Mbrëmësorja
E diela e dytë e Pashkëve - Mëshira Hyjnore
Mbrëmësorja II
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja.
Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Në darkë të Qengjit parafolës,
të bardhë e me rrobë shpëtimi,
pasi u shfaq Deti i Kuq,
t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.
Trupi i tij krejt i shenjtë
në altar të kryqit i flijuar,
duke shijuar dhe gjakun
ne në Zotin për të jetuar.
Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës
nga engjëlli i shfarosjes,
u çliruam nga zgjedha
e Faraonit të egër.
Tash Pashka jonë është Krishti,
Edhe Qengji që u vra pa faj;
që për ne flijoi trupin
me pastërti të ndorme.
O fli e denjë dhe e çiltër,
nga e cila u shemb ferri,
turma e robëruar çlirohet,
vlerat e jetës po kthehen.
Ngrihet Krishti Zot prej varrit,
kthehet fitues nga humnera,
tiranin e vë ndër pranga,
dhe hap dyert e parajsës.
Përherë ti rrofsh ndër mendje,
o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
dhe me hir të rilindur
në triumfin tënd bashkona.
Jezus, Ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
Ant. 1 Maria Magdalenë dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin për ta nderuar trupin e varrosur, por nuk e gjejnë Zotin, aleluja.
Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)
I tha Zoti Zotit tim: *
»Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu *
shtrojë për këmbët e tua!«
Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *
sundo midis armiqve të tu!
Ty të përket më i larti pushtet *
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta *
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *
Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.«
Zoti është në të djathtën tënde, *
i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.
Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *
prandaj lart do ta ngrejë kokën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Maria Magdalenë dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin për ta nderuar trupin e varrosur, por nuk e gjejnë Zotin, aleluja.
Ant. 2 Ejani e shikoni vendin ku qe venë Zotëria së vdekuri, aleluja.
Psalmi 114 /113 A/ (1-8)
Kur Izraeli doli nga Egjipti, *
Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,
Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *
Izraeli zotërimi i tij.
Pa deti dhe i bëri rrugë, *
Jordani u kthye prapazi,
malet kërcyen si desh, *
kodrat porsi qengja delesh!
Ç’ pate, o det, që ike? *
E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?
Ju, o male, pse kërcyet si desh, *
e ju, o kodra, porsi qengja delesh?
Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *
para fytyrës së Hyjit të Jakobit,
që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *
edhe qetën në burim uji të gjallë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ejani e shikoni vendin ku qe venë Zotëria së vdekuri, aleluja.
Ant. 3 Thotë Zoti: Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.
Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.
Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit
Aleluja!
Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *
(C Aleluja.)
sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *
(C Aleluja.)
të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Mbretëron Zoti, *
(C Aleluja.)
Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Le të galdojmë e të brohorasim *
(C Aleluja.)
dhe t’i japim lavdi Atij.
C Aleluja (aleluja).
Aleluja!
Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *
(C Aleluja.)
Gati është Nusja e tij.
C Aleluja (aleluja).
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Thotë Zoti: Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.
Leximi i shkurtër Rom 6, 5-7
Pasi jeni krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit, sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.
Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:
Ant: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja: të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë, aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Me lutje të përzemërt t'i brohorasim Hyjit Atë, i cili e ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e ngriti në të djathtën e vet:
O Zot, ruaje popullin tënd përmes lavdisë së Krishtit.
Atë i drejtë, ti Jezusin e lavdërove me fitore në kryq,
— bëj që të gjithë t'i tërheqë kah vetja.
Përmes Birit tënd të cilin e madhërove, dërgoja Kishës sate Shpirtin Shenjt
— që ajo të jetë sakrament i bashkimit të mbarë njerëzimit.
Lindjen e re e cila lind nëpër ujë dhe Shpirt Shenjt
— ruaje që të jetë besnike e pagëzimit të vet dhe ta fitojë jetën e amshuar.
Përmes Birit tënd të cilin e madhërove, ndihmoju atyre që vuajnë, liroi të burgosurit dhe shëroi të sëmurët
— dhe me dhuratat e mirësisë sate gëzoje botën mbarë.
Vëllezërit tanë të ndjerë, të cilët i ushqeve me Korpin dhe Gjakun e lavdishëm të Krishtit
— bëji në ditën e fundit pjesëtarë të ngjalljes sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i mëshirës së pakufi, ti e ringjall fenë e popullit tënd të shenjtë me kremtimin e përvjetshëm të Pashkëve: shtoje në ne hirin tënd që ta kuptojmë përherë e më mirë vlerën e paçmueshme të pagëzimit i cili na pastroi, të Shpirtit Shenjt që na rilindi, të gjakut i cili na shpërbleu. Nëpër Zotin.
Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.
Fundi i tetëditëshit të Pashkëve