Mbrëmësorja

Java e tretë e Pashkëve – E Hënë

 

Mbrëmësorja

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   O Zot, mbret i amshueshëm,

   gjithmonë me Atin Bir,

   sipas shëmbëllesës sate

   njeriun Adam krijove.

 

   Që e kish mashtruar djalli,

   armiku i njerëzimit,

   trajtën e tij të trupit

   nga Virgjëra e more.

 

   Që t’na bashkosh me Hyjin

   në bashkëjetesë të mishit,

   në pagëzim do të na japësh,

   Shëlbues, mëshirë e falje.

 

   Të marrësh kryqin u denjove

   për t’u shërbyer njerëzve;

   ti gjakun tënd dhurove

   çmim për shpëtimin tonë.

 

   Ti u ngjalle duke marrë

   lavdinë e caktuar nga Ati,

   nëpër ty ne besojmë

   me përkushtim të ngjallemi.

 

   Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve

   për mendjet tona, o Jezus,

   dhe ne me hir rilindur

   na mblidh në ngadhënjimet e tua.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Dritë për ty do të jetë Zoti yt, shkëlqim për ty do të jetë Hyji yt, aleluja.

 

Psalmi 123 /122/ (1-4)

 

   Shpresa e popullit është në Zotin

 

   Dy të verbër... ia filluan të bërtasin: Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! (Mt 20, 30).

 

Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, *

   drejt teje që banon në qiell.

 

Qe, porsi sytë e shërbëtorëve

   drejt dorës së zotërinjve të vet, †

   porsi sytë e shërbëtores *

   drejt duarve të zonjës së vet,

 

ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, *

   derisa të ketë mëshirë për ne.

 

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, *

   sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.

Sepse u ngi tepër më shpirti ynë

   me përqeshje të të ngopurve, *

   me përbuzje të krenarëve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Dritë për ty do të jetë Zoti yt, shkëlqim për ty do të jetë Hyji yt, aleluja.

 

Ant. 2 Rrjeta e vdekjes u shqye: jemi të lirë dhe të gjallë, aleluja.

 

Psalmi 124 /123/ (1-8)

 

   Ndihma jonë është në emër të Zotit

 

   Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb... sepse unë jam me ty! (Vap 18, 9-10).

 

Po të mos kishte qenë Zoti me ne *

   - le ta pohojë ballafaqe Izraeli -

po të mos kishte qenë Zoti me ne, *

   kur njerëzit u ngritën kundër nesh:

 

atëherë do të na kishin përpirë gjallë, *

   kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.

 

Atëherë ujët do të na kishte marrë, *

   rrjedha e përroit do të na kishte marrë,

do të na kishin mbytur *

   valët e ujërave të tërbuara!

 

Qoftë bekuar Zoti

   që s’na dha kafshatë *

   për dhëmbët e tyre!

 

Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku †

   prej gracke të gjuetarëve: *

   laku u këput e ne shpëtuam!

 

Ndihma jonë është në Emër të Zotit, *

   që krijoi qiellin e Tokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Rrjeta e vdekjes u shqye: jemi të lirë dhe të gjallë, aleluja.

 

Ant. 3 Kur të ngrihem prej tokës, do t’i tërheq të gjithë drejt meje, aleluja.

 

   Kënga Krh. Ef 1, 3-10 Hyji shpëtimtar

 

Qoftë bekuar Hyji.*

   Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *

   në qiell në Krishtin.

 

Në Të na zgjodhi *

   para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer *

   para Tij në dashuri.

 

Ai na parashënoi për vete *

   të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit *

   me pëlqimin e vullnetit të vet

 

për nderë të lavdisë së hirit të tij *

   me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

në Të, në saje të gjakut të tij, *

   e fituam shpërblimin;

 

në Të na u falën fajet *

   me anë të begatisë së hirit të tij,

të cilin Hyji e ndikoi në ne *

   bashkë me çdo urti e kuptim.

 

Ai na vuri në dijeni *

   mbi misterin e vullnetit të vet

synim që lirisht kishte vendosur *

   qysh më parë ta kryente në Të

 

kur të plotësohej koha: *

   të vërë çdo gjë

   nën kryesinë e Krishtit,

të gjithë qenësitë *

   që janë në qiell e në tokë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kur të ngrihem prej tokës, do t’i tërheq të gjithë drejt meje, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Heb 8, 1b-3a

 

   Kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell, si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu. Meqenëse çdo kryeprift vihet për të kushtuar dhurata dhe fli.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti mbretëron, ai u vesh me shkëlqim e madhëri, * aleluja, aleluja.

   Zoti mbretëron, ai u vesh me shkëlqim e madhëri, aleluja, aleluja.

   D I fortë është froni i tij në shekuj.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti mbretëron, ai u vesh me shkëlqim e madhëri, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai dërgoi, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë .

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllime e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirë

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit*

   e Shpirtit Shenjt

si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai dërgoi, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishti i ngjallur, me anë të Shpirti Shenjt, u bë burim jete dhe sakrament i përgjithshë i shëlbimit. Plot me gëzim, ta thërrasim emrin e tij

 

   Na ripërtërij, o Zot, me fuqi të shpirtit tënd.

 

O Krisht, shëlbues i botës dhe fillimi i krijimit të ri, drejto tërë jetën tonë drejt mbretërisë sate të lavdishme

ku na pret në të djathtën e Atit.

O Zot, që jeton dhe vepron në Kishën tënde

na drejto në njohuri të së vërtetës së plotë.

Zbuloje fuqinë e dashurisë sate para të varfërve, të sëmurëve, atyre që vdesin

ngushëlloi me dritën e pranisë sate.

Pranoje lavdinë tonë në mbarim të kësaj dite

le t’i shndrisë të vdekurit dita që nuk njeh perëndim.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës atyre që e kanë humbur udhën që të mund ta marrin përsëri rrugën e drejtë, bëj që të krishterët të flakin çka i kundërshton këtij emri e të ndjekin çfarë i ka hije. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.