Mbrëmësorja

Java e Madhe - E DielA E LARIT

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Po na prijnë flamujt e mbretit,

   shkëlqen misteri i kryqit,

   ku vetë krijuesi i trupit

   është varur me trup në atë kryq.

 

   Ku mbi të i plagosur

   me majë mizore t’heshtës,

   për të na falur mëkatet tona

   derdhi një rrëke gjaku.

 

   Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,

   me purpur mbreti stolisur,

   nga trung fisnik zgjedhur

   sa gjymtyrë shenjte prekin.

 

   E lume, n’krahë të rri varur

   vlera e gjithë botës,

   që u bë balancë e trupit,

   e i hoqi plaçkën ferrit.

 

   Altar fli po ju falem,

   për lavdinë e mundimeve,

   se jeta mundi vdekjen,

   e me vdekje ktheu prapë jetën.

 

   Të falem Kryq shpresë e vetme,

   në këtë kohë të mundimeve

   shtoju hirin të drejtëve,

   fajtorëve falu krimet.

 

   Ty gurrë shpëtimi, o Trini,

   çdo shpirt të lavdëroftë;

   ata që me Kryq shpëtove

   ruaji përherë për vete. Amen.

 

Ant. 1 Krishti qe i rrahur dhe i poshtëruar: Zoti e lartësoi në të djathtën e vet.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Duhet që Ai të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Krishti qe i rrahur dhe i poshtëruar: Zoti e lartësoi në të djathtën e vet.

 

Ant. 2 Të pastruar me gjakun e Krishtit, t’i shërbejmë Hyjit të gjallë.

 

   Psalmi 115 /114 B/ (1-18) Lavdi të vetmit Hyj të vërtetë

 

   Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t'i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë (1Sel 1, 9).

 

Jo neve, o Zot, jo neve, †

   por Emrit tënd jepi lavdi *

   për nder të mëshirës sate e të besnikërisë sate.

 

Pse të thonë paganët: *

   »Ku është Hyji i tyre?«

Hyji ynë është në qiell, *

   ai bën gjithçka i pëlqen.

 

Idhujt e paganëve janë argjend e ar *

   - prodhim i dorës së njeriut.

Gojë kanë e nuk flasin, *

   sy kanë e nuk shohin,

 

veshë kanë e nuk dëgjojnë, *

   hundë kanë e nuk nuhasin.

 

Duar kanë e nuk prekin, †

   këmbë kanë e nuk ecin, *

   - zë nuk qesin prej gurmazit të tyre!

 

Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, *

   të gjithë ata që shpresojnë në ta!

 

Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin: *

   Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.

Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin: *

   Ai është ndihma dhe mburoja e tyre!

 

Kush e druan Zotin në Zotin shpreson: *

   Ai është ndihma e mburoja e tij!

 

Zotit i bie ndër mend për ne

   e do të na bekojë: †

   do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, *

   do ta bekojë shtëpinë e Aronit;

 

do t’i bekojë të gjithë ata që e druajnë Zotin, *

   si të vegjlit ashtu të mëdhenjtë.

Bëftë Zoti e u shumofshi *

   ju vetë e fëmijët tuaj!

 

Ju bekoftë Zoti, *

   Krijuesi i qiellit e i Tokës!

Qielli është qielli i Zotit, *

   kurse Tokën ua dhuroi njerëzve.

 

Jo, nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë, o Zot, *

   dhe asnjë prej atyre që zbresin në Heshtim,

por ne që jetojmë, ne e bekojmë Zotin *

   tash e përgjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Të pastruar me gjakun e Krishtit, t’i shërbejmë Hyjit të gjallë.

 

Ant. 3 Mbi drurin e kryqit Krishti i barti fajet tona, kështu që, të vdekur për mëkatin, të jetojmë për drejtësinë.

 

   Kënga Krh. 1 Pjt 2, 21-24 Vuajtja e vullnetshme e Krishtit, shërbëtorit të Hyjit

 

Krishti pësoi për ju

   duke ju lënë shembullin *

   që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija:

 

Ai që mëkat nuk bëri

   dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim *

Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje *

   dhe, i salvuar, nuk kërcënohej,

 

por ia lëshonte çështjen e vet *

   Atij që gjykon me drejtësi.

 

Ai në trupin e vet

   i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, *

 

që, të vdekur për mëkate,

   të jetojmë për drejtësi: *

   me vërragët e të cilit jeni shëruar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Mbi drurin e kryqit Krishti i barti fajet tona, kështu që, të vdekur për mëkatin, të jetojmë për drejtësinë.

 

   Leximi i shkurtër Vap 13, 26-30a

 

   Vëllezër, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi. Sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e pranuan Jezusin dhe, duke e dënuar për vdekje, i çuan në vend fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Edhe pse nuk gjetën në të kurrfarë arsyeje për të qenë dënuar, kërkuan prej Pilatit që të vritej. Pasi kryen gjithçka shkruan për të, e ulën nga kryqi dhe e shtinë në varr. Porse Hyji e ngjalli prej të vdekurish.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Ne të adhurojmë * e të bekojmë, o Krisht.

   Ne të adhurojmë e të bekojmë, o Krisht.

   D Me kryqin tënd e shëlbove botën:

   e të bekojmë, o Krisht.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Ne të adhurojmë e të bekojmë, o Krisht.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Shkrimi i shenjtë thotë: Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Shkrimi i shenjtë thotë: Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Shpëtimtari ynë hyri në Jerusalem që të vuajë dhe të hyjë në lavdí. Atij me lutje të përvujtë t'i drejtohemi:

 

   Shenjtëroje popullin të cilin e shëlbove me gjakun tënd.

 

Shëlbues i ynë, bëj që me agjërim sa më shumë t’i afrohemi vuajtjes sate

që të fitojmë lavdinë e të ngjallurit.

Bëj që ta fitojmë mbrojtjen e Nënës, ngushëllueses së të pikëlluarve

dhe ta meritojmë të forcohemi me atë ngushëllim me të cilin ti ne na forcon.

Shikoji ata të cilët për shkak të veprave tona të këqija s'mund ta vazhdojnë rrugën

shko në ndihmë të tyre, ndërsa ne na përmirëso dhe na ndihmo që të jetojmë në drejtësi dhe me dashuri.

Vetveten e përkule duke u bërë i dëgjuar deri në vdekje, madje me vdekje në kryq

jepu fuqi shërbëtorëve të tu që të jenë të dëgjueshëm, të durueshëm dhe te denjë.

Denjohu që trupit tënd të lavdishëm t'ia përngjasosh të vdekurve tanë

ndërsa ne na jep që njëherë së bashku të bëhemi me ta pjesëtarë të lavdisë sate.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq, bëj që me mirësinë tënde t’i përngjajmë atij në duresë e të marrim pjesë në të ngjallurit e tij. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.