112) Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
Ky është urdhri im: duani njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju (Gjn 15, 12).
Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, *
dritë për udhët e mia.
U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: *
do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.
Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, *
ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.
Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime *
dhe m’i mëso gjyqet e tua.
Jeta ime është gjithmonë në rrezik, *
por nuk e harroj Ligjin tënd.
Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, *
por nuk iu shmanga porosive të tua.
Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, *
janë kënaqësia e shpirtit tim.
E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua *
përherë e deri në fund.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Shumë kohë isha me ju: mësoja në tempull e nuk më kapët; tash më torturoni dhe më çoni në kryq.
Ant. 2 Zoti Hyj është ndihma ime: nuk do të skuqem para armiqve të mi.
Psalmi 16 /15/ (1-11) Zoti pjesa e trashëgimit tim
Hyji e ngjalli Jezusin, duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes (Vap 2, 24).
Më ruaj, o Hyj, *
sepse të kam rënë ndore! –
I thashë Zotit: »Ti je Zoti im, *
tjetër të mirë nuk kam veç teje!«
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *
po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
I shumojnë të zezat e veta *
ata që shkojnë pas zotave të huaj.
Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *
buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *
në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë: *
pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!
E bekoj Zotin që më dha kuptim, *
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh, *
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.
Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †
gëzimin e plotë para fytyrës sate, *
Kënaqësinë e amshueshme në të djathtën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti Hyj është ndihma ime: nuk do të skuqem para armiqve të mi.
Ant. 3 Jezusi, Zot, u përvujtërua duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, në vdekje në kryq.
Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme, *
dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Jezusi, Zot, u përvujtërua duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, në vdekje në kryq.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 18-21
Ta dini mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm - argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë. Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.
Përgjigjja e shkurtër
C Ne të adhurojmë * e të bekojmë, o Krisht.
Ne të adhurojmë e të bekojmë, o Krisht.
D Me kryqin tënd shëlbove botën:
e të bekojmë, o Krisht.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Ne të adhurojmë e të bekojmë, o Krisht.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Të falemi, o Mbreti ynë, biri i Davidit, shëlbuesi i botës i paralajmëruar prej profetëve.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Të falemi, o Mbreti ynë, biri i Davidit, shëlbuesi i botës i paralajmëruar prej profetëve.
Lutjet e besimtarëve
Krishti para se të vuante, duke e parë Jerusalemin, qau mbi të sepse nuk e njohu kohën kur do të vizitohej. Atij t'i përkulemi, të pendohemi për mëkatet tona dhe t’i lutemi:
Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd.
Sikur klloçka kur i bashkon zogjtë e vet nën krahë, ashtu edhe ti deshe që ti bashkosh bijtë e Jerusalemit
— mësoji të gjithë njerëzit që ta njohin kohën e ardhjes sate.
Mos i braktis besimtarët e tu të cilët e lanë rrugën tënde
— na rikthe, Hyji ynë dhe ne do të kthehemi te ti.
Me mundimet e tua ia dhe botës mëshirën
— bëj që gjithmonë të jetojmë prej Shpirtit tënd të cilin e derdhe mbi ne me pagëzim.
Me vuajtjet e tua bëj që besimtarët e tu të agjërojnë
— që më të përgatitur të shkojnë në takim të Ringjalljes sate.
Ti mbretëron në lavdinë e Atit
— le të bjerë në mend për të gjithë ata që vdiqën sot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Në vend të këtyre mund të luten Lutjet e besimtarëve të Lutjet së mbrëmjes së dytë.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq, bëj në mirësi, që, t’i përngjajmë atij në durim e të marrim pjesë në të ngjallurit e tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.