Mbrëmësorja
JAva e dytë e Pashkëve - E mërkurë
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
O Zot, mbret i amshueshëm,
gjithmonë me Atin Bir,
sipas shëmbëllesës sate
njeriun Adam krijove.
Që e kish mashtruar djalli,
armiku i njerëzimit,
trajtën e tij të trupit
nga Virgjëra e more.
Që t’na bashkosh me Hyjin
në bashkëjetesë të mishit,
në pagëzim do të na japësh,
Shëlbues, mëshirë e falje.
Të marrësh kryqin u denjove
për t’u shërbyer njerëzve;
ti gjakun tënd dhurove
çmim për shpëtimin tonë.
Ti u ngjalle duke marrë
lavdinë e caktuar nga Ati,
nëpër ty ne besojmë
me përkushtim të ngjallemi.
Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve
për mendjet tona, o Jezus,
dhe ne me hir rilindur
na mblidh në ngadhënjimet e tua.
Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Mos të shqetësohet zemra juaj, por kini besim në mua, aleluja.
Psalmi 62 /6l/ (2-13)
Hyji është paqja jonë e vetme
Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj (Rom 15, 13).
Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, *
sepse prej tij vjen shpëtimi im
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Deri kur do të suleni kundër një njeriu, †
do ta rrëzoni të gjithë së bashku *
si murin e prishur, si gardhin e thyer?
Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, †
kënaqësinë e gjejnë në rrenë. *
Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë.
Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, *
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, *
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, *
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
Shpreso në të gjithmonë, o popull, †
atij hapi zemrën, *
sepse Hyji është strehimi ynë.
Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, *
rrenë e thjeshtë bijtë e njeriut:
në qoftë se hipin në peshore, *
të gjithë dalin më të lehtë se tymi!
Ruaj se shpresoni në dhunë, *
ruaj se ju rren preja;
në pasuri kur ato shtohen *
mos e ngjitni zemrën për to!
Hyji një herë foli, *
unë këto dy herë dëgjova:
»Pushteti i përket Hyjit, *
yti, o Zot, është përdëllimi!
Ti shpërblen gjithkënd *
sipas veprave që të ketë bërë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos të shqetësohet zemra juaj, por keni besim në mua, aleluja.
Ant. 2 Le të të lavdërojnë popujt, o Hyj, le të galdojnë për shëlbimin tënd, aleluja.
Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta madhërojnë Zotin
Ta dini, pra, të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve joçifutë (Vap 28, 28).
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij, *
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Le të galdojnë e le brohorisin popujt, †
sepse popujt i gjykon me drejtësi, *
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Toka e dha frytin e vet: *
na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji! *
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Le të të lavdërojnë popujt, o Hyj, le të galdojnë për shëlbimin tënd, aleluja.
Ant. 3 Madhështia jote i mbulon qiejt, toka është e mbushur me lavdinë tënde, aleluja.
Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20
Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.
E falënderojmë Hyjin, *
Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *
në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
Ai na nxori nga pushteti i errësirës *
dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin *
- faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *
i Parëlinduri - para çdo krijese.
Ai është para çdo gjëje *
dhe çdo gjë qëndron në Të.
Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *
në qiell e në dhe,
çka shihet e çka nuk shihet.
Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *
Ai është Fillimi,
i Parëlinduri ndër të vdekurit *
- që të jetë në gjithçka i Pari.
Sepse Hyjit i pëlqeu
të banojë në Të e tërë Plotësia *
dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.
Në saje të Gjakut të kryqit të Tij, †
Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *
qoftë në tokë qoftë në qiell.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Madhështia jote i mbulon qiejt, toka është e mbushur me lavdinë tënde, aleluja.
Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 12-14. 20
Në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: »Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.«? Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen ‑ atëherë as Krishti nuk është ngjallur. Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë ‑ i kotë besimi juaj.
Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
Përgjigjja e shkurtër
C Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, * aleluja, aleluja.
Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, aleluja, aleluja.
D Ai u ngjall, dhe mbretëron përgjithmonë.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji, aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
T'i lutemi Hyjit Atë, i cili me Birin e vet Jezu Krishtin na hapi rrugën drejt jetës së amshuar:
Për fitoren e Krishtit shëlboje popullin tënd, o Zot.
O Hy i etërve tanë, që e lavdërove Birin tënd, na e jep hirin e një kthimi të vërtetë
— bëj që e gjithë jeta jonë t’a kumtojë Pashkën e Krishtit.
Ti që i bashkove shpirtrat tanë duke i thirrur te Bariu dhe te Mbrojtësi
— na e ruaj fenë me anë të barinjve të Kishës sate të shenjtë.
I zgjodhe apostujt e parë të Birit tënd në popullin e vjetër të zgjedhur
— ndihmoju bijve të Izraelit që te Krishti ta njohin plotësuesin e të gjitha premtimeve.
Le të bjerë në mend për ata që vuajnë, për bonjakët dhe për të vejat
— mos i lësho dore asnjërin prej atyre të cilët Krishti i shëlboi me gjakun e vet.
E thirre martirin e parë Shtjefnin për ta ndarë lavdinë e Birit tënd
— pranoji në mbretërinë tënde të gjithë të vdekurit që luftuan dhe vuajtën për shkak të fesë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, po kremtojmë përkujtimin vjetor të Pashkëve, me të cilat njeriun e ktheve në denjësinë e parë dhe ia dhurove shpresën e ngjalljes. Po të lutemi, bëj të fitojmë me dashuri tënde të përhershme atë që e kremtojmë me fe. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.