Mbrëmësorja

Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   O Zot, mbret i amshueshëm,

   gjithmonë me Atin Bir,

   sipas shëmbëllesës sate

   njeriun Adam krijove.

 

   Që e kish mashtruar djalli,

   armiku i njerëzimit,

   trajtën e tij të trupit

   nga Virgjëra e more.

 

   Që t’na bashkosh me Hyjin

   në bashkëjetesë të mishit,

   në pagëzim do të na japësh,

   Shëlbues, mëshirë e falje.

 

   Të marrësh kryqin u denjove

   për t’u shërbyer njerëzve;

   ti gjakun tënd dhurove

   çmim për shpëtimin tonë.

 

   Ti u ngjalle duke marrë

   lavdinë e caktuar nga Ati,

   nëpër ty ne besojmë

   me përkushtim të ngjallemi.

 

   Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve

   për mendjet tona, o Jezus,

   dhe ne me hir rilindur

   na mblidh në ngadhënjimet e tua.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Trishtimi i juaj do të shndërrohet në gëzim, aleluja.

 

   Psalmi 126 /125/ (1-6) O Zot, gëzimi dhe shpresa jonë

 

   Mbasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim (2 Kor 1, 7).

 

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *

   na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz *

   e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

Asohere thuhej ndër paganë: *

   »Zoti bëri për ta punë të mëdha!«

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *

   e zemrat na u mbushën me gëzim!

 

Ktheji, o Zot, robërit tanë *

   porsi përrenjtë e mesditës!

Ata që mbjellin me lot, *

   deh, le të korrin me gëzim!

 

Në të shkuar ecnin e qanin *

   duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *

   duke mbartur dorëzat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Trishtimi i juaj do të shndërrohet në gëzim, aleluja.

 

Ant. 2 Në jetë dhe në vdekje ne jemi të Zotit, aleluja.

 

   Psalmi 127 /126/ (1-5) Çdo përpjekje është e kotë pa ndihmën e Zotit

 

   Nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. Ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit (1 Kor 3, 7. 9).

 

Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, *

   kot mundohen ata që e ndërtojnë.

Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, *

   kot rri zgjuar ai që e ruan.

 

Kot e keni të çoheni para drite *

   dhe vonë të shkoni në pushim,

ju që e hani bukën e mundit: *

   të dashurve të vet u jep edhe në gjumë.

Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, *

   fryti i barkut është shpërblimi i tij.

Porsi shigjetat në dorën e trimit *

   të tillë janë djemtë e rinisë.

 

Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: *

   s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në jetë dhe në vdekje ne jemi të Zotit, aleluja.

 

Ant. 3 Gjithçka vjen prej teje, o Zot: në ty dhe për ty jeton gjithçka; ty të qoftë lavdia në shekuj, aleluja.

 

   Kënga Krh. Kol 1, 3. 12-20

 

   Krishti, i Parëlinduri i çdo krijese, është i Parëlinduri i atyre që ngjallen prej të vdekurve.

 

E falënderojmë Hyjin, *

   Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit,

sepse na bëri të aftë të kemi pjesë *

   në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

 

Ai na nxori nga pushteti i errësirës *

   dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

në të cilin kemi shpërblimin *

   - faljen e mëkateve.

 

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, *

   i Parëlinduri - para çdo krijese.

Ai është para çdo gjëje *

   dhe çdo gjë qëndron në Të.

Gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të *

   në qiell e në dhe,

   çka shihet e çka nuk shihet.

 

Ai është Kryet e Trupit - Kishës; *

   Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit *

   - që të jetë në gjithçka i Pari.

 

Sepse Hyjit i pëlqeu

   të banojë në Të e tërë Plotësia *

   dhe, me anë të Tij, gjithçka të pajtohet me të.

 

Në saje të Gjakut të kryqit të Tij,

   Hyji vendosi paqen me krijesat e veta *

   qoftë në tokë qoftë në qiell.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Gjithçka vjen prej teje, o Zot: në ty dhe për ty jeton gjithçka; ty të qoftë lavdia në shekuj, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Heb 7, 24-27

 

   Jezusi, mbasi mbetet përgjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit - sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta. Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt - i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, * aleluja, aleluja.

   Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, aleluja, aleluja.

   D Ai u ngjall dhe mbretëron përgjithmonë.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Mos e kërkoni të gjallin ndër të vdekur, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T'i lutemi Krishtit, të ngjallur nga të vdekurit, që jeton e mbretëron në të djathtën e Atit:

 

   O Krisht, jeta e jonë, dëgjoje lutjen tonë.

 

Le të të bjerë ndër mend për të gjithë ata që kryejnë cilëndo detyrë në Kishën tënde

bëj që të japin shembull jete që buron nga Ungjilli.

Shndriti me shpirtin tënd ligjdhënësit dhe qeveritarët

që të zhvillojnë përparimin në drejtësi dhe në paqe.

Hapi zemrat e të gjithë njerëzve nga shpresa e shëlbimit

bëj që të varfrit të kenë pjesën e vet në gostinë e jetës.

Ti që na lirove nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes

mblidhi në paqe vëllezërit tanë që sot e lanë këtë botë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ji pranë familjes sate, o Zot, dhe ndihmoje me bujari: ti që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare në ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtin. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.