Mbrëmësorja
23 prill, Shën Gjergji, martir
Mbrëmësorja
Himni
Zot, fati e kurora
e çmimi i ushtarëve të tu,
duke i kënduar lavd martirit,
na zgjidh nga lidhja e krimit.
Ky e dëshmoi me gojë
çka i besoi arka e zemrës,
duke e ndjekur, Krishtin gjeti,
e për të derdhi gjakun.
Vërtet gëzimet e botës
duke i vlerësuar lajka
të dëmshme e të mrazta,
arriti ndër qiellorët.
Me forcë përshkoi mundimet,
dhe burrërisht i mbarti,
për ty duke derdhur gjakun
gëzon dhuntitë e amshueshme.
Ndaj me këtë lutje të zjarrtë,
o mëshirëplotë, të lypim
në këtë ngadhënjim të martirit
ne robërve na i fal fajet.
Që t’arrijmë nga meritat
e këtij me të të bashkohemi,
e për amshim të gëzohemi
tok në selitë e qiellit.
Lavdi e lumni e amshueshme
Ty, Atë, të qoftë me Birin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues
ndër shekujt e gjithë shekujve. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit, Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
Psalmi 132 /131/ I (1-10) Premtimet që Zoti i bëri Davidit
Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
pa e pas gjetur një vend për Zotin, *
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Krishtit, birit të Davidit, Zoti i dha mbretërinë, aleluja.
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm, Mbretit të mbretërve, i qoftë lavdi! Aleluja.
Psalmi 132 /131/ II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
do ta vë mbi fronin tënd!
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
do të rrinë përmbi fronin tënd.«
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
e pëlqeu për banesë të vetën:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija, *
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Krishtit, sunduesit të vetëm, Mbretit të mbretërve, i qoftë lavdi! Aleluja.
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
Kënga Krh. Zb 11, 17-18; 12, 10b-12a Gjyqi i Zotit
Po të falënderojmë, o Zotëri,
Hyj i Gjithëpushtetshëm, *
ty që je, ty që ishe,
sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe *
dhe e more mbretërimin!
Paganët u hidhëruan, †
por arriti zemërimi yt! *
Erdhi koha të gjykohen të vdekurit,
koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu *
profetët dhe shenjtërit
dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd *
- për të vegjël e të mëdhenj.
Ja, tani koha e shëlbimit, †
e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë *
dhe e sundimit të Krishtit të tij!
Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë *
që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit †
dhe në saje të dëshmisë së vet: *
nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.
Prandaj galdo, o qiell, *
galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Kush është si ti, i mrekullueshëm në shenjtëri? Aleluja.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, ti na vure në sprovë * dhe na dhé fuqi.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
D Ti na sprovove me flakë, sikurse argjendin,
dhe na dhé fuqi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, ti na vure në sprovë dhe na dhé fuqi.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Në Mbretërinë e qiellit është vendbanimi i shenjtërve, pushimi i tyre është amshimi.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në Mbretërinë e qiellit është vendbanimi i shenjtërve, pushimi i tyre është amshimi.
Lutjet e besimtarëve
Në orën në të cilën Krishti, mbreti i martirëve, e dhuroi jetën e vet në darkën e Pashkëve dhe në fli të përgjakur përmbi kryq, le t’i ngritet atij lavdi i Kishës:
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Krisht, shkaku dhe shembulli i çdo martirizimi, sepse na deshe deri në fund,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i thirre mëkatarët e penduar në shpërblimin e jetës së pasosur,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse i urdhërove Kishës sate që të kushtonte gjakun e besëlidhjes së re dhe të amshuar, të derdhur për shpërblimin e mëkateve,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse në këtë ditë na dhe hirin që të qëndrojmë në fe,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Sepse shumë vëllezër e motra i bëre pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse,
— ne të lavdërojmë dhe të adhurojmë, o Zot.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot, ne po e madhërojmë fuqinë tënde dhe po të lutemi me përvujtëri që, sikurse shën Gjergji martir iu bashkua mundimit të Krishtit, ashtu të jetë edhe ndihmës i gatshëm i ligështisë sonë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, si në Lavdet e mëngjesit.