Mbrëmësorja
JAva e dytë e Pashkëve - E MARTË
Mbrëmësorja
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
O Zot, mbret i amshueshëm,
gjithmonë me Atin Bir,
sipas shëmbëllesës sate
njeriun Adam krijove.
Që e kish mashtruar djalli,
armiku i njerëzimit,
trajtën e tij të trupit
nga Virgjëra e more.
Që t’na bashkosh me Hyjin
në bashkëjetesë të mishit,
në pagëzim do të na japësh,
Shëlbues, mëshirë e falje.
Të marrësh kryqin u denjove
për t’u shërbyer njerëzve;
ti gjakun tënd dhurove
çmim për shpëtimin tonë.
Ti u ngjalle duke marrë
lavdinë e caktuar nga Ati,
nëpër ty ne besojmë
me përkushtim të ngjallemi.
Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve
për mendjet tona, o Jezus,
dhe ne me hir rilindur
na mblidh në ngadhënjimet e tua.
Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Kërkoni gjërat e qiellit e jo ato të tokës, aleluja.
Psalmi 49 /48/
I (1-13)
Pasuria s’është asgjë
Vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit (Mt 19, 23).
Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, *
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:
vegjëli e bujarë, *
të pasur e të vobektë së bashku:
goja ime do t’ju shpallë dijen, *
zemra ime mendime urtësie.
Fjalëve të urta do t’u vë veshin, *
me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.
Përse të trembem në ditë të këqija, *
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?
Ata shpresojnë në pasuritë e veta *
mburren me kamjen e madhe të veten.
E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, *
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:
çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë *
dhe askurrë nuk mund të paguhet,
që njeriu të jetojë gjithmonë *
e të mos e shohë gropën e varrit.
Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: †
vdes i marri, vdes i patenzoni: *
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!
Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: †
banesë e tyre brezni pas breznie, *
megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.
Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk njeh, †
krahasohet me kafshët që cofin *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kërkoni gjërat e qiellit e jo ato të tokës, aleluja.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi prej pushtetit të vdekjes, aleluja.
II (14-21)
Pasuria njerëzore nuk shpëton
I marrë... ç'grumbullove kujt do t'i mbesë?' Lum ai që kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin (Krh. Lk 12, 20. 21).
I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, *
mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.
Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, *
Vdekjen do ta kenë bari.
Do të zbresin me rrëmbim në varr, †
duka e tyre me shpejt do të mbarojë: *
Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.
Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, *
nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.
Mos u tut kur ndokush pasurohet, *
kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:
kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, *
me të s’do të zbresë pasuria e tij.
Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: *
»Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes«,
por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, *
të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.
Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; †
krahasohet me kafshët që theren, *
dhe është i ngjashëm me to.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti më shpëtoi prej pushtetit të vdekjes, aleluja.
Ant. 3 Ty, o Zot, të qoftë madhëria e fuqia, nderi e fitorja, aleluja.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ty, o Zot, të qoftë madhëria e fuqia, nderi e fitorja, aleluja.
Leximi i shkurtër Rom 1, 1-6
Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑ të cilin Hyji e kishte premtuar qysh më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t'i biem në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit.
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti u ngjall, * aleluja, aleluja.
Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.
D Ashtu sikurse u premtoi nxënësve të vet.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne? Aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne? Aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Krishtit, i cili nëpërmjet ngjalljes e plotësoi shpresën e popullit të vet, t'ia drejtojmë lutjen tonë:
O Krisht që jeton në amshim, na dëgjo.
O Zot Jezus, që nga zemra e çelur bëre të burojë gjak dhe ujë
— pastroje dhe shenjtëroje Kishën tënde.
Ti që ia besove Pjetrit drejtimin shpirtëror të popullit tënd
— mbroje papën tonë E. dhe forcoje në dashuri për shërbim në Kishën shenjtë.
Ti i shndërrove peshkatarët e Galilesë në apostuj të mbretërisë sate
— dërgo punëtorë në Kishën tënde që ta vazhdojnë veprën e shëlbimit.
Në breg të liqenit përgatite bukë dhe peshk për apostujt e tu
— bëj që askush nga vëllezërit tanë mos të vuajë nga uria për fajin tonë.
O Jezu, Adam i ri dhe shpirt që jep jetë, bëj që të vdekurit ta bartin përngjasimin e lavdisë sate
— dhe ta fitojnë gëzimin tënd të plotë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mirë, na jep aftësinë ta shpallim fuqinë e Krishtit të ngjallur, që, sikurse e morëm pengun e Shpirtit Shenjt, t’i marrim edhe të gjitha dhuratat. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.