Mbrëmësorja

29 prill, Shën Katerina e Sienës, virgjër dhe mësuese e Kishës

 

MBRËMËSORJA

 

      Himni

 

      Kjo është dita, ku i bardhë

      si pëllumbeshë, në qiej

      ndër tempuj të shenjtëruar

      flutroi shpirti i Terezës.

 

      Dëgjoi zërat e dhëndrit:

      “Motër, nga maja e Karmelit

      eja n’gostinë e Qengjit;

      n’kunorë të lumnisë eja”.

 

      Ty, Jezus, dhëndri i virgjërave,

      radhët e lume adhurofshin,

      dhe me këngë martesore

      lavdrofshin në gjithë shekujt. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Hyji më bëri predikues të Ungjillit, për shkak të hirit që më dha.

 

Psalmi 15 /14/ (1-5)

 

O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? *

      Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë?

Vetëm ai që jeton me nder, *

      që vepron me drejtësi

 

e prej zemrës flet të vërtetën, *

      që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton, *

      që shokun nuk e çnderon:

 

ai që bakeqin e mban për asgjë *

      e i çmon ata që e druajnë Zotin,

 

ai që i përbehet dashamirit të vet

      dhe ia mban fjalën, †

      nuk jep të holla me kamatë *

      e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

 

Kush vepron kështu *

      kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hyji më bëri predikues të Ungjillit, për shkak të hirit që më dha.

 

Ant. 2 Shërbëtor besnik dhe i urtë: Zoti ia besoi familjen e vet.

 

Psalmi 112 /111/ (1-10)

 

Lum ai njeri që e druan Zotin, *

      që kënaqet në urdhërimet e tij.

Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, *

      do të bekohet breznia e të drejtëve.

 

Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, *

      drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve.

Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: *

      i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.

 

I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon, †

      punët e veta i kryen me ndërgjegje, *

      ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.

 

Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, *

      nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, †

      të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet *

      armiqtë e vet i bën asgjë.

 

Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; †

      drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, *

      balli i tij ngallit për nder.

 

E sheh bakeqi dhe hidhërohet, †

      me dhëmbë kërcëllon e vyshket. *

      Dëshira e mëkatarëve shkon huq.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shërbëtor besnik dhe i urtë: Zoti ia besoi familjen e vet.

 

Ant. 3 Delet e mia do ta dëgjojnë zërin tim; do të jetë një grigjë e vetme e një barí i vetëm.

 

Kënga Krh. Zb 15, 3-4

 

Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, †

      o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! *

      Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua,

      o Mbreti i popujve!

 

Kush të mos të druajë ty, o Zot, †

      dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?! *

      Ti i vetmi, je Shenjti!

 

Të gjitha kombet do të vijnë †

      dhe do të adhurojnë para Teje, *

      sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Delet e mia do ta dëgjojnë zërin tim; do të jetë një grigjë e vetme e një barí i vetëm.

 

      Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 1-4

 

      Eprorëve, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Mik i vërtetë i vëllezërve të tu,

      * lutu për popullin tënd.

      Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.

      D E dhe jetën për vëllezër,

      lutu për popullin tënd.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Mik i vërtetë i vëllezërve të tu, lutu për popullin tënd.

 

    Ose:

 

      Leximi i shkurtër Krh. Jak 3, 17-18

 

      Urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtijarake. Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C E shpalli fjalën e Zotit, * në mesin e kuvendit.

      E shpalli fjalën e Zotit, në mesin e kuvendit.

      D Zoti i dha urti dhe dituri

      në mesin e kuvendit.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      E shpalli fjalën e Zotit, në mesin e kuvendit.

 

      Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

      Ant. Gjithmonë e drejtuar në kërkimin e Zotit Katerina jetonte e bashkuar me të në thellësi të dashurisë, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

      shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

      qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *

      ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

      për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

      hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

      i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

      të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

      duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

      në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

      Ant. Gjithmonë e drejtuar në kërkimin e Zotit Katerina jetonte e bashkuar me të në thellësi të dashurisë, aleluja.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Lavdi i qoftë Krishtit, të caktuar kryeprift për njerëzit para Hyjit. Të bashkuar në lutjen e mbrëmjes, ta thërrasim emrin e tij:

 

      Shpëtoje popullin tënd, o Zot.

 

Ti që në Kishën tënde zgjove barinj të shenjtë dhe të urtë,

    bëj që bashkësia e krishterë të jetë gjithmonë e udhëhequr prej njerëzve të urtë dhe bujarë.

Ti ia fale mëkatet popullit tënd për shkak të lutjeve të barinjve të shenjtë, që ndërmjetësonin sikurse Moisiu,

    për hir të meritave të tyre pastroje dhe ripërtërije gjithmonë Kishën tënde.

Në mes të vëllezërve i zgjodhe frymëzuesit dhe udhëheqësit e popullit tënd dhe i shugurove me vulën e Shpirtit Shenjt,

    mbushi me dhuratat e tua ata që i vure në udhëheqje të Kishës së shenjtë.

Ti, që je trashëgimi i apostujve dhe i pasardhësve të tyre,

    bëj që mos të birret askush prej atyre që i shëlbove me gjakun tënd.

Ti që nëpërmjet barinjve të Kishës kujdesesh për besimtarët e tu, që askush të mos rrëmbehet prej dorës sate,

    bëj që ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët e ndjerë të mblidhen të gjithë në gëzimin e mbretërisë sate.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti e ndeze me dashuri hyjnore zemrën e shën Katerinës në meditimin e thellë të mundimeve të Krishtit e në shërbim të Kishës sate: bëj, me ndërmjetësinë e saj, që populli yt, i bashkuar në misterin e Krishtit, t’i gëzohet gjithherë zbulesës së lavdisë së tij. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.