Mbrëmësorja

Java e katërt e Pashkëve – E Diel

 

Mbrëmësorja I

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   Në darkë të Qengjit parafolës,

   të bardhë e me rrobë shpëtimi,

   pasi u shfaq Deti i Kuq,

   t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.

 

   Trupi i tij krejt i shenjtë

   në altar të kryqit i flijuar,

   duke shijuar dhe gjakun

   ne në Zotin për të jetuar.

 

   Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës

   nga engjëlli i shfarosjes,

   u çliruam nga zgjedha

   e Faraonit të egër.

 

   Tash Pashka jonë është Krishti,

   Edhe Qengji që u vra pa faj;

   që për ne flijoi trupin

   me pastërti të ndorme.

 

   O fli e denjë dhe e çiltër,

   nga e cila u shemb ferri,

   turma e robëruar çlirohet,

   vlerat e jetës po kthehen.

 

   Ngrihet Krishti Zot prej varrit,

   kthehet fitues nga humnera,

   tiranin e vë ndër pranga,

   dhe hap dyert e parajsës.

 

   Përherë ti rrofsh ndër mendje,

   o Krisht, gëzimi i Pashkëve,

   dhe me hir të rilindur

   në triumfin tënd bashkona.

 

   Jezus, Ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Paqja e Krishtit le t’i gëzojë zemrat tuaja, aleluja.

 

   Psalmi 122 /121/ (1-9) Përshëndetje Jerusalemit, qytetit të shenjtë

 

   I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë (Heb 12, 22).

 

Seç u gëzova kur më thanë: *

   »Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!«

Ja, tashmë këmbët tona shkelën *

   në dyert e tua, o Jerusalem!

 

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, *

   thuaj se i tëri një cope të vetme je!

 

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, †

   sipas rregullores në Izrael *

   për të kremtuar Emrin e Zotit.

 

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, *

   selitë e shtëpisë së Davidit!

 

Lutuni për paqen e Izraelit: *

   »U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua *

   dhe qetësia në pirgjet e tua!«

 

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi *

   do të them: »Paqja me ty!«

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, *

   do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Paqja e Krishtit le t’i gëzojë zemrat tuaja, aleluja.

 

Ant. 2 Me gjakun tënd, o Krisht, na ktheve përsëri te Hyji, aleluja.

 

   Psalmi 130 /129/ (1-8) Nga humnera të thërras

 

   Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija (Mt 1, 21).

 

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot, *

   o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu, *

   zërin e lutjes sime.

 

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, *

   O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por tek ti gjendet falja *

   që të dimë të të druajmë.

 

Shpresoj në ty, o Zot, *

   shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin *

   më tepër se rojtarët agimin.

Më tepër se rojtarët agimin *

   le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira *

   dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

 

Ai do ta nxjerrë Izraelin *

   prej të gjitha paudhësive të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me gjakun tënd, o Krisht, na ktheve përsëri te Hyji, aleluja.

 

Ant. 3 Ishte e nevojshme që Krishti të kalonte nëpër vdekje, e që kështu të hynte në lavdi, aleluja.

 

   Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit

 

Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *

   barazinë e vet me Të

   nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

 

por ia mohoi vetvetes *

   e mori natyrën e shërbëtorit

   dhe u bë i ngjashëm me njerëz

 

dhe, për kah pamja e jashtme, *

   dukej vetëm njeri.

 

E përuli vetveten

   duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*

   mu deri në vdekje në kryq.

 

Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *

   dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër

 

që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *

   i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

 

dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *

   ‘Jezu Krishti është Zot!’

   Në nder të Hyjit Atë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ishte e nevojshme që Krishti të kalonte nëpër vdekje, e që kështu të hynte në lavdi, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Rom 5, 10-11

 

   Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Rri me ne, o Zot, * aleluja, aleluja.

   Rri me ne, o Zot, aleluja, aleluja.

   D Tashmë po bëhet natë.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Rri me ne, o Zot, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Unë jam dera, thotë Zoti: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam dera, thotë Zoti: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T'i lutemi me fe të gjallë Krishtit, i cili e mundi vdekjen dhe e ripërtëriu jetën:

 

   O Krisht, ti që jeton në amshim, dëgjoje lutjen tonë.

 

Ti që je gur, të cilin ndërtuesit e hodhën jashtë përdorimit e Ati e zgjodhi për gurë këndi

bëje secilin prej nesh gurë të gjallë për ndërtimin e Kishës sate.

Ti që je dëshmitar besnik dhe i vërtetë

bëj që Kisha jote të dëshmojë gjithmonë me fjalë, me vepra dhe me ngjalljen tënde.

Ti i vetmi dhëndër i Kishës sate, e cila lindi nga zemra jote e shporuar

na bëj dëshmitarë të këtij sakramenti martesor me Kishën tënde.

Ti që ishe i vdekur dhe tani jeton përgjithmonë

na jep forcë që t'i mbajmë premtimet e pagëzimit për ta merituar kurorën e jetës.

O dritë e lavdishme e qytetit shenjt të Hyjit

shndriti të vdekurit tanë në shekuj të shekujve.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na prij drejt lumturisë së parajsës; bëj të arrijë atje te grigja, megjithëse e ligshtë, ku Bariu i saj hyri fitimtar. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.