Mbrëmësorja
Java e madhe – E mërkurë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Po na prijnë flamujt e mbretit,
shkëlqen misteri i kryqit,
ku vetë krijuesi i trupit
është varur me trup në atë kryq.
Ku mbi të i plagosur
me majë mizore t’heshtës,
për të na falur mëkatet tona
derdhi një rrëke gjaku.
Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,
me purpur mbreti stolisur,
nga trung fisnik zgjedhur
sa gjymtyrë shenjte prekin.
E lume, n’krahë të rri varur
vlera e gjithë botës,
që u bë balancë e trupit,
e i hoqi plaçkën ferrit.
Altar fli po ju falem,
për lavdinë e mundimeve,
se jeta mundi vdekjen,
e me vdekje ktheu prapë jetën.
Të falem Kryq shpresë e vetme,
në këtë kohë të mundimeve
shtoju hirin të drejtëve,
fajtorëve falu krimet.
Ty gurrë shpëtimi, o Trini,
çdo shpirt të lavdëroftë;
ata që me Kryq shpëtove
ruaji përherë për vete. Amen.
Ant. 1 Thanë të paudhët: Ta shtypim të drejtin: sepse ai është kundër veprave tona.
Psalmi 62 /6l/ (2-13) Hyji është paqja jonë e vetme
Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj (Rom 15, 13).
Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, *
sepse prej tij vjen shpëtimi im
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Deri kur do të suleni kundër një njeriu, †
do ta rrëzoni të gjithë së bashku *
si murin e prishur, si gardhin e thyer?
Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, †
kënaqësinë e gjejnë në rrenë. *
Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë.
Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, *
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, *
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
Shpreso në të gjithmonë, o popull, †
atij hapi zemrën, *
sepse Hyji është strehimi ynë.
Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, *
rrenë e thjeshtë bijtë e njeriut:
në qoftë se hipin në peshore, *
të gjithë dalin më të lehtë se tymi!
Ruaj se shpresoni në dhunë, *
ruaj se ju rren preja;
në pasuri kur ato shtohen *
mos e ngjitni zemrën për to!
Hyji një herë foli, *
unë këto dy herë dëgjova:
»Pushteti i përket Hyjit, *
yti, o Zot, është përdëllimi!
Ti shpërblen gjithkënd *
sipas veprave që të ketë bërë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Thanë të paudhët: Ta shtypim të drejtin: sepse ai është kundër veprave tona.
Ant. 2 Ai i bartte mëkatet e shumëve, ndërmjetësonte për mëkatarë.
Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta madhërojnë Zotin
Ta dini, pra, të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve joçifutë (Vap 28, 28).
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Le të galdojnë e le brohorisin popujt, †
sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Toka e dha frytin e vet: *
na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ai i bartte mëkatet e shumëve, ndërmjetësonte për mëkatarë.
Ant. 3 Në gjakun e Krishtit e kemi shëlbimin dhe faljen e mëkateve.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Në gjakun e Krishtit e kemi shëlbimin dhe faljen e mëkateve.
Leximi i shkurtër Ef 4, 32 - 5, 2
Jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli “që jep erë të mirë”.
Përgjigjja e shkurtër
C Bekimi i Zotit * vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
Bekimi i Zotit vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
D Dhe jeta përgjithmonë
vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Bekimi i Zotit vëllezërve që e duan njëri-tjetrin.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Mësuesi thotë: koha ime është afër, do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Mësuesi thotë: koha ime është afër, do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.
Lutjet e besimtarëve
Kalvari i ndriçon errësirat e botës. Të lutemi që sytë tanë të mos mbyllen kurrë para dritës së tij:
Për misterin e kryqit tënd, na shndrit, o Zot
O Krisht Zot, i akuzuar para sinedrit të lartë me shumë dëshmitarë të rrejshëm,
— bëj që sjellja e të krishterëve të mos e njollosë ndriçimin e porosisë sate.
Ti deshe që Cireneu ta ndante së bashku me ty peshën e kryqit tënd,
— bëj që në dhimbje ta ndjejmë veten pjesëtarë të vuajtjes sate.
Në trazimin e natyrës, pas vdekjes sate, bëre që centurioni të njihte si Bir të Zotit,
— shndriti njerëzit e kohës sonë, që ta shohin shenjën e dashurisë dhe të Provanisë sate në të gjitha krijesat.
Prej kraharorit tënd të shporuar bëre që të lindë Kisha, arka e shëlbimit,
— bëj që ajo të jetë sakrament i takimit të njerëzve me ty dhe me njëri-tjetri.
O Zot Jezu, ti që duke vdekur e theve fuqinë e vdekjes,
— jepu vëllezërve tanë të ndjerë një ringjallje të lavdishme.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e Kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtoret e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.