Mbrëmësorja
Java e tretë e Pashkëve – E Premte
Mbrëmësorja
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Himni
O Zot, mbret i amshueshëm,
gjithmonë me Atin Bir,
sipas shëmbëllesës sate
njeriun Adam krijove.
Që e kish mashtruar djalli,
armiku i njerëzimit,
trajtën e tij të trupit
nga Virgjëra e more.
Që t’na bashkosh me Hyjin
në bashkëjetesë të mishit,
në pagëzim do të na japësh,
Shëlbues, mëshirë e falje.
Të marrësh kryqin u denjove
për t’u shërbyer njerëzve;
ti gjakun tënd dhurove
çmim për shpëtimin tonë.
Ti u ngjalle duke marrë
lavdinë e caktuar nga Ati,
nëpër ty ne besojmë
me përkushtim të ngjallemi.
Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve
për mendjet tona, o Jezus,
dhe ne me hir rilindur
na mblidh në ngadhënjimet e tua.
Ty, Jezus, të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton; unë shëlbuesi yt, aleluja.
Psalmi 135 /134/ I (1-12) Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli
Populli që Hyji e fitoi për vete, i shpallë veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1Pjt 2, 9).
Lëvdojeni Emrin e Zotit, *
lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *
në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!
Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *
këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!
Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *
Izraelin për pronën e vet.
Unë e di mirë se i madh është Zoti, *
Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.
Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *
në det e në të gjitha humnerat.
Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †
me vetëtima e prodhon shiun, *
erën e nxjerr nga vendet e strehimit.
Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *
si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.
Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *
kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.
Shfarosi një numër të madh paganësh, *
vrau sa mbretër të fortë:
Sehonin, mbretin e amorrenjve
e Ogun, mbretin e Basanit, *
i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,
e tokën, pronën e tyre, *
ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Unë jam Zoti që të shpëton; unë shëlbuesi yt, aleluja.
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen, qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
Psalmi 135 /134/ II (13-21) Vetëm Zoti është i madh dhe i amshuar
Fjala ishte Hyj... u bë njeri e banoi ndër ne (Krh. Gjn 1, 1. 14).
O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, *
kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni!
Zoti e mbron popullin e vet, *
ka mëshirë për shërbëtorët e vet.
Idhujt e paganëve janë ar e argjend, *
prodhim i duarve të njerëzve:
e kanë gojën, por nuk flasin, *
i kanë sytë, por nuk shohin,
i kanë veshët, por s’dëgjojnë, *
as nuk kanë frymë në gojën e tyre.
Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, *
të gjithë ata që shpresojnë në ta.
Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, *
shtëpia e Aronit, bekoje Zotin,
shtëpia e Levit, bekoje Zotin, *
bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin!
Nga Sioni qoftë bekuar Zoti *
që banon në Jerusalem. Aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekuar qoftë mbretëria që vjen, qoftë bekuar i biri i Davidit, aleluja.
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit: sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
Kënga Krh. Zb 15, 3-4 Himn adhurimi dhe lavdi
Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †
o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *
Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,
o Mbreti i popujve!
Kush të mos të druajë ty, o Zot, †
dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *
Ti i vetmi, je Shenjti!
Të gjitha kombet do të vijnë †
dhe do të adhurojnë para Teje, *
sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 T’i këndojmë Zotit: sepse ai është me të vërtetë i madhërueshëm, aleluja.
Leximi i shkurtër Heb 5, 8-10
Krishti, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, i shpallur prej Hyjit kryeprift “në mënyrë të Melkizedekut.”
Përgjigjja e shkurtër
C O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne, * aleluja, aleluja.
O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne, aleluja, aleluja.
D Ti u ngjalle prej të vdekurve.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, ki mëshirë për ne, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Krishti që ishte i kryqëzuar, u ngjall prej së vdekuri; ai na liroi, aleluja.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Krishti që ishte i kryqëzuar, u ngjall prej së vdekuri; ai na liroi, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë Krishtin, udhën, të vërtetën dhe jetën dhe t'ia drejtojmë lutjen tonë të flaktë:
Bir i Zotit të gjallë, bekoje popullin tënd.
Ne po të lutemi për barinjtë e Kishës sate
— bëj që duke thyer bukën e jetës të rriten në dashuri.
Ne po të lutemi për popullin e krishterë
— bëj që të jetojë në përputhje me thirrjen e vet dhe ta ruajë unitetin në lidhje të paqes.
Ne po të lutemi për ligjdhënës dhe qeveritarë
— bëj që të përparojnë të drejtën dhe vëllazërimin e të gjithë njerëzve.
Ne po të lutemi për vëllezërit tanë të vdekur
— bëj që të gëzojnë në bashkësinë e të lumturve dhe të shenjtërve të tu.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.