Mbrëmësorja

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Mbrëmësorja

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Po na prijnë flamujt e mbretit,

   shkëlqen misteri i kryqit,

   ku vetë krijuesi i trupit

   është varur me trup në atë kryq.

 

   Ku mbi të i plagosur

   me majë mizore t’heshtës,

   për të na falur mëkatet tona

   derdhi një rrëke gjaku.

 

   Dru e hijshme dhe e shkëlqyer,

   me purpur mbreti stolisur,

   nga trung fisnik zgjedhur

   sa gjymtyrë shenjte prekin.

 

   E lume, n’krahë të rri varur

   vlera e gjithë botës,

   që u bë balancë e trupit,

   e i hoqi plaçkën ferrit.

 

   Altar fli po ju falem,

   për lavdinë e mundimeve,

   se jeta mundi vdekjen,

   e me vdekje ktheu prapë jetën.

 

   Të falem Kryq shpresë e vetme,

   në këtë kohë të mundimeve

   shtoju hirin të drejtëve,

   fajtorëve falu krimet.

 

   Ty gurrë shpëtimi, o Trini,

   çdo shpirt të lavdëroftë;

   ata që me Kryq shpëtove

   ruaji përherë për vete. Amen.

 

Ant. 1 Shikoni, o popuj të gjithë, a e shihni dhimbjen time.

 

   Psalmi 116 /115/

 

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *

   “Jam i pafat për së tepërmi!”.

Në hutimin tim kam thënë: *

   “Rrenacak është çdo njeri!”

 

Si do t’ia shpërblej Zotit *

   për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit *

   e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij.

E çmueshme është para Zotit *

   vdekja e shenjtërve të tij.

 

O Zot, unë jam shërbëtori yt, †

   shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *

   Ti i këpute hekurat e mi:

 

ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *

   me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit, *

   midis teje, o Jerusalem!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shikoni, o popuj të gjithë, a e shihni dhimbjen time.

 

Ant. 2 Shpirti im është në ankth, zemra ime është e trazuar deri në vdekje.

 

   Psalmi 143 /142/ (1-11)

 

O Zot, dëgjoje lutjen time, †

   vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *

   më dëgjo në saje të drejtësisë sate.

 

Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *

   se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.

 

Armiku e salvon shpirtin tim, *

   përdhe e shtroi jetën time,

më ka lidhur në errësirë *

   porsi të vdekurit e kahershëm,

 

shpirti im po rënkon në mua, *

   të mpitë e kam zemrën në kraharor.

 

Më kujtohen ditët e shkuara, †

   i kujtoj të gjitha veprat e tua, *

   i peshoj veprat që ti i kreve.

 

I ngre drejt teje duart e mia, *

   shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.

Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *

   se mbeta pa frymë,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *

   të mos bëhem si ata që zbresin në varr.

Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *

   sepse shpresën e kam vënë në ty.

 

Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *

   sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin.

Më shpëto prej armiqve të mi, *

   o Zot, jam ndore tënde!

 

Më mëso ta kryej vullnetin tënd, †

   sepse ti je Hyji im. *

   Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,

më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *

   Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpirti im është në ankth, zemra ime është e trazuar deri në vdekje.

 

Ant. 3 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: Gjithçka u krye! Uli kryet e dha shpirt.

 

   Kënga Fil 2, 6-11

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, *

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: Gjithçka u krye! Uli kryet e dha shpirt.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 2, 21-25a

 

   Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim, Ai që, i fyer nuk hakmerrej me fyerje dhe i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me plagët e të cilit jemi shëruar.

 

   Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:

 

   Ant. Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.

 

Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Ne që ishim armiq, tani jemi pajtuar me Hyjin me anë të vdekjes së Birit të tij.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ne që ishim armiq, tani jemi pajtuar me Hyjin me anë të vdekjes së Birit të tij.

 

Është mirë të thuhet lutja e gjithmbarshme që pikërisht për këtë ditë është vendosur në Meshar. Por mund të përdoret edhe formulari që vijon ose të lutet në qetësi për qëllimet që janë të caktuara në këtë formular.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Duke e rikujtuar me përshpirtëri vdekjen e Zotit tonë, Jezu Krishtit prej të cilit botës i buroi jeta, t'i lutemi Hyjit Atë me këto fjalë:

 

   O Zot, dëgjoje lutjen tonë përmes vdekjes së Birit tënd.

 

Bashkoje Kishën tënde në një, ruaje papën tonë E.

Shenjtëroi me Shpirt shërbëtorët e Kishës dhe besimtarët e popullit tënd.

Rrite fenë dhe njihi katekumenët.

Bashkoji të gjithë të krishterët.

Hebrenjtë bëji ta plotësojnë shëlbimin.

Me rrezen e dritës sate ndriçoji të gjithë ata që besojnë në Krishtin.

Shenjat e mirësisë sate tregoji në krijesa për të gjithë ata që ende të mohojnë.

Drejtoji mendjet dhe zemrat e të gjithë udhëheqësve.

Ngushëlloji të vuajturit, të pikëlluarit dhe të shtypurit.

Ki mëshirë për të ndjerët.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, shikoje me dashuri familjen tënde për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti nuk ngurroi të dorëzohej në duart e armiqve dhe të pësonte vuajtjen e kryqit. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.