Mbrëmësorja

Java e katërt e Pashkëve – E Martë

 

Mbrëmësorja

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

   O Zot, mbret i amshueshëm,

   gjithmonë me Atin Bir,

   sipas shëmbëllesës sate

   njeriun Adam krijove.

 

   Që e kish mashtruar djalli,

   armiku i njerëzimit,

   trajtën e tij të trupit

   nga Virgjëra e more.

 

   Që t’na bashkosh me Hyjin

   në bashkëjetesë të mishit,

   në pagëzim do të na japësh,

   Shëlbues, mëshirë e falje.

 

   Të marrësh kryqin u denjove

   për t’u shërbyer njerëzve;

   ti gjakun tënd dhurove

   çmim për shpëtimin tonë.

 

   Ti u ngjalle duke marrë

   lavdinë e caktuar nga Ati,

   nëpër ty ne besojmë

   me përkushtim të ngjallemi.

 

   Qofsh përherë gëzimi i Pashkëve

   për mendjet tona, o Jezus,

   dhe ne me hir rilindur

   na mblidh në ngadhënjimet e tua.

 

   Ty, Jezus, të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Për ty i këndojmë, o Zot, këngët e Sionit, aleluja.

 

   Psalmi 137 /136/ (1-6) Mbi lumenjtë e Babilonisë

 

   Deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit (2Kor 5, 6. 7).

 

Mbi lumenj të Babilonit,

   atje rrinim e lotonim *

   e nëpër mend shkonim Sionin.

Në shelgje, në mes të tij, *

   qestet tona në gem i varëm.

 

Shi atje shpërngulësit tanë *

   t’u këndojmë prej nesh kërkuan,

të gëzohemi shtypësit urdhëronin: *

   »Na i këndoni këngët e Sionit!«

 

Po si mundim t’i këndojmë *

   këngët e Zotit në dhe të huaj?

Oh, m’u thaftë-o krahu mua, *

   Jerusalem për në të harrofsha,

 

për qiellzë gjuha m’u kaptë mua, *

   të të kujtoj ty nëse unë pushofsha,

në mos e vënça Jerusalemin *

   mbi të gjitha gëzimet e mia!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Për ty i këndojmë, o Zot, këngët e Sionit, aleluja.

 

Ant. 2 Nga thellësia e ankthit ti përsëri ma e dhe jetën, aleluja.

 

   Psalmi 138 /137/ (1-8) Himn falënderimi

 

   Mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet (Zb 21, 24).

 

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, *

   sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve, *

   adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

 

E lavdëroj Emrin tënd †

   për dashurinë e besnikërinë tënde, *

   sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

 

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, *

   shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës *

   sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

 

Do t’i këndojnë udhët e Zotit, *

   sepse e madhe është lavdia e Zotit;

sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët *

   e prej së largu i dallon krenarët.

 

Kur të më duhet të eci në mes të vështirësive, *

   ti ma ruaj jetën,

shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi *

   e më shpëto me të djathtën tënde.

 

Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. †

   E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: *

   mos e përbuz veprën e duarve të tua!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Nga thellësia e ankthit ti përsëri ma e dhe jetën, aleluja.

 

Ant. 3 Ty, o Zot, të qoftë madhëria dhe fuqia, lavdia dhe fitorja, aleluja.

 

   Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12. Himni i të shëlbuarve

 

I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *

   të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,

 

sepse ti krijove gjithçka,

   dhe me vullnetin tënd *

   gjithçka u bë dhe u krijua!

 

Ti je i denjë, o Zot,

   të marrësh librin *

   dhe t’ia zgjidhësh vulat,

 

sepse qe prerë †

   dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *

   njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

 

dhe i bëre për Hyjin tonë

   mbretëri dhe priftërinj *

   dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.

 

I denjë është Qengji i prerë †

   të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *

   fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty, o Zot, të qoftë madhëria dhe fuqia, lavdia dhe fitorja, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Rom 1, 1-6

 

   Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑ të cilin Hyji e kishte premtuar qysh më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t'i biem në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Zoti u ngjall, * aleluja, aleluja.

   Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.

   D Ashtu sikurse u premtoi nxënësve të vet.

   aleluja, aleluja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Zoti u ngjall, aleluja, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

Ant. Unë i njoh delet e mia dhe ato vijnë pas meje: atyre u jap jetën e pasosur, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë i njoh delet e mia dhe ato vijnë pas meje: atyre u jap jetën e pasosur, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishtit, i cili nëpërmjet ngjalljes e plotësoi shpresën e popullit të vet, t'ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   O Krisht që jeton në amshim, na dëgjo.

 

O Zot Jezus, që nga zemra e çelur bëre të burojë gjak dhe ujë

pastroje dhe shenjtëroje Kishën tënde.

Ti që ia besove Pjetrit drejtimin shpirtëror të popullit tënd

mbroje papën tonë E. dhe forcoje në dashuri për shërbim në Kishën e shenjtë.

Ti i shndërrove peshkatarët e Galilesë në apostuj të mbretërisë sate

dërgo punëtorë në Kishën tënde që ta vazhdojnë veprën e shëlbimit.

Në breg të liqenit përgatite bukë dhe peshk për apostujt e tu

bëj që askush nga vëllezërit tanë mos të vuajë nga uria për fajin tonë.

O Jezu, Adam i ri dhe shpirt që jep jetë, bëj që të vdekurit ta bartin përngjasimin e lavdisë sate

dhe ta fitojnë gëzimin tënd të plotë.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Hyji i gjithëpushtetshëm, të meritojmë të hyjmë në gëzimin e shëlbimit tonë, ne që po kremtojmë ngjalljen e Birit tënd. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.