Mbrëmësorja

JAva e dytë e Pashkëve - E enjte

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   O Zot, mbret i amshueshëm,

   gjithmonë me Atin Bir,

   sipas shëmbëllesës sate

   njeriun Adam krijove.

 

   Që e kish mashtruar djalli,

   armiku i njerëzimit,

   trajtën e tij të trupit

   nga Virgjëra e more.

 

   Që t’na bashkosh me Hyjin

   në bashkëjetesë të mishit,

   në pagëzim do të na japësh,

   Shëlbues, mëshirë e falje.

 

   Të marrësh kryqin u denjove

   për t’u shërbyer njerëzve;

   ti gjakun tënd dhurove

   çmim për shpëtimin tonë.

 

   Ti u ngjalle duke marrë

   lavdinë e caktuar nga Ati,

   nëpër ty ne besojmë

   me përkushtim të ngjallemi.

 

   Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve

   për mendjet tona, o Jezus,

   dhe ne me hir rilindur

   na mblidh në ngadhënjimet e tua.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Krishti është gjyqtari i të gjallëve dhe i të vdekurve: e ka vendosur Hyji i gjithëpushtetshëm.

 

Psalmi 72 /71/

 

   Pushteti i Mesisë

 

   I hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrë (Mt 2, 11).

 

   I (1-11)

 

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd *

   dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi *

   e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

 

Malet le t’i sjellin paqen popullit *

   e kodrat drejtësinë.

 

Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, †

   do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit *

   do ta përulë shpifësin.

 

Ai do të jetojë sa dielli e hëna, *

   nga breznia në brezni.

Do të zbresë porsi vesa mbi bar, *

   porsi shiu që e lag tokën.

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia *

   dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.

 

Do të sundojë prej detit në det, *

   prej Lumit e deri në skajin e botës.

Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, *

   kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun.

 

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve

   dhurata do të sjellin, *

   mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,

të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien *

   e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Krishti është gjyqtari i të gjallëve dhe i të vdekurve: e ka vendosur Hyji i gjithëpushtetshëm.

 

Ant. 2 Në të do të bekohen të gjithë popujt e tokës, aleluja.

 

Psalmi 72 /71/ II (12-19)

 

   Mbretëria e paqes dhe e bekimit

 

   Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin (Mk 16, 15).

 

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, *

   të varfrin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, *

   dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, *

   gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij.

 

Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, †

   gjithmonë do të luten për të, *

   gjithë ditën do ta bekojnë.

 

Toka do të japë drithëra me shumicë, *

   në maja të maleve do të valëviten kallëzat,

porsi Libani frytet e tokës, *

   do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit.

 

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, *

   sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri!

Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, *

   të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

 

Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, *

   që i vetmi bën mrekulli!

 

Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, †

   toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në të do të bekohen të gjithë popujt e tokës, aleluja.

 

Ant. 3 Krishti dje, sot dhe përgjithmonë, aleluja.

 

   Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit

 

Po të falënderojmë, o Zotëri,

   Hyj i Gjithëpushtetshëm, *

   ty që je, ty që ishe,

 

sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *

   dhe e more mbretërimin!

 

Paganët u hidhëruan,

   por arriti zemërimi yt! *

   Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,

 

koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *

   profetët dhe shenjtërit

dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *

   - për të vegjël e të mëdhenj.

 

Ja, tani koha e shëlbimit,

   e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *

   dhe e sundimit të Krishtit të tij!

 

Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *

   që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

 

Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit

   dhe në saje të dëshmisë së vet: *

   nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

 

Prandaj galdo, o qiell, *

   galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Krishti dje, sot dhe përgjithmonë, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 4, 13-14

 

   E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, sikurse është në Shkrim shenjt: 'Besova, prandaj edhe fola', edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit, * Aleluja, aleluja.

   Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit, Aleluja, aleluja.

   D Për ne u përul deri në vdekje në kryq.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Krishti është i gjallë në saje të pushtetit të Hyjit, Aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Të bashkuar me gëzim vëllazëror ta thërrasim Krishtin e ngjallur, të vendosur nga Ati si fillim dhe themel i shpresës sonë:

 

   O Mbret i lavdisë, na dëgjo.

 

O Zot Jezu, që me gjakun tënd dhe me të ngjallurit tënd hyre njëherë e përgjithmonë në shenjtëroren qiellore

na drejto me ty në lavdinë e Atit.

E forcove fenë e apostujve dhe e vendose dërgimin e tyre me anë të dëshmisë së Shpirtit tënd

bëj që ipeshkvinjtë dhe meshtarët të jenë predikues të gjallë të fjalës sate.

Ti je për të gjithë burim pajtimi dhe paqeje

bëj që të krishterët të bashkohen me bashkimin e fesë dhe të dashurisë.

Me anë të fesë në të ngjallur ia ripërtërive shëndetin të paralizuarit në derë të tempullit

hidhe shikimin tënd mbi të sëmurët tanë dhe tregoje mbi ta lavdinë tënde.

Ti je fryti i parë i vdekjes që jep jetë dhe i ringjalljes

pranoi në dritën tënde të pavdekshme ata të cilët shpresuan në ty.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj të shohim se si gjatë gjithë jetës sonë rriten e shtohen hiret që na i jep koha e Pashkëve. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.