Mbrëmësorja
Java e madhe – E martë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Po na prijnë flamujt e mbretit,
shkëlqen misteri i kryqit,
ku vetë krijuesi i trupit
është varur me trup në atë kryq.
Ku mbi të i plagosur
me majë mizore t’heshtës,
për të na falur mëkatet tona
derdhi një rrëke gjaku.
Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,
me purpur mbreti stolisur,
nga trung fisnik zgjedhur
sa gjymtyrë shenjte prekin.
E lume, n’krahë të rri varur
vlera e gjithë botës,
që u bë balancë e trupit,
e i hoqi plaçkën ferrit.
Altar fli po ju falem,
për lavdinë e mundimeve,
se jeta mundi vdekjen,
e me vdekje ktheu prapë jetën.
Të falem Kryq shpresë e vetme,
në këtë kohë të mundimeve
shtoju hirin të drejtëve,
fajtorëve falu krimet.
Ty gurrë shpëtimi, o Trini,
çdo shpirt të lavdëroftë;
ata që me Kryq shpëtove
ruaji përherë për vete. Amen.
Ant. 1 E kam duruar fyerjen dhe tmerrin; por Zoti është me mua, sikur një luftëtarë i vyeshëm.
Psalmi 49 /48/ Pasuria s’është asgjë
Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).
I (1-13)
Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
vegjëli e bujarë, *
të pasur e të vobektë së bashku:
goja ime do t’ju shpallë dijen, *
zemra ime mendime urtësie.
Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *
me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.
Përse të trembem në ditë të këqija, *
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
Ata shpresojnë në pasuritë e veta *
mburren me kamjen e madhe të veten.
E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *
dhe askurrë nuk mund të paguhet,
që njeriu të jetojë gjithmonë *
e të mos e shohë gropën e varrit.
Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †
vdes i marri, vdes i patenzoni: *
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: †
banesë e tyre brezni pas breznie, *
megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.
Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †
krahasohet me kafshët që cofin *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E kam duruar fyerjen dhe tmerrin; por Zoti është me mua, sikur një luftëtarë i vyeshëm.
Ant. 2 Më liro, o Zot, e më merr afër vetes: nuk do t’i frikësohem atyre që luftojnë kundër meje.
II (14-21) Pasuria njerëzore nuk shpëton
I marrë... ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?' Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).
I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *
Vdekjen do ta kenë bari.
Do të zbresin me rrëmbim në varr, †
duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
Mos u tut kur ndokush pasurohet, *
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *
me të s’do të zbresë pasuria e tij.
Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *
»Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,
por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †
krahasohet me kafshët që theren, *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më liro, o Zot, e më merr afër vetes: nuk do t’i frikësohem atyre që luftojnë kundër meje.
Ant. 3 Krishti Jezus, i flijuar për ne, me gjakun e tij na ka çliruar për Hyjin tonë.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Krishti Jezus, i flijuar për ne, me gjakun e tij na ka çliruar për Hyjin tonë.
Leximi i shkurtër 1 Kor 1, 27b-30
Hyji zgjodhi të dobëtit në sy të botës për t'i turpëruar të fortët; dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t'i asgjësojë ata që janë, në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. Po, Ai bëri “që ju të jeni” në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim.
Përgjigjja e shkurtër
C Na shëlbove, o Zot, * me gjakun tënd.
Na shëlbove, o Zot, me gjakun tënd.
D Ti bëre prej nesh
një popull mbretërish dhe meshtarë
me gjakun tënd.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Na shëlbove, o Zot, me gjakun tënd.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Këtë pushtet më dha Ati: të jap jetën time dhe ta kthej prapë atë.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Këtë pushtet më dha Ati: të jap jetën time dhe ta kthej prapë atë.
Lutjet e besimtarëve
Ta vendosim shpresën tonë në kryq, të cilin Krishti e shndërroi prej drurit të poshtërsisë në drurin e lavdisë, dhe të lutemi:
Të adhurojmë e të bekojmë, o Krisht
O Zot, ti që në rrugën e Kalvarit ishe i përcjellë prej vajit të përshpirtshëm të grave,
— na bëj pjesëtarë të vuajtjes sate, e cila vazhdon në të shtypur, në të mërguar dhe në të gjithë ata që vuajnë.
Ti që ishe i braktisur prej miqve të tu dhe prej smirës ishe i dorëzuar në duar të vrasësve,
— bëj që në Kishë të gjithë të punojnë për ardhjen e mbretërisë sate në bashkëpunim të gëzueshëm dhe në dashuri për njëri-tjetrin.
Derisa ishe në kryq kalimtarët të përbuznin dhe të fyenin, duke e mohuar se ti vuaje dhe vdisje për shëlbimin e tyre,
— tregoju ateistëve, pabesimtarëve dhe blasfemuesve dashurinë tënde të madhe që ke për ta.
Gjatë vuajtjes sate të madhe e dëgjoje sarkazmin fyes të atyre që të thoshin të zbresësh nga kryqi,
— tregoju të gjithëve fuqinë çlirimtare të flijimit tënd.
Në vdekjen tënde u hapën varrezat,
— hapua vëllezërve tanë të ndjerë derën e jetës së pasosur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që ashtu t’i kremtojmë misteret e mundimeve të Zotit, që të mund të fitojmë faljen e mëkateve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.