Mbrëmësorja

Java e madhe – E shtunë

 

Mbrëmësorja

 

   Himni

 

   Ti i vetmi shpëtimtar,

   O Shëlbues zëmadh i botës,

   nga ne, o Krisht Mbret,

   prano lavdinë e Kryqit jetëdhënës.

 

   Me vdekje ti e mposht vdekjen,

   e me jetë ti dhuron jetën,

   nxitësin mashtrues të vdekjes

   djallin ti e kishe thyer.

 

   Me mjeshtri të butë dashurie

   dorëzuar gjumit t’varrit,

   ti i hap selitë e ferrit,

   e u fal lirinë gjithë etërve.

 

   Tash në krah të djathtë të Atit

   ku shkëlqen fli e shenjtëruar,

   lusim, dëgjo të shpërblyerit

   me gjakun tënd gjallërues.

 

   Ty ne me atë ditë e natë

   duke ndjekur me doke t’pastra,

   kundër të gjitha sulmimeve

   flamurin e kryqit të mbartim.

 

   Atit, Ty e Shpirtit Shenjtë

   e njëjtë lavdi ju, Jezus, qoftë,

   që me fitore të kryqit

   na jep përherë na jep të gëzojmë. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 O vdekje, unë do të jem vdekja jote; o ferr, unë do të jem rrënimi yt.

 

   Psalmi 116 /115/

 

Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *

   “Jam i pafat për së tepërmi!”.

Në hutimin tim kam thënë: *

   “Rrenacak është çdo njeri!”

 

Si do t’ia shpërblej Zotit *

   për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit *

   e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij.

E çmueshme është para Zotit *

   vdekja e shenjtërve të tij.

 

O Zot, unë jam shërbëtori yt, †

   shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *

   Ti i këpute hekurat e mi:

 

ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *

   me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

 

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *

   në praninë e mbarë popullit të tij,

në oborret e Shtëpisë së Zotit, *

   midis teje, o Jerusalem!

 

Lavdi Atit e Birit

   e Shpirtit Shenjt, *

si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 O vdekje, unë do të jem vdekja jote; o ferr, unë do të jem rrënimi yt.

 

Ant. 2 Sikurse Jona mbeti tri ditë e tri net në barkun e peshkut: kështu edhe Biri i njeriut në zemrën e tokës.

 

   Psalmi 143 /142/ (1-11)

 

O Zot, dëgjoje lutjen time, †

   vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *

   më dëgjo në saje të drejtësisë sate.

 

Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *

   se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.

 

Armiku e salvon shpirtin tim, *

   përdhe e shtroi jetën time,

më ka lidhur në errësirë *

   porsi të vdekurit e kahershëm,

 

shpirti im po rënkon në mua, *

   të mpitë e kam zemrën në kraharor.

 

Më kujtohen ditët e shkuara, †

   i kujtoj të gjitha veprat e tua, *

   i peshoj veprat që ti i kreve.

 

I ngre drejt teje duart e mia, *

   shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.

Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *

   se mbeta pa frymë,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *

   të mos bëhem si ata që zbresin në varr.

Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *

   sepse shpresën e kam vënë në ty.

 

Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *

   sepse te ti e kam lartësuar shpirtin.

Më shpëto prej armiqve të mi, *

   o Zot, jam ndore tënde!

 

Më mëso ta kryej vullnetin tënd, †

   sepse ti je Hyji im. *

   Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,

më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *

   Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.

 

Lavdi Atit e Birit

   e Shpirtit Shenjt, *

si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Sikurse Jona mbeti tri ditë e tri net në barkun e peshkut: kështu edhe Biri i njeriut në zemrën e tokës.

 

Ant. 3 Shkatërrojeni këtë tempull, dhe për tri ditë kam për ta rindërtuar, thotë Zoti; fjalën e kishte për tempullin e trupit të tij.

 

   Kënga Fil 2, 6-11

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, *

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit

   e Shpirtit Shenjt, *

si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shkatërrojeni këtë tempull, dhe për tri ditë kam për ta rindërtuar, thotë Zoti; fjalën e kishte për tempullin e trupit të tij.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 18-21

 

   Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm - argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë. Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.

 

   Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:

 

   Ant. Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Tani u lavdërua Biri i njeriut, Hyji u lavdërua në të dhe së shpejti do ta pranojë në lavdi.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Tani u lavdërua Biri i njeriut, Hyji u lavdërua në të dhe së shpejti do ta pranojë në lavdi.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Jezu Krishti për ne u mundua dhe u varros që pastaj të ngjallej. Atij, Shëlbuesit tonë, me përshpirtëri të sinqertë t'i përkulemi dhe përzemërsisht ta lusim:

 

   O Zot, ki mëshirë.

 

O Jezu Krisht, prej kraharorit tënd, të shporuar me heshtë, rrodhi gjak dhe ujë, mister i mrekullueshëm i mbarë Kishës

jepi jetë të Fejuarës sate me vdekjen, me varrimin dhe me ngjalljen tënde.

O Zot Jezu, të ra ndër mend për ata që e kishin harruar premtimin mbi ngjalljen tënde

le të të bjerë ndër mend edhe për ata të cilët nuk dinë për ringjalljen tënde dhe jetojnë pa shpresë.

O Qengji i Hyjit, ti je Pashka jonë, e flijuar për të gjithë njerëzit

silli kah vetja të gjithë njerëzit.

O Zot i mbarë botës, ti i cili nuk ke fund, vetë deshe të jesh i vënë në varr

liroje njerëzimin nga ferri dhe jepja lavdinë e pavdekshme.

O Jezu Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ti nga kryqi ia hape cubit parajsën

të ndjerët të cilët me vdekje dhe me varrim u bënë të ngjashëm me ty, bashkoji në lavdinë tënde të ringjalljes.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që na e jep hirin të kremtojmë misteret e të Njëlindurit Birit tënd, të zbritur prej qiellit në thellësinë e tokës, bëj që, të varrosur me të në pagëzim, të ringjallemi së bashku me të në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.

 

                        Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.