Mbrëmësorja

Java e tretë e Pashkëve – E Martë

 

Mbrëmësorja

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   O Zot, mbret i amshueshëm,

   gjithmonë me Atin Bir,

   sipas shëmbëllesës sate

   njeriun Adam krijove.

 

   Që e kish mashtruar djalli,

   armiku i njerëzimit,

   trajtën e tij të trupit

   nga Virgjëra e more.

 

   Që t’na bashkosh me Hyjin

   në bashkëjetesë të mishit,

   në pagëzim do të na japësh,

   Shëlbues, mëshirë e falje.

 

   Të marrësh kryqin u denjove

   për t’u shërbyer njerëzve;

   ti gjakun tënd dhurove

   çmim për shpëtimin tonë.

 

   Ti u ngjalle duke marrë

   lavdinë e caktuar nga Ati,

   nëpër ty ne besojmë

   me përkushtim të ngjallemi.

 

   Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve

   për mendjet tona, o Jezus,

   dhe ne me hir rilindur

   na mblidh në ngadhënjimet e tua.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ju, thotë i Ringjalluri: jam unë, mos kini frikë, aleluja.

 

   Psalmi 125 /124/ (1-5) Hyji e ruan popullin e vet

 

   Mbarë Izraeli i Hyjit, pastë paqe e mëshirë prej Hyjit! (Gal 6, 16).

 

Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: *

   s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim!

 

Malet e rrethojnë Jerusalemin: †

   edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet *

   qysh tash e për amshim.

 

Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve †

   mbi trashëgimin e të drejtëve *

   që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi.

 

Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë *

   edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë.

 

Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë †

   le t’i zhbijë Zoti bashkë me keqbërësit. *

   Paqja qoftë mbi Izraelin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Paqja qoftë me ju, thotë i Ringjalluri: jam unë, mos kini frikë, aleluja.

 

Ant. 2 Popull i Hyjit, shpreso në Zotin, aleluja.

 

   Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpreso në Zotin sikurse fëmija në nënën

 

   Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë (Mt 11, 29).

 

O Zot, nuk krenohet zemra ime *

   as s’madhështohen sytë e mi,

as nuk jepem pas punëve të mëdha, *

   as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.

 

Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †

   si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *

   si kërthi është shpirti im në mua.

 

Le të shpresojë Izraeli në Zotin *

   tash e për gjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Popull i Hyjit, shpreso në Zotin, aleluja.

 

Ant. 3 Le të të lavdërojnë të gjitha krijesat e tua: sepse fjala jote i krijoi, aleluja.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Le të të lavdërojnë të gjitha krijesat e tua: sepse fjala jote i krijoi, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër 1 Pjt 2, 4-5

 

   Afrohuni Zotit - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti u ngjall, * aleluja, aleluja.

   Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.

   D Ashtu sikurse u premtoi nxënësve të vet.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Të bashkuar në gëzim vëllazëror, të brohorasim para Krishtit, i cili u ngjall dhe jeton i pavdekshëm. Me fe të gjallë të themi:

 

   O Mbret i lavdisë, dëgjoje lutjen tonë.

 

Të lutemi për ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët

që të përparojnë në popullin e krishterë ndjenjën e bashkëpërgjegjësisë në shërbim të Ungjillit.

Të lutemi për teologë dhe katekistë

që të mësojnë të vërtetën me shpirt të pastër.

Të lutemi për të gjithë pjesëtarët e popullit të Hyjit

që ta luftojnë luftën paqësore të fesë dhe ta fitojnë si shpërblim mbretërinë tënde.

Ti që e shkatërrove në kryq vendimin e dënimit tonë

thyeji prangat e skllavërisë dhe na liro nga e keqja.

Ti që i lirove nga ferri shpirtrat e të drejtëve të cilët prisnin Shëlbuesin

bashkoji të gjithë të vdekurit tanë në gëzimin e jetës së amshuar.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.