Mbrëmësorja

E diela e dytë e Pashkëve - Mëshira Hyjnore

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

   Në darkë të Qengjit parafolës,

   të bardhë e me rrobë shpëtimi,

   pasi u shfaq Deti i Kuq,

   t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.

 

   Trupi i tij krejt i shenjtë

   në altar të kryqit i flijuar,

   duke shijuar dhe gjakun

   ne në Zotin për të jetuar.

 

   Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës

   nga engjëlli i shfarosjes,

   u çliruam nga zgjedha

   e Faraonit të egër.

 

   Tash Pashka jonë është Krishti,

   Edhe Qengji që u vra pa faj;

   që për ne flijoi trupin

   me pastërti të ndorme.

 

   O fli e denjë dhe e çiltër,

   nga e cila u shemb ferri,

   turma e robëruar çlirohet,

   vlerat e jetës po kthehen.

 

   Ngrihet Krishti Zot prej varrit,

   kthehet fitues nga humnera,

   tiranin e vë ndër pranga,

   dhe hap dyert e parajsës.

 

   Përherë ti rrofsh ndër mendje,

   o Krisht, gëzimi i Pashkëve,

   dhe me hir të rilindur

   në triumfin tënd bashkona.

 

   Jezus, Ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

Ant. 1 Maria Magdalenë dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin për ta nderuar trupin e varrosur, por nuk e gjejnë Zotin, aleluja.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Maria Magdalenë dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin për ta nderuar trupin e varrosur, por nuk e gjejnë Zotin, aleluja.

 

Ant. 2 Ejani e shikoni vendin ku qe venë Zotëria së vdekuri, aleluja.

 

   Psalmi 114 /113 A/ (1-8)

 

Kur Izraeli doli nga Egjipti, *

   Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,

Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *

   Izraeli zotërimi i tij.

 

Pa deti dhe i bëri rrugë, *

   Jordani u kthye prapazi,

malet kërcyen si desh, *

   kodrat porsi qengja delesh!

 

Ç’ pate, o det, që ike? *

   E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?

Ju, o male, pse kërcyet si desh, *

   e ju, o kodra, porsi qengja delesh?

 

Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *

   para fytyrës së Hyjit të Jakobit,

që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *

   edhe qetën në burim uji të gjallë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ejani e shikoni vendin ku qe venë Zotëria së vdekuri, aleluja.

 

Ant. 3 Thotë Zoti: Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (aleluja).

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Thotë Zoti: Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.

 

   Leximi i shkurtër Rom 5, 10-11

 

   Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.

 

   Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:

 

Ant: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja: të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Mbas tetë ditësh, megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Mbas tetë ditësh, megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta lusim Jezu Krishtin, i cili u ngjall prej të vdekurve dhe rri në të djathtën e Atit, e me lutje të përzemërt t'i themi:

 

   O Krisht, ti që përherë jeton, dëgjona ne.

 

Le të të bjerë ndër mend, o Zot, për të gjithë ata që të shërbejnë ty

që popullit tënd t'i japin shembull të jetës së shenjtë.

Jepua udhëheqësve të shtetit shpirtin e drejtësisë dhe të paqes

që këtu në botë, në familjen e mbarë njerëzimit, të mund të jetojmë në harmoni.

Drejtoji ditët tona në shpëtimin tonë

dhe rrite prodhimin e tokës që të gjithë të mund ta kenë bukën e përditshme.

O Krisht Shpëtimtar, ti e shndrit mbarë botën dhe çdo krijesë, që i nënshtrohet shkatërrimit, e thirre në jetë

jepua vëllezërve tanë të ndjerë dritën e amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i mëshirës së pakufi, ti e ringjall fenë e popullit tënd të shenjtë me kremtimin e përvjetshëm të Pashkëve: shtoje në ne hirin tënd që ta kuptojmë përherë e më mirë vlerën e paçmueshme të pagëzimit i cili na pastroi, të Shpirtit Shenjt që na rilindi, të gjakut i cili na shpërbleu. Nëpër Zotin.

 

   Para se të lirohet asambleja thuhet:

 

Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.

C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.