Mbrëmësorja
Treditëshi i pashkëve i mundimit dhe ringjalljes së zotërisë
Java e madhe – E enjta e darkës së Zotit
Mbrëmësorja
Për ata që nuk marrin pjesë në Meshën e mbrëmjes së Darkës së Zotit.
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
O përkujtesë e vdekjes së Hyjit,
o bukë e gjallë, që i jep jetë njeriut,
ti mendjen time bëje n’ty të rrojë
e gjithmonë ty ëmbël të shijojë.
O pelikan, Hyj mëshirëploti Jezus,
mua të papastrin gjaku yt të më pastrojë
nga ai veç një pikë mund të shëlbojë
mbarë rruzullimin nga të gjitha kobet.
Kur të shoh ty me fytyrë të zbuluar
në shpirt i kënaqur për lavdinë tënde,
me çeta t’lume në Parajsë bashkuar.
Atit dhe Ty e Shpirtit do t’u thur lavde. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Bëri prej nesh mbretëri për Atin ai, i paralinduri nga të vdekurit, mbreti i mbretërve të tokës.
Psalmi 72 /71/ Pushteti i Mesisë
I hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrë (Mt 2, 11).
I (1-11)
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
Malet le t’i sjellin paqen popullit *
e kodrat drejtësinë.
Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †
do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *
do ta përulë shpifësin.
Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *
nga breznia në brezni.
Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *
porsi shiu që e lag tokën.
Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia *
dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.
Do të sundojë prej detit në det, *
prej Lumit e deri në skajin e botës.
Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *
kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.
Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin, *
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Bëri prej nesh mbretëri për Atin ai, i paralinduri nga të vdekurit, mbreti i mbretërve të tokës.
Ant. 2 Zoti e liron të varfrin që bërtet dhe njeriun e shkretë që nuk gjen ndihmë.
Psalmi 72 /71/ II (12-19) Mbretëria e paqes dhe e bekimit
Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin (Mk 16, 15).
Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *
të varfrin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *
gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.
Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †
gjithmonë do të luten për të, *
gjithë ditën do ta bekojnë.
Toka do të japë drithëra me shumicë, *
në maja të maleve do të valëviten kallëzat,
porsi Libani frytet e tokës, *
do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.
Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *
sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!
Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *
të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.
Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *
që i vetmi bën mrekulli!
Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †
toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *
Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti e liron të varfrin që bërtet dhe njeriun e shkretë që nuk gjen ndihmë.
Ant. 3 Shenjtërit kanë fituar me gjakun e Qengjit dhe me fjalën e martirizimit të tyre.
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit
Po të falënderojmë, o Zotëri,
Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
ty që je, ty që ishe,
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
dhe e more mbretërimin!
Paganët u hidhëruan, †
por arriti zemërimi yt! *
Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
- për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
dhe e sundimit të Krishtit të tij!
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †
dhe në saje të dëshmisë së vet: *
nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
Prandaj galdo, o qiell, *
galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shenjtërit kanë fituar me gjakun e Qengjit dhe me fjalën e martirizimit të tyre.
Leximi i shkurtër Heb 13, 12-15
Jezusi, për ta shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës së qytetit. Këndej, le të dalim edhe ne jashtë fushimit në takim me Të duke e marrë mbi vete poshtërimin e tij. Sepse, nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin. Këndej, me anë të tij t’i kushtojmë vazhdimisht Hyjit fli lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që dëshmojnë emrin e tij.
Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:
Ant: Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në darkën e fundit Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha nxënësve të tij.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në darkën e fundit Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha nxënësve të tij.
Lutjet e besimtarëve
Atë natë kur u tradhtua, Shëlbuesi ynë e festoi Darkën e fundit dhe ia besoi Kishës përkujtimin e vdekjes dhe të ringjalljes së tij, që ajo të mund ta festojë gjithmonë deri në ardhjen e tij. Në dritën e këtij misteri të madh t’ia drejtojmë Krishtit lutjen tonë:
Shenjtëro, o Zot, popullin që e shëlbove me gjakun tënd
Ti e bëre Kishën pjesëtare të meshtarisë sate,
— bëj që ajo të ndihet gjithmonë e bashkuar me ty në flijimin e lavdisë.
Ti i dhurohesh popullit të shëlbuar si bukë e jetës e zbritur prej qiellit,
— ngrite në besimtarët e tu një uri të shenjtë për ty.
Ti na e ofron kupën e besëlidhjes në gjakun tënd,
— bëj që të gjithë të mund të pinë me gëzim në këtë burim shëlbimi.
Ti na e dhe urdhrin e ri,
— bëj që njerëzit ta provojnë në jetë fuqinë ripërtëritëse të dashurisë.
Ti e hëngre darkën e fundit me apostujt e tu,
— bëj qe edhe ne së bashku me vëllezërit tanë të vdekur të marrim pjesë në festimin tënd të amshuar.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, që për lavdinë tënde dhe për shëlbimin tonë e bëre meshtar për amshim Krishtin Birin tënd, bëj që ne të cilët u bëmë populli yt me anë të Gjakut të tij, të përjetojmë në pjesëmarrjen e flisë eukaristike, fuqinë shëlbuese të kryqit dhe të ringjalljes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.