Mbrëmësorja

Java e katërt e Pashkëve – E Diel

 

Mbrëmësorja II

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   Në darkë të Qengjit parafolës,

   të bardhë e me rrobë shpëtimi,

   pasi u shfaq Deti i Kuq,

   t’i këndojmë Krishtit kryeprinc.

 

   Trupi i tij krejt i shenjtë

   në altar të kryqit i flijuar,

   duke shijuar dhe gjakun

   ne në Zotin për të jetuar.

 

   Mbrojtur në mbrëmje të Pashkës

   nga engjëlli i shfarosjes,

   u çliruam nga zgjedha

   e Faraonit të egër.

 

   Tash Pashka jonë është Krishti,

   Edhe Qengji që u vra pa faj;

   që për ne flijoi trupin

   me pastërti të ndorme.

 

   O fli e denjë dhe e çiltër,

   nga e cila u shemb ferri,

   turma e robëruar çlirohet,

   vlerat e jetës po kthehen.

 

   Ngrihet Krishti Zot prej varrit,

   kthehet fitues nga humnera,

   tiranin e vë ndër pranga,

   dhe hap dyert e parajsës.

 

   Përherë ti rrofsh ndër mendje,

   o Krisht, gëzimi i Pashkëve,

   dhe me hir të rilindur

   në triumfin tënd bashkona.

 

   Jezus, Ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Të ringjallur me Krishtin, kërkoni gjërat e qiellit: atje ai jeton në të djathtën e Hyjit, aleluja.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Duhet që Ai të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të ringjallur me Krishtin, kërkoni gjërat e qiellit: atje ai jeton në të djathtën e Hyjit, aleluja.

 

Ant. 2 Në errësirë u ngrit një dritë për të drejtët, aleluja.

 

   Psalmi 112 /111/ (1-10) Lumturia e njeriut të drejtë

 

   Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta (Ef 5, 8-9).

 

Lum ai njeri që e druan Zotin, *

   që kënaqet në urdhërimet e tija.

Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *

   do të bekohet breznia e të drejtëve.

 

Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *

   drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *

   i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.

 

I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †

   punët e veta i kryen me ndërgjegje, *

   ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

 

Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *

   nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †

   të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *

   armiqtë e vet i bën asgjë.

 

Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †

   drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *

   balli i tij ngallit për nder.

 

E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †

   me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *

   Dëshira e mëkatarëve shkon huq.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në errësirë u ngrit një dritë për të drejtët, aleluja.

 

Ant. 3 Aleluja. Shpëtim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, aleluja.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (Aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (Aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (Aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (Aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (Aleluja).

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Aleluja. Shpëtim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Rom 6, 5-7

 

   Pasi jeni krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit, sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë, * aleluja, aleluja.

   Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë, aleluja, aleluja.

   D Vdekja dhe ferri janë nën pushtetin tim.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Isha i vdekur: tani jetoj përgjithmonë, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, e unë, Zoti, i njoh të gjitha delet e mia, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, e unë, Zoti, i njoh të gjitha delet e mia, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishti i ngjallur rri në të djathtën e Atit. Në Emër të tij e lartësojmë lutjen tonë:

 

   O Zot, me lavdinë e Krishtit shëlbo popullin tënd.

 

Atë i shenjtë që e lavdërove Birin tënd të vdekur në kryq

drejtoi tek Ai të gjithë njerëzit.

Dërgoje Shpirtin tënd mbi Kishë

që të jetë sakrament i bashkimit të të gjithë njerëzve.

Mbroji ata, të cilët i rilinde në jetën e re me anë të pagëzimit

bëj që të rriten në fe dhe ta dëshmojnë Emrin tënd.

Përmes Birit tënd të lavdëruar ndihmoju të varfërve, shëroji të sëmurët, liroji të burgosurit

shtrij mbi të gjithë popujt begatitë e shëlbimit tënd.

Pranoji në qiell të vdekurit tanë, të cilët u ushqyen me korpin dhe me gjakun e Birit tënd

bëj që të marrin pjesë në gostinë e gëzimit të përhershëm.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na prij drejt lumturisë së parajsës; bëj të arrijë atje te grigja, megjithëse e ligshtë, ku Bariu i saj hyri fitimtar. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.